Autore: Bardha Nergjoni | Citizens Channel | Elbasan

Qarku i Elbasanit konsiderohet ndër zonat me vatra aktive të COVID 19 në Shqipëri. Aktualisht janë 9 vatra ku vetëm 4 konsiderohen të lidhura me njëra-tjetrën ndërsa të tjerat nuk kanë ende një burim infektimi. Ekipi i ekspertëve të vijës së parë pranë Shëndetit parësor ka kryer 382 teste, nga të cilat tani janë konfirmuar 20 të infektuar me COVID. Sipas të dhënave zyrtare 8 konsiderohen të shëruar dhe kanë dalë nga karantina.

Strukturat shëndetësore të vijës së parë në Elbasan i kanë konsideruar dy muaj sfidë në përballje me të panjohurën. Marrja e mostrave, gjurmimi i rasteve, lidhja e vatrave të infektimit si dhe mbrojtja sa më shumë nga virusi janë e përditshmja e një stafi që punon me përkushtim në një luftë me shumë të papritura.

Ndërkohë mjekët dhe infermierët e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” janë përshtatur, kanë modifikuar komunikimin e tyre me pacientët, janë organizuar dhe po përballen në pavijone të veçanta edhe me të papritura që venë në rrezik shëndetin e tyre. Edhe pse numri i pacientëve është përgjysmuar dhe në pak pavijone gjen të shtruar, kjo mënyrë e re e ndërveprimit me pacientët konsiderohet një zgjidhje në kohën e COVID.

Vetë strukturës së qendrës spitalore e cila ka vetëm dy specialistë për pandemitë (një infeksionit dhe një pneumlog) i është dashur përshtatja si në organizimin e punës brenda reparteve dhe pavijoneve ashtu edhe në dezinfektimin e ambienteve. Edhe pse ende ka shqetësim në fytyrat e mjekëve dhe infermierëve për një virus që vazhdon të jetë i rrezikshëm për të gjithë, ata konfirmojnë faktin që kjo pandemi shënoi një fazë të re në marrëdhënien mjek-pacient veçanërisht në Shqipëri.

Flet mjekja që drejton skuadrën anti- COVID në Elbasan

Erleta Hila, mjeke mikrobiologe]

Erleta Hila, mjeke mikrobiologe përballet çdo ditë me sfidën e infektimit nga COVID 19. Nga dita e parë e marrjes së mostrave, për Erletën dhe stafin e saj, vështirësisë nuk kanë munguar. Ajo drejton sektorin e shërbimeve epideomoligjike pranë Shëndetit Parësor në Elbasan.  Aktualisht në Elbasan janë marrë rreth 412 mostra nga të cilat 20 kanë rezultuar pozitivë. “Kam 8 vjet që punoj si mikrobiologe. Kjo situatë ishte e pazakontë dhe e pamenduar më parë për mua dhe për të gjithë punonjësit që janë në vijën e parë. Unë e konsideroj një betejë qysh nga dita e parë e konfirmimit dhe marrjes së mostrave në 9 mars e deri sot”.

Mjekja Hila tregon se muaji mars i ka vendosur përballë zgjedhjeve të vështira mes fluksit të lartë të qytetarëve që telefononin në numrin 127: “Duhet të seleksiononim rastet dhe të analizonim ato që duhet të ishin prioritare dhe sigurisht të merrnim mostrat. Prilli ka qenë edhe më intensiv sidomos në marrjen mostrave”.

Në fillim të prillit ndryshoi dhe mënyra e të testuarit. Ajo shton se me fillimin e muajit prill ndryshoi dhe mënyra e testimit: “Ndërkohë testohen të gjithë ata që mjeku i familjes i referon raste me temperaturë dhe me shenjat e COVID. Në këto kohë kjo merr rëndësi pasi virusi tani nuk është vetëm për rastet që vinin nga emigracioni apo kontaktet e tyre të afërta, por mund të qarkullojë tek të gjithë”.

Vështirësitë për grupin në terren kanë qenë nga më të ndryshmet. Ka pasur raste kur qytetarët nuk kanë refuzuar bërjen e testit ose nuk kanë treguar personat e kontaktit: “Për fat të keq ka pasur raste të tilla që na e kanë bërë më të vështirë punën e gjurmimit. Një prej tyre madje kërkoi sërish ndihmën e personelit shëndetësor pasi iu shfaqen simptomat edhe pse ishte rast kontakti”.

Erleta thotë se shpesh i është dashur jo vetëm të bëjë rolin e mjekes, por edhe të psikologes.

“Nuk na tregojnë për shenjat klinike. Kemi pasur raste që nuk kanë treguar për simptomat. Më pas kanë dalë me shenja klinike. Ka dyshuar që ka qenë COVID pozitiv dhe nuk ka dashur të bëjë testin. Vetëm kur është ndjerë keq atëherë ka bërë testin dhe sigurisht ka dalë pozitiv”.

Mjekja tregon se hallka e komunikimit me mjekët e familjes ja ka bërë më të lehtë punën stafit. “Komunikimi me mjekët e familjes ka qenë i  ngushtë. Në momentin kur unë gjurmoj, të dhënat ja kërkoj mjekut të familjes. Ato bëjnë edhe ndjekjen e personit gjatë 14 ditëve të karantinës”.

Qysh nga rasti i parë stafi i epidemilogëve të Parësorit në Elbasan kanë jetuar frikën dhe tensionin e infektimit. Erleta tregon se fakti që shumë janë infektuar nga personeli shëndetësor edhe pse masat kanë qenë strikte, ka bërë që shqetësimi i infektimit të jetë i përditshëm. “Unë jam munduar që përgjegjësia dhe puna të jetë e shpërndarë tek i gjithë stafi. Sigurisht, frika na shoqëron në çdo moment. Shqetësimi si të vishemi, si të zhvishemi. Dyveku dhe skafandra, dezinfektant(alkool) dhe dorezat na shoqërojnë gjatë marrjes së mostrave. Ndihmojmë njëri-tjetrin në heqjen e veshjeve. Tashmë maska është bërë pjesë e veshjes nga mëngjesi e deri në darkë kur kthehem në shtëpi”.

Erleta është nënë e dy vajzave 4 dhe 8 vjeç, që e presin çdo mbrëmje në shtëpi duke e bërë më të vështirë gjendjen emocionale të saj në përballje me familjarët. “Nga 9 marsi unë nuk e njoh ditën e pushimit, madje telefoni im në fillesa vazhdonte deri në 12 të natës. Unë në shtëpi kam edhe dy të moshuar.  Prandaj  prej punës që bëj duhet të shqetësohem shumë më tepër për mundësinë e infektimit të tyre. Familja e përjeton stresin tim të ditës, madje vajza e vogël që nuk e kupton dot situatën, më thotë shpesh ‘qesh mami’. Kujdesi ynë është shumë i madh por duke mos përjashtuar mundësinë e infektimit, besimi në Zot na shoqëron edhe në punën tonë”.

Nga 382 të testuar, më shumë se gjysma e kanë përfunduar kohën e izolimit dhe lejohen të dalin të punojnë ndërkohë pjesa tjetër duhet të rrijë ende në karantinë. Për zbatimin e karantinës së pjesës tjetër i mbetet mjekut të familjes një pjesë e rëndësishme e punës. “Dimë që mjekët e familjes duhet të bashkëpunojnë shumë fort me inspektorët e lagjeve që këta persona të rrinë në vetë izolim dhe në rast simptomash të telefonojnë 127-tën. Mund të ketë shumë zëra që këta persona nuk e respektojnë kohën e vetë izolimit por kjo mbetet për tu verifikuar. Për mendimin tim e vetmja zgjidhje është ndërgjegjësimi i njerëzve që të respektojnë maksimalisht karantinën për të mos u bërë shkak për infektimin e të tjerëve, pasi të parët që infektohen janë rrethi i afërt familjar”.

Mjekja thotë se nga gjurmimi i 9 vatrave vetëm 4 kanë shfaqur lidhje me njëra-tjetrën. Vatrat e fundit në Elbasan nuk kanë ende një burim infektimi.

Qendra spitalore “Xhaferr Kongoli” përballë COVID-19; Infermieri: 97-ta dhe COVID njësoj për mua

Ndriçim Mema infermier në urgjencën spitalore të Elbasani; Foto: Bardha Nergjoni

Ndriçim Mema shërben prej 30 vjetësh si infermier në urgjencën spitalore të Elbasanit. Situata e COVID-19 e ka gjetur në punë në repartin më të vështirë ku virusin mund ta hasësh kudo. “Urgjenca dhe reparti i kirurgjisë mbeten më problematiket. Unë vetë këtë situatë e kam krahasuar me 97-tën. Atëherë nuk dihej nga na vinte plumbi, dhe sot e njëjta gjë ndodh. Nuk dihet nga vjen virusi. Mundohemi të ruajmë veten duke respektuar të gjitha rregullat e mbrojtjes dhe të higjienës, por dihet që kjo është tepër e vështirë”.

Vetëm pak ditë më parë një ndër pacientet e trajtuara nga ai doli pozitive nga COVID 19. Për fat të mirë ai dhe mjeku që e trajtoi, dolën negativë ndaj tamponeve dhe puna për të vazhdon duke iu gjendur njerëzve në këto kohë të vështira.

Fatmirësisht, thotë Ndriçimi, rastet urgjente janë ulur, por rreziku mbetet: “Ne kemi pasur një periudhë shumë të vështirë në janar dhe shkurt ku vinin njerëz me temperaturë tepër të lartë 40-41 që nuk i zbriste. Ka pasur deri 150 vizita në ditë ato dy muaj. Ajo situatë ishte tepër e vështirë për personelin shëndetësor. Ndërsa tani jemi në çdo moment përballë virusit”.

Urgjenca Spitalore Elbasan

Shqetësimi që ngre reparti i urgjencës është i përhershëm për të gjithë stafin e shërbimit.  Ata kërkojnë që Policia e shtetit të ketë një patrullë fikse vetëm për spitalin. Jo shumë ditë më parë drejtori i Urgjencës u bë pre e një kërcënimi jetë nga një qytetar. Rastet e kërcënimeve për ta nuk mungojnë dhe në këtë përiudhë të vështirësisë në përballje me sëmundjet. Aktualisht Urgjenca është e vetmja me një shërbim 24 orë në qarkun e Elbasanit, që i përgjigjet njerëzve me vështirësi të shëndetit edhe pse mund të jenë COVID pozitivë.

Dezinfektimi i përditshëm ka heronjtë e tij

Arjani është tashmë me kohë të plotë dezinfektuesi i qendrës spitalore të Elbasanit. Më parë dezinfektimi bëhej periodik nga Instituti i Shëndeti Publik. Atë e gjen me veshjen mbrojtëse dhe pompën me përbërje klori në të gjithë ambientet e qendrës spitalore. “Kam dy muaj që merrem me këtë punë. Më parë nuk e di kush e bënte. Tani e bëj unë dhe merrem jo vetëm me ambientet e brendshme të spitalit por edhe ato jashtë si stola, shkallë, sheshe”. Arjan Qama tregon se deri tani e ka përballuar me sukses dhe nuk ka pasur probleme shëndetësore nga sasia e madhe e klorit të dezinfektimit: “Nëse do kisha probleme shëndetësore mund ta kisha lënë si punë pasi është e vështirë. Mundohem të gjendem kudo që spitali të jetë i pastër. Është punë me përgjegjësi dhe shpesh njerëzit kur më shohin dhe më falenderojnë, ndjehem mirë”.

Qendra Spitalore Xhaferr Kongoli në Elbasan është ndër tri qendrat më të mëdha shëndetësore në vend me rreth 360 shtretër. Numrin më të madh të shtretërve e ka spitali patologjik me 92 shtretër.

Spitale të boshatisura dhe konsulta online

Në këtë spital që në periudhën normale mban barrën më të madhe të të sëmurëve, në periudhën e COVID 19  numri i pacientëve të shtruar është reduktuar ndjeshëm. Mjekja nefrologe Zheni Gjergji konfirmon se po punohet intensivisht nga mjekët që të reduktohen grumbullimet dhe shtrimet e panevojshme. Ajo shpjegon se recetat e rimbursueshme për medikamentet e shtrenjta të veshkave, kimioterapive, të hepatiteve, etj., që jepeshin në spital dhe konfirmoheshin nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, tashmë jepen online edhe për 2 muaj që të ndihmohen qytetarët.  Edhe konsultat, që duhet të bëheshin në Tiranë për fillimin e hemodializës, po bëhen online me QSUT-n.

Sipas mjekëve ka pasur një lloj solidariteti dhe bashkëpunimi mes strukturave që të mos ketë pengesa. Pacientët kanë zgjedhur të rrinë në shtëpi dhe të anulojnë ekzaminime apo vizita për t’i shtyrë ato në një kohë të dytë. Kështu me lirimin e masave, mjekët parashikojnë fluks në qendra shëndetësore e spitale duke kërkuar më shumë mjete mbrojtëse në vazhdim.

Personeli mjekësor i Qendrës Spitalore të Elbasanit është trajnuar për COVID19 dhe janë të gatshëm për të qenë në vijën e parë nëse do të jetë e nevojshme.

Nga një vëzhgim i të gjitha reparteve spitalore shtretërit janë thuajse zbrazur. Vetëm në Patologji janë të shtruar jo më shumë se 7 pacientë. Tashmë kati i dytë i ndërtesës i është vënë në dispozicion të sëmurëve të spitalit “Shefqet Ndroqi” të spostuar në Elbasan, pas kthimit të këtij institucionin në spitalin e dytë dedikuar pacientëve me COVID-19. Mjekët e këtij spitali udhëtojnë nga Tirana ndërkohë që shërbimi dhe personeli infermieror janë të qendrës spitalore në Elbasan. E. H, infermiere në këtë shërbim thotë se puna në këtë pavion është e vështirë pasi ky spital u përball ndër të parët me COVID 19.  Vetëm javën e fundit një mjek i këtij pavioni rezultoi pozitiv. “Ne iu nënshtruam të gjithë testin të COVID dhe fatmirësisht rezultuam negativë. Gjithsesi asnjëherë nuk I dihet kur mund të infektohemi. Mundohemi të ruhemi dhe të mbajmë mjete mbrojtëse, por frika mbetet. Kemi familjarë në shtëpi, të sëmurë, të moshuar. Jemi në stres gjatë gjithë kohës. Është një situatë e re për ne”, thotë ajo.

Në këtë fazë të epidemisë nevoja për tu kthyer në objektin fillestar të këtij spitali është kryefjalë e mjekëve dhe infermjerëve. Edhe pse numri i pacientëve në repartin e Traumës është i vogël, stafi shëndetësor shpreson në një rikthim të afërt pasi kapaciteti aktual i COVID 2 “Shefqet Ndroqi” është shumë i ulët nga çfarë ishte parashikuar. Nën zë mjekët thonë se pavioni duhet rikthyer Elbasanit që të vazhdojë normalitetin, dhe ata të jenë më pranë vendbanimeve të tyre edhe për t’i shërbyer më mirë pacientëve.

Ndërkohë në repartin e kirurgjisë, i dyti për nga numri i shtretërve në këtë qendër, shërbimi ndaj pacientëve të urgjencës vazhdon. Për fat të mirë, numri i aksidenteve është ulur ndjeshëm, por nuk mungojnë incidentet e ndryshme në repartin e mjekimit duke bërë që i gjithë personeli shëndetësor të përballet me të papritura. Operacionet e planifikuara janë shtyrë ndërkohë që kryhen vetëm urgjencat.

Masa të rrepta mbrojtëse janë marrë sidomos në spitalin e lindjeve ku puna ka vazhduar normalisht nga i gjithë personeli shëndetësor. Familjarët nuk lejohen në ambientet e brendshme të spitalit.

Spitali i Pediatrisë gjithashtu po punon me kapacitet të përgjysmuar. Masat e marra nga ana e personelit shëndetësor janë me një protokoll të veçantë. Sipas drejtuesve numri i referimeve në spital është ulur ndjeshëm edhe për faktin se prindërit nga frika e virusit janë munduar t’i trajtojnë në konsulta nëpërmjet telefonit dhe pediatrit të fëmijës.

Sipas shefes së Pediatrisë Irena Palloshi, fëmijët kanë qenë më të ruajtur nga virozat për faktin se kanë qendruar në shtëpi. Për problemet e hasura janë bërë konsulta telefonike sidomos për zonat rurale pasi për shkak të ndërprerjes së transportit, prindërit e kanë pasur të vështirë të vijnë në spital. Konsultat kanë qenë me pediatrin dhe mjekun e zonës duke këshilluar dhe kurat përkatëse. Ndërkohë për fëmijët të sëmurë kronikë medikamentet kanë vazhduar në bazë të kartelës së tyre po nëpërmjet konsultimit telefonik. E pyetur nëse është krijuar një kulturë e re, pediatrja theksoi se konsulta të tilla janë në situatë emergjente por nuk mund ta zëvëndësojnë anën fizike të kontaktit të mjekut me pacientit. Shpresojmë që situata t’i kthehet normalitetit”.

Situata e COVID-19 e gjeti shoqërinë e papërgatitur, por ata që u përshtatën më shpejt dhe morën vëmendje ishin mjekët dhe infermjerët. Në të gjitha strukturat shëndetësore doli në pah vullneti për të përballuar të panjohurën dhe për të qenë humanë siç edhe është në thelb misioni i tyre, por që vitet e fundit po zbehej.

Në pritje të rikthimit në normalitet pandemia e COVID 19 mes frikës, panikut, kujdesit, ndalesave dhe të papriturave, solli edhe diçka të mirë, kthimin e besimit dhe respektit tek bluzat e bardha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu