Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Trualli i Teatrit i kaloi Bashkisë; Çfarë u fol më pas? Reagime dhe kundër reagime

Me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave, qeveria i transferoi të premten Bashkisë Tiranë pronësinë e truallit të Teatrit Kombëtar dhe hapësirën përreth. Ky është hapi i fundit i një kalvari të gjatë vendim marrjesh, tërheqjesh dhe ndryshimesh që ka nisur që prej vitit 2018.

Vendimi u ndoq një ditë më pas me reagimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili  paralajmëroi dërgimin e një kërkese të re në Gjykatën Kushtetuese dhe i quajti veprimet që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar si “sinjali më i keq i bashkëpunimit midis qeverisë dhe vlerave të Bashkimit Evropian”.

Po të njëjtën ditë, Kryebashkiaku Veliaj, i cili kishte reaguar më parë duke thënë se Teatri do të bëhet me para publike që do të merren me kredi, ritheksoi qëndrimin e tij gjatë një dalje mediatike në ujësjellësin e Bovillës. Veliaj theksoi se Teatri nuk është godina e më tej bëri thirrje për shpëtimin e arkivave e iu përgjigj presidentit duke iu referuar gabimisht “një prej shumë shfaqjeve të Shekspirit”.

Kreshnik Merxhani, arkitekt dhe aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, shpjegoi se nuk ka asnjë të vërtetë në pohimin e kryebashkiakut Veliaj se tani që ra bashkëpunimi me privatin, bie edhe kauza e teatrit. Ai bën një paralelizim poetik të situatës aktuale me vepren poetike të Andersonit “Rrobat e reja të perandorit” ku e vërteta lakuriqe thuhet në sy edhe pse mundohen ta fshehin me lloj lloj justifikimesh.

Edhe Doriana Musai, arkitekte, përmes një postimi në “Facebook” ka ngritur një sërë pyetjesh mbi çfarë do të ndodhe me truallin e Teatrit Kombëtar, duke e quajtur çështjen si “mashtrimi i madh i Tiranës”.

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, ka reaguar ndaj këtij zhvillimi duke e cilësuar si tentativë për të shembur trashëgiminë. Ata kanë deklaruar se çdo tentativë për shembjen e Teatrit përbën shkelje të rëndë në formë krimi, dukë vlerësuar si të vetmen zgjidhje restaurimin e godinës.

Akademiku Artan Fuga ka ngritur disa pyetje në një postim në rrjetet socialepas VKM-së për ndryshimin e pronësisë së truallit të Teatrit, duke parë si zgjidhje të vetme tani referendumin lokal, si një vendim politik që i shërben qytetarëve.

Përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë reaguar me fjalime të mbajtura pranë godinës së Teatrit, duke e parë këtë fazë ndryshimi në legjislacion si vazhdimësi të rezistencës së tyre që vijon për më shumë se dy vite.

Aktori Neritan Licaj është shprehur për Citizens Channel se ata do të vazhdojnë betejat ligjore, do çojnë kallëzime penale për abuzimet dhe gjithë veprimet antiligjore që janë bërë si dhe do vazhdojne rezistencën në bashkpunim me qytetarët dhe ndërkombëtarët.

Juristja Adriana Kalaja ka deklaruar për Citizens Channel se VKM Nr.377 është në shkelje të Kushtetutës dhe është kryer me veprime ekstra ligjore përsa kohë Teatri Kombëtar ka karakter dhe aktivitet për gjithë Shqiperinë dhe jo vetëm për Tiranën.

“Nëse shikojmë nenin 3 të Ligjit Special, objekti i tij është ndërtimi i Teatrit të Ri me PPP. Në lidhje me këtë pikë sqaroj se ligji shfuqizohet me vendim nga parlamenti dhe me vendim nga Gjykata Kushtetuese.Në keto kushte nuk mund të bie një ligj vetëm se del Kryetari i Bashkisë dhe thote ne u terhoqëm nga ndërtimi i teatrit të ri me PPP” citon ajo.

Adriana Kalaja

“Përsa i perket tenderit të teatrit të ri, ne mendojme se janë shkelur të gjithë procedurat e përcaktuara në VKM Nr.352 date 04.04.2019. Së pari, nuk ka asnjë transparencë në lidhje me pagesën e sigurimit të kontratës si kusht kualifikues për të shkuar te kushtet vlerësuese dhe ne fund te negociatat. Së dyti, nga ana e Komisionit nuk janë publikuar njoftimet për konkurim duke i hequr mundesinë konkurrentëve të tjerë për të hyrë në garë” përfundon Kalaja.

Kauza e Teatrit Kombëtar përmes ngjarjeve

Teatri si kauzë nisi në momentin kur filloi zhvendosja e materialeve, që do t’i hapte rrugë prishjes së godinës.

Qeveria Shqiptare miratoi në shtator të 2018 ligjin special për Teatrin Kombëtar i cili i jepte mundësinë një pale private të ndërtonte teatrin bashkë me zhvillimin e zonës përreth tij. Ky ligj u kthye dy herë në kuvend nga presidenti Meta, pasi sipas tij binte ndesh me parimet kushtetuese të vendit dhe marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Kthimi i ligjit nga Presidenti u konsiderua nga kryebashkiaku veliaj si një veprim “palë me partitë politike”. Pas diskutimeve publike dhe thirrjeve drejtuar ndërkombëtarëve nga aktivistët ,në shtator, Komisioni Evropian me anë të një letre drejtuar Qeversië u shpreh se nuk ka kompetenca për të gjykuar ligjin special, por i kërkoi qeverisë të lejojë konkurrencën.

Më 26 prill 2019, punëtorët e bashkisë hoqën shkronjat në fasadën e Teatrit. Brenda pak ditësh, me kontributet e qytetarëve, u mundësuar blerja e gërmave të reja për teatrin.

Në janar të vitit 2020, Europa Nostra, një organizatë ndërkombëtare ne mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Evropë, u bëri thirrje drejtuesve shqiptarë të mënjanohen nga vendimi për të ndërtuar një teatër të ri në vend të atij ekzistues.

Në mars të 2020, Teatri kombëtar shpallet zyrtarisht një prej 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë, sipas Europa Nostra.

Çeshtja e teatrit Kombëtar ka kaluar ndër të tjera përmes një udhe pa transparencë, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për të pasur informacion mbi procedurat e ndërmarra gjatë këtyre dy viteve, me qëllim prishjen e godinës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *