Autore: Sabina Veizaj | Citizes Channel

Haki Busi ruan traditën e familjes për mbarështrimin e deleve të qumështit.

Pas babait, në vitin 2000 e ka marrë ai në dorë fermën që ndodhet në Lazarat të Gjirokastrës. Aktualisht ai ka 250 krerë dele të racës spanjolle të cilat njihen për kapacitet të lartë të prodhimit të qumështit dhe kushtojnë 250 euro koka.

Hakiu tregon se shpenzimet mujore të fermës shkojnë në mbi 5 milion lekë të vjetra në muaj. Teksa me rënien e epidemisë së koronavirusit në Shqipëri, kur prej fillimit të muajit mars u urdhërua prej qeverisë të mbylleshin baret dhe restorantet, “Gjirofarma”, fabrikës që ia blen qumështin Hakiut, i ka rënë konsumi.

Për rrjedhojë nuk ka likuiditet dhe ai ka dy muaj pa marrë paratë e produkteve që prodhon në fermë.

“Të kuptohemi, kam vite që punoj me “Gjirofarma” dhe janë shumë të rregullt, por kjo situatë i ka shtuar vështirësitë e mëparshme fermerëve sepse është bllokuar aktiviteti ekonomik për shumë sektorë dhe nuk ka likuiditet. Sektori ynë hallemadh, nëse nuk ka likuiditet, vdes”- shpjegon Busi.

Ai tregon se po e mban fermën prej dy muajsh me kursimet e tij.

Jonxha për delet i kushton 4500 lekë të vjetra balla (njësi matëse = 28-31 kg në varësi) dora e parë, kurse dora e tretë 700-800 lekë më shumë. Një dele duhet të hajë 1,1 kg ushqim në ditë që të prodhojë qumësht në sasi maksimale.

“Por duke qenë se këtë herë e mora më shtrenjtë jonxhën, ia kam ulur sasinë dhe e kam zëvendësuar me misër gjë që ul kapacitetin e qumështit”- tregon fermer Busi.

Në vit një dele latacionin (prodhimin e qumështit e ka 350-400 litra. Një litër z. Busi e shet me 1100 lekë të vjetra tek fabrika e përpunimit.

Ajo që e shqetëson atë prej kohësh është pamundësia për të marrë subvencione nga shteti dhe aktualisht mungesa e likuiditetit për shkak të bllokimit ekonomik.

“Në 20 vite që unë e kam në dorë fermën, kam marrë nga shteti ndihmë vetëm një herë, një vit më parë 2,6 mln lekë të vjetra, shumë që plotëson veç shpenzimet e gjysmë muaji”- thotë ai.

Një problem tjetër në fushën e blegtorisë që ngre veterineri dhe sipërmarrësi Ervin Resuli është mos shitja e qengjave, kecave dhe viçave, teksa importohet mish i gjallë. Pandemia e bllokoi tregun, thotë ai, “teksa momenti më i mirë ishte festa e Pashkëve për të shitur, fermerët nuk kanë shitur asnjë kre”.

Teksa  të dhënat nga INSTAT tregojnë se në periudhën 1 janar 25 prill 2020 janë importuar 6991 krerë.

Sipërmarrësi Resuli thotë se punët e bujqësisë janë vërtet të lodhshme dhe jofitimprurëse, në të njëjtën kohë mungojnë politikat nxitëse dhe motivuese për të rinjtë, të cilët masivisht kanë nisur të largohen nga fshatrat drejt qyteteve ose edhe jashtë vendit që përpara Pandemisë.

Sipas fermerëve COVID-19 “i ka dhënë një shkelm të fundit bujqësisë dhe blegtorisë”.

Skema e ndryshuar e TVSH-së penalizuese fermerët

Edhe fermerët, si ata të fruta-perimeve dhe ata të qumështit pohojnë se prej tre vjetësh gjendja e tyre është përkeqësuar tërësisht.

Një vit më parë qeveria vendosi të ndryshonte skemën e TVSH-së për fermerët, e cila sipas tyre ka ndryshuar për keq tregun

Kryeministri Edi Rama do të theksonte në atë kohë se skema e rimbursimit të TVSH-së për fermerët ka pasur një defekt, pasi kanë përfituar më shumë pronarët e pikave të grumbullimit. “Për këtë arsye TVSH-në e inputeve do ta bëjmë nga 20 në 6% e do të ulim po ashtu edhe TVSH e rimbursueshme që kryesisht e kanë përfituar grumbulluesit. Kanë mungesë respekti për skemën pasi nuk e kanë ndarë me fermerët”, deklaroi kreu i qeverisë.

Por deri në 2018-n, a janë rimbursuar realisht fermerët? Kjo ka sjellë probleme pasi rimbursimin e fitojnë vetëm fermerët e regjistruar në regjistrin tregtar përmes një NIPT-i dhe të jesh person a subjekt i tatueshëm referuar bazës ligjore në fuqi.

Si funksionon skema e re e TVSH-së për fermerët

Sipas UDHËZIM Nr. 19, datë 3.11.2014  “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar” citohet se “Fermerët që i nënshtrohen kësaj skeme (rimbursimi), konsiderohen ajo kategori e prodhuesve bujqësorë të cilët nuk i nënshtrohen regjimit normal të TVSH-së për arsye se aplikimi i regjimit normal të TVSH-së krijon vështirësi administrative.”

Po në bazë të këtij udhëzimi, fermerët që janë objekt i skemës së kompensimit, duhet të pajisen me një certifikatë identifikimi (NIPT), lëshuar nga drejtoria rajonale tatimore ku ushtron aktivitetin fermeri për të përfituar nga kjo skemë, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim. (28 mijë fermerë janë të pajisur me certifikatë deri më tani sipas Ministrisë së Financave).

Fermerëve deri në 31 dhjetor 2018 i njihej TVSH-ja, por nuk ishin të detyruar ta paguanin. Pra fermerët përmes certifikatës janë toleruar nga TVSH-ja 20%, (jo rimbursuar) pasi ata nuk kanë qenë të regjistruar nën regjimin normal të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe nuk kanë pasur si të paguajnë 20% për çdo njësi prodhimi bujqësor të shitur sepse nuk ishin subjekt tatimor.

 

Por kjo skemë qeverisë i rezultoi abuzuese nga ana e grumbulluesve dhe eksportuesve, të cilët mendohet të kenë përfituar në vend të fermerëve përmes letrave fiktive, rimbursim TVSH-je mbi 100 milion Euro.

“Janë hapur një shumësi biznesesh të reja fiktive, magazina pa punëtorë. Thjesht për të blerë sasi të mëdha produktesh për t’i eksportuar që të përfitonin nga rimbursimi i TVSH-së”, shprehet një sipërmarrës në fushën e produkteve bujqësore.

Sipas sipërmarrësve të fushës agro, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së monitorimit nga ana e qeverisë.

Po çfarë ndodh me skemën e re të TVSH-së?

Për të gjitha produktet bujqësore në blerje do të njihet 6% e TVSH-së dhe në shitje 20%.

Sipas specialistëve të fushës, skema e re e TVSH-së shkel nenin 2 të ligjit për TVSH-në i cili detyron tatim mbi çdo vlere që i shton produktit.

“Skema me 6% në blerje dhe 20% në shitje të të njëjtit produkt deformon rëndë parimin e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, pasi operatori ndërmjetës përveç 20% tatim mbi vlerën që ai i shton produktit duhet të paguajë edhe 14% të vlerës së krijuar nga një operator tjetër (fermeri informal) para tij. Kjo është një goditje për një sektor që i jep ekonomisë së vendit 26% dhe projektligji është kaluar në errësirë të plotë nga vëmendja e grupeve të interesit”, thotë Uran Derri, financier.

Pas protestave të shumta të fermerëve në të gjithë Shqipërinë qeveria do të vendoste një rimbursim me 10 lekë/litër për qumështin.

“Maksimumi që ju do të humbnit ishte 5 lekë/litër. Por ne kemi vendosur ta kompensojmë 10 lekë/litër” deklaronte ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi  një vit më parë.

Por për të marrë atë 10 lekë/litër fermerëve u duhej qindra dokumente e burokraci, para dhe kohë e energji e humbur.

Mandej qeveria vendosi të ndryshojë skemën e subvecionit të fermerëve duke vendosur tavan rimbursimi.

Referuar vendimit të publikuar në fletoren zyrtare,masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë,

  • Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 (shtatëdhjetë) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt,
  • Për fermat me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt;
  • Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë)lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
  • Zëvendësimi i plastmasit termik për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive 300 000 (treqind mijë) lekë/ha dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.
  • Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

Po ashtu qeveria do të mbështesë ata që mbjellin bimë mjekësore aromatike, fermat organike, ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural, etj.

Shuma totale sipas të dhënave të Ministrisë së Financave këtë vit është njëjtë si vitin e kaluar, 7,4 mln lekë, që duke u nisur nga precedenca e vitit të kaluar, shpjegon eksperti për çështjet bujqësore Ervin Resuli, ishin të pamjaftueshme

Si do të funksionojë skema e re për fermerët?

Një blegtor me 10 lopë të cilat i mban për qumësht, me një mesatare prej 15 litra për krerë shet 150 litra qumësht në ditë, të subvencionuara për 2019 me 10 lekë për litër dhe do të mbështetej për 365 ditë. Nëse skema do të ishte e plotë, fermeri do të përfitonte 547.500 lekë të reja, një shumë e konsiderueshme për të bërë investime në një fermë me 10 lopë !

Për 2020-ën, po ky blegtor me 10 krerë lopë përfiton 100.000 lekë të reja, pra 447.500 lekë të reja më pak se në 2019.

Ervin Resuli i bën një analizë situatës duke evidentuar tre probleme kryesore:

  1. Subvencionime lëmoshë skema kombëtare për 2020 vetëm 5 milion euro, nga 25 që e ka Kosova.
  2. Fondi i Garancisë që në rast fatkeqësie natyrore s’u realizua kurrë për 2020 dhe s’u ekzekutua megjithëse jemi në një fatkeqësi natyrore kombëtare, Fermerët nuk bëjnë pjesë në mbështetjen e qeverisë për Covid-19 !
  3. Heqja e TVSH një barrë që fermerët s’po e mbajnë dot në qafë , premtim i pa mbajtur.

“Pasi qeveria i lemerisi duke i frikësuar e gjobitur fermerët dhe i pengoi të shkonin nëpër toka apo t’ju shërbenin kafshëve tani na i komplimenton si heronj të Covid-19 ! Në fakt Fermerët/Blektorët janë heronj në këtë Pandemi, megjithëse janë gjobitur dhe kanë humbur falë politikave të mbrapshta të ju personalisht Z. Ministër !”- thotë Resuli.

Por problematika po kaq të thekshme kanë edhe fermerët e fruta-perimeve

Covid-19, grumbulluesit e domateve për eksport abuzojnë me fermerët

Situata e krijuar nga pandemia e covid-19 ka bërë që shumë syresh të abuzojnë në tregje, po ashtu edhe tregtarët e domateve për eksport.

Fermerët e serave që prodhojnë domate e tranguj për eksport thonë se si kurrë më parë çmimi prej 100 lekë të reja/kg i domates nuk qëndroi në treg as 10 ditë.

“Ne nuk kemi asnjë informacion në lidhje me çmimet sepse i vendosin tregtarë të caktuar me klientë të mëdhenj të caktuar dhe  zotërojnë tregun. Na i kanë ulur çmimin e domates deri në 30-40 lekë/kg, teksa shpenzimet tona janë marramendëse”- thonë një prej tregëtarëve.

Gentian Ziu

Gentian Ziu nga Kutallia e Beratit ka 8 vite që punon serat e tij. Ai prodhon trangull me gjemba dhe  domate për eksport. 4 dynym trangull dhe 6 dynym domate.
Ai ka investuar në sera rreth 80 milion lekë të vjetra ndër vite me kredi, kursime e borxhe nga të afërmit.

Edhe ai i mëshon shqetësimit të likuiditetit duke thënë se ka tre vite që “jo që nuk fitojmë, por dalim me humbje. Nuk ka një fermer në republikë të mos e ketë shënuar emrin në listën e marrjes veresie në farmacitë bujqësore”.

Gjashtë vite më parë ai vendosi të shesë shtëpinë në Tiranë 40 milion lekë të vjetra për të investuar në fermë sepse “në atë kohë fermat bënin namin”.

“Ne po marrim fund nga dita në ditë dhe  nuk kemi asnjë mbështetje nga shteti. 1 milion lekë mua më bën vetëm plehërimi i serës për sezon. 400 mijë lekë plastmasi që amortizohet. Nafta dhe energjia që e paguaj si biznes. Vetëm dy ditë më parë mua më erdhën çmimet; 450 lekë/kg (të vjetra) kastraveci, 650-700 (të vjetra) lekë domatja. Ndërkohë që para një muaji kastraveci shkoi në 50 lekë të vjetra. Unë dhe shumë fermerë të tjerë e braktisëm kastravecin sepse nuk ia vlente.  Nuk i bëmë shërbim. Një dynym kastravec kërkon kosto ditore 50 mijë lekë të vjetra. Tani është rritur. Problemi nuk është i pandemisë në vetvete, por tek abuzimi i grumbullueseve”- thotë fermer Ziu.

Për Gentian Ziun grumbulluesit janë shfrytëzues të fermerëve, që “edhe në këto kohë krize nuk kanë hequr dorë”.

“Në Berat kanë qenë vetëm 5 pika grumbullimi, sot janë 20. Para ca ditësh u bë oferta e

Sera e kastravecave në pronësi të Gentian Ziut

majit. Ngrihet një pikë i bën ofertë boshnjakut 2 mijë euro më pak për trailer. Ai është tregtar i fuqishëm. Këtë çmim e shpërndan tek të gjithë dhe u ul çmimi në kurriz të fermerëve. Në Itali dhe rajon domatja është 2-3 euro, këtu 50-70 lekë/kg”- thotë Ziu.

Ai mendon se qeveria duhet të ndërhyjë, ndërkaq nga Ministria e Bujqësisë thonë se tregu është i lirë dhe  çmimin e vendos tregu, nuk mund të ndërhyjë qeveria.

“Ne nuk arrijmë të përfitojmë dot edhe  nga subvecionet sepse që kur i kanë ideuar, i kanë ideuar për ata që do të pastrojnë paratë. Fondet e IPARDIT, që të aplikosh dhe të hysh në skemë duhen dhjetëra dokumente, për të cilat studio të merr 4-5 mijë euro. Duhet të investosh me paratë e tua në jo më pak se dy dynym serë. Të ndërtosh 1 dynym serë është minimalisht 15 mijë euro. Unë dhe të ngjashmit e mi nuk aplikojnë dot. Ne kemi tre vjet që jemi për bukë goje”- shpjegon fermer Ziu.

Eduart Sharka

Eduard Sharka nga Sindikata e Bashkuar e Fermerëve sugjeron se qeveria duhet të ngrejë një zyrë informimi ose agjenca pranë Ministrisë së Bujqësisë e cila të bëjë analiza  tregu dhe  të afishojë  çmimet javore të produkteve me të cilat shet rajoni dhe vendet europiane me të cilat ne kemi shkëmbime tregtare, përndryshe thotë ai “fermerët do të vazhdojnë të humbasin siç po humbin. Vetëm tani në periudhën e pandemisë kanë humbur 30 % në çmim”.

Ndërkaq fermerët e fruta-perimeve nuk subvecionohen nga shteti, ashtu si fermerët e qumështit.

Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, do të shpjegonte se fokusi i qeverisë është tek blegtoria, pasi ky nënsektor i bujqësisë nuk përfiton nga TVSH zero e inputeve, në të kundërt me prodhimet fruta-perime.

Por fermerët vazhdojnë  të sakrifikojnë, edhe në javët e izolimit ata nuk e lanë tregun bosh dhe as ekonominë të lëngojë. Ata edhe pse në terr informativ mbi çmimet vazhduan të eksportojnë, prandaj, nisur nga kjo sjellje edhe eksperti i financave Arben Malaj, thotë se Shqipëria nuk ka rrezik për krizë ushqimore.

“Jo, s’ka asnjë risk për krizë ushqimore, aq më tepër për një vend si Shqipëria që duhet të jetë një eksportuese e përhershme . Lidhur me produktet ushqimore që nuk prodhohen në vend, aktualisht pak vende kanë vendosur bllokime të eksporteve, por biznesi shqiptar ka 30 vite eksperiencë, ka kontakte biznesi dhe bashkëpunim serioz. Ata njohin luhatjet e tregjeve, u paraprijnë risqeve të situatave jo të mira të prodhimeve apo çmimeve. Ajo që nuk duhet nënvleftësuar është që nga kjo krizë duhet të mësojmë. Duhet pa vonesë të hartojmë apo rishikojmë e përmirësojmë strategjinë kombëtare të sigurimit të ushqimit dhe të sigurisë ushqimore.”- thotë Z. Malaj.

Por, sipas INSTAT, situata e shkaktuar nga përhapja e Covid-19 ka shkaktuar dëm të në tregtinë e jashtme.

Në muajin mars kanë rënë ndjeshëm si eksportet, ashtu edhe importet.

Eksportet e mallrave arritën vlerën 18 Miliard lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me muajin Shkurt 2020.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu