Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit depozituan sot një padi për shpërdorim detyre ndaj tre prej ekspertëve të Institutit të Ndërtimit, që firmosën akt ekspertizën vënë në dispozicion Bashkisë Tiranë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Ne u nisëm nga Teatri Kombëtar për të ardhur në prokurori, në një marshim drejt drejtësisë, për t’i thënë qeverisë se demokracia dhe drejtësia nuk janë një turravrap drejt fitimit”, u shpreh regjisori Robert Budina.

Ata pretendojnë se këta tre ekspertë kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë publikuar një raport pa qenë asnjëherë në objekt për të bërë vlerësimin.

“Dokumenti mban datën 11 Maj, por që në korrik 2019 Aleanca ka qenë në Teatër 24 orë në 24. Nuk mund të bësh një vlerësim të strukturës pa e verifikuar. Këta inxhinierë kanë prodhuar fakte të rreme dhe për sa kohë kanë abuzuar me provat dokumenti është i pabazuar në ligj”, tha Doriana Musai, arkitekte.

Aktivistët thonë se akti është “copy-paste” i ekspertimit të Institutit të Ndërtimit realizuar në vitin 2018. Ky është dokument i përdorur nga qeveria për miratimin e ligjit special, i cili parashikonte t’i jepte një firme private sipërfaqe të tokës për ndërtimin e kullave shumëkatëshe, në shkëmbim të një godine të re teatri.

Qeveria shqiptare u tërhoq më vonë nga ky plan, por aktivistët ngrenë dyshime për akt ekspertimin i cili po ri-përdoret, i firmosur nga të tjerë ekspertë.

“Pavarësisht prezencës apo jo të ekspertëve, ajo në të cilën janë mbështetur gjithë këto grupe e ka zanafillën tek raporti i 2018- që nuk ka asnjë analizë laboratorike dhe asnjë analizë matematikë për të llogaritur qëndrueshmërinë e objekti. E gjitha kjo bën që edhe ai dokument të jetë i pavlefshëm”, tha Astrit Seranaj, arkitekt.

Aktivistët thonë se kjo është një akuzë direkte ndaj disa personave dhe se nuk duhet të ndërmerret asnjë veprim pa pritur hetimin e prokurorisë. Ata njëkohësisht i kanë bërë thirrje qeverisë të presë vendimin për dy çështjet e dërguara nga Presidenti i Republikës në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk kemi gjykatën kushtetuese, të cilën e kanë shkrirë vetë, nuk e shkriu as perëndia as shiu. Dhe meqënëse e kanë shkrirë vetë kanë përgjegjësi të dyfishtë për të pritur vendimin e saj”, tha Ervin Goci.

Teatri Kombëtar – Përmbledhje e ngjarjeve në 2 vite

Qeveria Shqiptare miratoi në shtator të 2018 ligjin special për Teatrin Kombëtar i cili i jepte mundësinë një pale private të ndërtonte teatrin bashkë me zhvillimin e zonës përreth tij. Ky ligj u kthye dy herë në kuvend nga presidenti Meta, pasi sipas tij binte ndesh me parimet kushtetuese të vendit dhe marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Kthimi i ligjit nga Presidenti u konsiderua nga kryebashkiaku veliaj si një veprim “palë me partitë politike”. Pas diskutimeve publike dhe thirrjeve drejtuar ndërkombëtarëve nga aktivistët ,në shtator, Komisioni Evropian me anë të një letre drejtuar Qeverisë u shpreh se nuk ka kompetenca për të gjykuar ligjin special, por i kërkoi qeverisë të lejojë konkurrencën.

Më 26 prill 2019, punëtorët e bashkisë hoqën shkronjat në fasadën e Teatrit. Brenda pak ditësh, me kontributet e qytetarëve, u mundësuar blerja e gërmave të reja për teatrin.

Në janar të vitit 2020, Europa Nostra, një organizatë ndërkombëtare ne mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Evropë, u bëri thirrje drejtuesve shqiptarë të mënjanohen nga vendimi për të ndërtuar një teatër të ri në vend të atij ekzistues.

Në mars të 2020, Teatri kombëtar shpallet zyrtarisht një prej 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë, sipas Europa Nostra.

Çështja e teatrit Kombëtar ka kaluar ndër të tjera përmes një udhe pa transparencë, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për të pasur informacion mbi procedurat e ndërmarra gjatë këtyre dy viteve, me qëllim prishjen e godinës.

Në 8 Maj qeveria i kaloi përmes një VKM-je Teatrin Kombëtar, pushtetit lokal të Tiranës, duke përcaktuar në të njëjtin dokument dhe qëllimin.

Dje u publikua vendimi i një mbledhje të pa lajmëruar të Këshillit Bashkiak ku u votua online vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e godinës së re.

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu