Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta për Teatrin Kombëtar; qytetarët kërkojnë përgjegjësi penale për shembësit

Qindra qytetarë i janë përgjigjur sot thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, duke mbushur sheshin pranë hyrjes së pedonales. Mes parrullash dhe mesazhesh, qytetarët shprehën kundërshtinë e tyre për shembjen e godinës së Teatrit.

Ndërkohë që qindra forca policie ishin në gatishmëri, artistët dhe aktivistët e bënë të qartë që nuk dëshironin asnjë akt dhune apo konflikt me forcat e rendit. Ata denoncuan njëzëri dhunën e ushtruar dje nga policia, si edhe bënë thirrje organeve të drejtësisë për të vendosur përpara përgjegjësisë penale Kryeministrin Rama dhe Kryebashkiakun Veliaj.

Artistë, aktivistë dhe mbështetës u ngjitën në podiumin e improvizuar për të shprehur rezistencë dhe devotshmëri të kauzës së Teatrit, e cila ka nisur më shumë se dy vjet më parë.

Regjizori Robert Budina e konsideroi pjesëmarrjen e qytetarëve të pabesueshme, duke i falenderuar që për dy vite e tre muaj kanë qenë përkrahës i artistëve në mbrojtje të Teatrit.

“E kemi ditur gjithmonë që marshimi drejt demokracisë është një maratonë shumë e gjatë, ndaj kemi ndenjur dy vjet e tre muaj në sheshin e Teatrit Kombëtar , jo thjesht për të mbrojtur Teatrin Kombëtar , për të mbrojtur vlerat e kulturës , vlerat e qytetarisë, dinjitetin e nëpërkmëbur të shqiptarëve , dhe këtë mund ta bënte vetëm kultura”,-u shpreh ai.

Robert Budina

Aktori Neritan Licaj, i cili u shoqërua në komisariat ditën e mësymjes së forcave policore në Teatër, mori fjalën duke kërkuar ndjesë përzërin e ngjirur, me simbolikën se tashmë ai zë kishte mbetur në Teatër.

“Në atë skenë krimi aty, ka mbetur zëri im dhe një pjesë e imja, por ka mbetur pjesa ime më e mirë, pjesa ime më e fortë , që është bërë jashtëzakonisht e mirë tani, edhe që thme fali zot se s’dinë c’bëjnë. Por jam i bindur që në atë skenë krimi aty janë edhe dy kufoma politike, Rama, Veliaj.

Më vjen keq vetëm për një gjë, Nuk më vjen keq për ao dy kufoma politike sepse e kërkuan vetë, por më vjen keq që ato dy kufoma politike do të ndyjnë edhe atë pjesë të mirë që është varrosur bashkë me ta aty. Por pjesa ime e mirë mbetet e lirë dhe ka fituar mbi ato”,- u shpreh Licaj.

Kori i qytetarëve, i cili thërriste “Poshtë diktatura!”, ngjiti në podium artistin Mehdi Malkaj, teksa jepte shpresë se Teatri nuk kishte vdekur.

“Teatri nuk ka vdekur, është këtu. Këtu te neve në fillim doli banda. Pastaj doli anti-kontrabanda. Pastaj anti-anti- kontrabanda. Domethënë, ky vend  do të rregullohet kur të zhduken këto të treja. Dhe që banda, kontrabanda dhe anti-kontrabanda të zhduken, së pari duhet vendosur demokracia”,-përfundoi Malkaj mes duartrokitjesh nga qytetarët.

Mes aktivistëve që morën fjalën ishte edhe analisti Fatos Lubonja, i cili ndër të tjera kërkoi nxjerrjen para gjyqit të përgjegjësve të shembjes së Teatrit.

Përtej entuziasmit, duhet te mendojmë thellë dhe gjatë se si duhet të veprojmë për tu cliruar nga kjo bandë kriminale që ka kapur shtetin. Secili nga ne duhet te kete nje projekt në kokë dhe ky projekt duhet të fillojë me një protestë dhe kërkesë të vaazhdueshme për nxjerren përpara gjyqit , për këtë shkatërrim të pronës publike. Ne duhet të kërkojmë sot dorëheqjen e Erion Veliaj të parin. Ne duhet të protestojmë para Prokurorisë, e cila para dokumentave të qarta të krimit të shkatërrimit të pronës me dashje, këta duhet të japin llogari”.

Ligjërimet e aktivistëve u ndërprenë një moment pasi u hodhën shashka, por aktivistët e Aleancës për Mbrotjen e Teatrit kërkuan vazhdimisht qetësi dhe jo konfrontim me policinë.

Për aktivisten Adriana Kalaja, kjo është një luftë për të ardhmen e fëmijëve, pasi duke shembur teatrin dhe duke shembur të gjithë Tiranën, po prishet kujtesa jonë.

Thirrje të shumta u bënë në drejtim të policisë për lirimin e aktivistëve, të cilët mbahen akoma në ambjentet e policisë së shtetit.

Sipas juristit Adriatik Lapaj, sjellja e policisë ka qenë e kundraligjshme.

Ligji nr.108 i vitit 2014 për policinë e shtetit. Në nenin 17 përcakton se detyrë e saj është të mbrojë jetën , shtetin, pronën publike dhe private, të ruajë rendin dhe sigurinë publike. E bënë ata dje Po apo Jo?“,-u shpreh Lapaj teksa merrte miratimin nga qytetarët.

Teatri kombëtar u bë pjesë e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë, në listën e Europa Nostra, e cila do të vinte në muajt në vijim për të bërë vlerësimet përkatëse për restaurimin. Sot një nga qytetarët e pranishëm përshëndeti në emër të organizatës Europa Nostra.

“Kur u thashë atyre që njerëzit janë duke qarë me lot, përgjigja ishte: jemi duke qarë edhe ne bashkë me ju“.

Regjizori Edmond Budina në fjalën e tij e konsideroi datën e shembjes së godinës së Teatrit të qëllimshme.

“Teatri rron, teatri nuk vdes. Në Shqipëri nuk do të vendoset më kurrë diktatura. Është e neveritshme kjo që ndodhi, shembja e Teatrit Kombëtar. Ka dicka që shumë pak njerëz e dinë. Në 17 maj të vitit 1945 u themelua teatri profesionist. Dhe në 17 maj, mafia në bashkëpunim me pushtetin e shëmbi Teatrin. Ata që deshën ti bënin varrin Teatrit Kombëtar, ata do të kenë varrin e tyre politik në këtë teatër”,-përfundoi Budina.

Në përfundim Budina kërkoi nga qytetarët reflektim duke mbajtur një minutë heshtje.

“Një minut heshtje reflektoni dhe të bërtasim rroftë Teatri! Rroftë Shqipëria! Rroftë Demokracia!”,-ndërsa qytetarët iu bashkuan njëzëri.

Pas përfundimit të protestës, qytetarët u kujdesën të pastronin sheshin ku mbajtën ligjërimet.

Godina e Teatrit Kombëtar u shemb të djelën e 17 majit në orët e para të mëngjesit, teksa dhjetra aktivistë që po qëndronin brenda tij u nxorën me dhunë nga policia dhe u shoqëruan në komisariat. Jashtë godinës u mblodhën qytetarë dhe aktivistë që ishin kundër shembjes së tij, prania e të cilëve u shoqërua shpeshherë me konflikte mes tyre dhe policisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *