Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Transporti urban, “i shëruari” i fundit i pandemisë?

Mëngjeset tanimë janë të pazakonta për Eljesa Kushtën, që në momentin kur u rikthye në punë në kohën e pandemisë. Tashmë përveç kujdesit ndaj higjenës dhe distancimit fizik, duhet të përballet me një tjetër sfidë, atë të ecjes në këmbë për më shumë se një orë. Ai banon në lagjen e quajtur Vilat Gjermane, pranë qytetit studenti, ndërkohë që i duhet të përshkojë qytetin në këmbë deri në mbërritje në vendin e punës që ndodhet në Zogun e Zi, ku punon si agjent marketingu.

“Më herët, kur akoma nuk ishin vendosur masat drastike për të kufizuar lëvizjen e lirë , rruga nga shtëpia për në punë më shkonte jo më shumë se 25 minuta në fluks lëvizjeje. Më duhej të ndërroja dy urbane dhe ishte kthyer në ritual të përditshëm. Tani eci një orë vajtje dhe një orë ardhje“-rrëfen ai për Citizens Channel.

Ky ritual i ri është krijuar si pasojë e mungesës së transportit publik, i cili që prej datës 12 mars 2020 është pezulluar si pjesë e masave ndaj COVID-19, deri në përmirësimin e situatës. Të vetmit që kanë përfituar nga transporti urban përgjatë këtyre dy muajve kanë qenë mjekët dhe infermierët.

Orkida Tagani, infermiere pranë spitalit Amerikan 3, shkon çdo ditë në punë në këmbë , nga Tregu Elektrik në Kombinat. Ajo tregon për Citizens Channel se i duhet të zgjohet në mëngjes më herët se zakonisht, në mënyrë që të mbërrijë në orar në punë .

“Rruga për në punë më shkon 60 minuta në këmbë. Më parë, kur përdorja urbanin, shkoja në punë për jo më shumë se 10 minuta, pasi përdor linjën Kombinat -Kinostudio dhe është linjë që ecën shpejt”,-tregon infermieria Tagani.

Megjithatë kjo rutinë tashmë prej dy muajsh në mungesë të transportit publik, për të është kthyer në një ndjenjë përgjegjshmërie më të lartë për të respektuar orarin.

Në punë arrij më herët tani, sepse dal nga shtëpia 1 orë e 30 minuta para orarit zyrtar të  punës. E llogaris gjithmonë që të jem më herët”,– përfundon infermieria.

Njëjtë me Eljesën dhe Orkidën, Amarildo Koçiu “ka hequr dorë ‘ nga transporti urban duke përshkuar çdo ditë rrugën për në punë në këmbë. Ai tregon për Citizens Channel se këtë e bën vetëm në këto kushte, pasi më herët përdorte transportin publik.

“Unë banoj te Vilat Gjermane. Punën e kam në bllok, punoj në call center dhe puna nuk na është ndalur këtë periudhë pavarësisht virusit. Rruga për në punë më merr diku te 50 minuta vajtje dhe po aq kthim në shtëpi. Isha mësuar me urban në fakt, se ashtu shkoja çdo ditë në punë , se tani që po e bëj rrugën në këmbë 40-50 minuta. Nuk janë shumë, për ne që jemi edhe të rinj’,- shprehet ai.

Transporti urban dhe sfidat e pandemisë

Tirana ka 16 linja urbane, të cilat ofrojnë shërbim të transportit të qytetarëve brenda qytetit dhe zonave lidhëse përreth. Tre nga këto linja, përkatësisht linja e Tiranës së Re, ish Uzina Autotraktori dhe linja e Tufinës janë nën menaxhimin e kompanisë Albatrans.

Sipas kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Rixhin Qoshja, në tre linjat që menaxhon kompania Albatrans janë të punësuar gjithsej 270 punonjës, ndërsa në të gjithë transportin publik në Tiranë, janë të punësuar 1500 persona.

Pezullimi i punës së transportit publik në Tiranë dhe në të gjithë vendin, ashtu si edhe në shërbimet e tjera ka sjellë dëme ekonomike dhe papunësi gjatë dy muajve që po lemë pas nën frikën e pandemisë. Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas shprehet për Citizens Channel se dëmi ekonomik dhe numri i të papunëve është i konsiderueshëm në këtë shërbim publik.

Humbjet monetare janë rreth 3 milion euro në të gjitha linjat e transportit në Tiranë, ndërsa 90 % e punonjësve janë të pezulluar për sa kohë nuk është e mundur për të ushtruar aktivitetin“,-tha drejtuesi Qoshja.

Referuar njoftimeve të kryera nga Qeveria, sektori i transporti publik është një nga përfituesit e “pagës së luftës” gjatë kësaj periudhe pandemie.

Rixhin Qosja, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas

Do të publikojmë fillimjavën e ardhshme, paketën e zgjeruar të mbështetjes financiare, për të lehtësuar drejtëpërdrejtë:

Bizneset e vogla që edhe pse nuk u mbyllën gajtë kësaj periudhe, u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës, si për shembull agjenci turistike, rrobaqepsi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektricistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të licensuar, etj. Përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të trasnportit urban e punonjësit e tyre…“- u shpreh Kryeministri Rama në një nga njoftimet e shpeshta në rrjetin social Facebook.

Megjithatë, pavarësisht se  kanë kaluar dy muaj nga pezullimit të transportit publik, punonjësit akoma nuk kanë përfituar pagat e luftës, duke mos pasur asnjë burim ekonomik përgjatë pandemisë.

“Ende sot asnjë nuk i ka marrë pagat e luftës. Statusi tek sistemi e-filing është i miratuar, por transfertat janë në pritje”,-tha për Citizens Channel, Rixhin Qoshja.

Deri më tani nuk ka akoma një vendim se kur do të fillojë puna për transportin publik, si dhe për kostot apo mënyrën si do të kryhet higjienizimi i vazhdueshëm i mjeteve gjatë përdorimit, duke lënë pezull këtë shërbim për mijëra qytetarë në Tiranë.

Ne jemi në pritje të protokollit të sigurisë nga Ministria e Shëndetësisë. Në bazë të këtij protokolli do të bëjme llogaritjet për të kuptuar se sa do të na kushtojë. Të gjithë mjetet që ne disponojmë janë të higjienizuar nga vetë kompania‘,-përfundoi Qoshja.

Deri sa të ketë një njoftim zyrtar për rifillimin e transportit publik, akoma nuk ka një plan konkret edhe për shkurtimin e vendeve të punës që mund të sjellë pas-pandemia.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *