Në një raport të publikuar sot nga organizata Freedom House Shqipëria shënon përkeqësim përsa i përket qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit. Raporti i përvitshëm, i titulluar “Kombe në Tranzicion”, analizon 29 shtete dhe cilësohet si një barometër për ecurinë e demokracisë.

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, (ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe 7 më i larti), vlerësimi për Shqipërinë zbrit në 3.82 pikë – nga 3.89 që kishte për vitin 2018.

Raporti i kategorizon vendet në “demokraci të konsoliduara” kur kanë mbi 5 pikë, në “demokraci gjysmë të konsoliduara” kur kanë 4 deri në 5 pikë, te “regjime hibride apo në tranzicion” 3 deri në 4 pikë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kategoritë e fundit vijojnë me “regjimet autoritare gjysmë të konsoliduara” 2 deri në 3 dhe “regjime autoritare” me më pak se 2 pikë.

Ndër elementët që vlerësohen për përcaktimin e nivelit të demokracisë së një vendi janë: procesi zgjedhor, shoqëria civile, media e pavarur, qeverisja demokratike lokale, kuadri gjyqësor,  korrupsioni etj.

Shqipëria ka një përqindje të demokracisë në 47%, korrupsioni është vlerësuar me 2,75 pikë, pavarësia e medias me 3.75 pikë dhe roli i shoqërisë civile me 5 pikë nga 7 që janë maksimalet në vlerësim.

Rënia me 0.07 pikë në indeksin e përgjithshëm të Shqipërisë në vitin 2019 është më e madhja e shënuar në Ballkanin Perëndimor.

Për herë të parë në tre vite Shqipëria shënoi përkeqësim në këtë indeks. Të dhënat e 10-vjeccarit të fundit tregojnë një përkeqësim të ngadalshëm të standardeve demokratike në vendin tonë, duke shënuar një rënie nga 4.07 (viti 2010) në 3.82 (2020).

Në një tjetër raport të Freedom House publikuar një vit më parë, Shqipëria rënditej e 120 nga 210 vende pjesëmarrëse duke u konsideruar një vend pjesërisht i lirë.

Katër vende kanë ndryshuar regjim:

Polonia që doli nga kategoria e demokracive të konsoliduara, duke u shndërruar në një demokraci gjysmë e konsoliduar. Ndërkohë Hungaria, Serbia dhe Mali i Zi kanë dalë plotësisht nga grupi i vendeve demokratike dhe tani janë të klasifikuara si regjime hibride/demokraci në tranzicion.

“Shumë lider e kanë fshirë edhe pretendimin se po udhëheqin me parimet e demokracisë” shkruhet në raport, duke përmendur rastin e kryeministrit të Hungarisë Viktor Orbans i cili nuk ka respektuar institucionet demokratike, apo edhe partia Ligj dhe Drejtësi në Poloni e cila luftonte pushtetin gjyqësor. “Ka dhe raste kur opozita është lodhur nga përpjekjet për të bashkëpunuar me maxhorancën, për këtë arsye vendos të largohet” citohet në draft, ku u përmend rasti i bojkotimit të parlamentit në Shqipëri, por edhe në tre vende të tjera, Bullgari, Mal i Zi, Serbi.

Kosova, që gjithashtu vlerësohet regjim hibrid, ose demokraci në tranzicion, u vlerësua me 3.18 pikë – nga 3.11 që ishte vlerësuar për vitin 2018.

Maqedonia e Veriut është vlerësuar për përmirësime në raport me median dhe arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Reagimi i kryeministrit përgënjeshtron raportin: “Shqipëria ka lirinë e shpifjes më të lartë në planet”

Kryeministri Rama në një intervistë të mëngjesit në Abc News është shprehur se nuk ishte në dijeni të raportit të Freedom House. Ai  ka përgenjështruar përfundimin e specialistit Michael Smeltzer sipas të cilit udhëheqësit dhe politikanët po heqin dorë edhe nga fasada e demokracisë. Rama ka kundërshtuar këtë pohim duke shtuar se në Shqipëri ka demokraci në zhvillim, ndërsa për lirinë e mediave ai tha se vendi ynë ka lirinë e shpifjeve më të madhe në planet.

Analiza e plotë e për  Shqipërinë Michael Smeltzer (bashkëautor i raportit), publikuar në Zërin e Amerikës:

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu