Ishte viti 2018, kur kompania private “Fusha Sh.p.k” paraqiti propozimin në formë oferte të pakërkuar, për një projekt që parashikonte shembjen e Teatrit Kombëtar dhe disa kulla shumëkatëshe në truall publik, në shkëmbim të një teatri të ri.

Përmes një ligji special, në Kuvend u miratua kërkesa e firmës “Fusha Sh.p.k”, e cila “garonte” e vetme në marrjen e truallit. Parlamenti ngriti kartonat për ligjin e parë në Shqipëri që mbante të shkruar emrin e një firme private.

Presidenti Meta dy herë radhazi e ktheu në Kuvend këtë ligj, duke renditur argumentet pse nuk ishte ligjore dhënia e një territori publik një subjekti privat, pa garë. Pas një debati të gjerë dhe këmbënguljes së aktivistëve, Komisioni Evropian gjithashtu kërkoi amendimin e këtij ligji, i cili favorizonte vetëm një subjekt, duke kërkuar hapjen e një gare për firmat e tjera.

Nga ana tjetër, qytetarë dhe aktivistë ishin mobilizuar duke krijuar grupimin “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” (anëtarët e së cilës u arrestuan dhe dhunuan nga policia). Grupi i përbërë fillimisht nga një rrjet i gjerë artistësh zhvillonte kështu takime të përjavshme, për t’u kthyer më pas në të përditshme, në kundërshtim të shembjes së Teatrit Kombëtar.

Me 26 prill 2019, punëtorët e bashkisë hoqën shkronjat në fasadën e Teatrit. Brenda pak ditësh, me kontributet e qytetarëve, u mundësuar blerja e gërmave të reja.

Dy muaj më vonë, forca të shumta policore zbarkuan në sheshin e këtij teatri me qëllim zbrazjen dhe më pas shembjen e tij. Qytetarët u organizuan dhe arritën ta shpëtonin e të merrnin në dorë godinën.

Forcat e policisë rrethojnë Teatrin Kombëtar, artistë dhe qytetarë ngujohen brenda

Brenda së njejtës javë u përsërit tentativa e dytë për ta shembur teatrin. Edhe asaj here, forcat policore u hasën në rezistencën e të pranishmëve, çka çoi në largimin e përkohshëm të tyre.

Organizimi më pas vijoi me çeljen e siparit të sallës së Teatrit Kombëtar, që shënoi veprën e parë në atë skenë, një vit pasi Qeveria e kishte mbyllur atë. Monodrama quhej “Marr guximin” nga Mehdi Malka.  Jetësimi i skenës vijoi me shumë vepra të tjera, në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit.

Forcat e policisë rrethojnë Teatrin Kombëtar, artistë dhe qytetarë ngujohen brenda

“Festivali për Mbrojtjen e Teatrit”, nje organizim vullnetar artistësh dhe aktivistësh, mbajti dhjetëra shfaqje nga artistë shqiptar e të huaj.

Në muajin mars të këtij viti, Europa Nostra e kategorizoi Teatrin Kombëtar si një nga shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë dhe përcollën lajmin se ata do të siguronin gjetjen e fondeve për restaurimin e tij.

Qytetarët “Marrin guximin” për të rihapur dyert e Teatrit Kombëtar

 

Kundrejt thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare për zhvillim dialogu dhe ruajtje të trashëgimisë, fillimi i muajit maj shënoi lëvizjet e radhës drejt shembjes së ndërtesës historike. Në tetë maj, Qeveria ia kaloi Bashkisë Tiranë pronësinë e Teatrit Kombëtar, me anë të një VKM-je.

Shembja e Teatrit Kombëtar, reagojnë institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare

Pesë ditë më vonë, Instituti i Ndërtimit kreu një akt-ekspertizë ku dolën në përfundimin se materialet e përdorura janë të një cilësie të dobët dhe kësisoj, mund të sjellin dëme në jetë njerëzish dhe u rekomandua shembja e saj.

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit depozituan një padi për shpërdorim detyre ndaj tre prej ekspertëve të Institutit të Ndërtimit, që firmosën akt-ekspertizën vënë në dispozicion Bashkisë Tiranë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

AMT kallëzon penalisht tre inxhinierë të Institutit të Ndërtimit: “Firmosën akt-ekspertimin pa ardhur asnjëherë në objekt”

 

Ata pretendojnë se këta tre ekspertë kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë publikuar një raport pa qenë asnjëherë në objekt për të bërë vlerësimin.

Të nesërmen, Këshilli Bashkiak, votoi shembjen e Teatrit Kombëtar. Kjo bëri që mobilizimi i qytetarëve dhe vigjilenca të shtohej. Dhjetëra aktivistë vërshuan drejt teatrit dhe u gjobitën për thyerje të Aktit Normativ.

“Klithmat e fundit të Teatrit Kombëtar”

 

Këtë të diel, në orën 4.30 të mëngjesit kjo godinë u gjend sërish e rrethuar, për ta çuar në fund atë çfarë u nis dy vite më parë. Gjatë kësaj dite janë shënuar përplasje të dhunshme me policinë, e disa prej këtyre efektivëve kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, teksa disa prej tyre janë shoqëruar në polici.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu