Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pas shembjes së Teatrit aktivistët nisin peticionin: “Ta rindërtojme aty ku ishte, ashtu siç ishte”

Pasditen e sotme,  u mbajt protesta e tretë që pas shembjes së Teatrit Kombëtar në orët e para të së dielës. Në hyrje të pedonales, tashmë të kthyer në shesh proteste, përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) dhe aktivistë të shoqërisë civile mbajtën fjalime që dënonin përgjegjësit e shembjes së teatrit.

Aktori Neritan Liçaj teksa u ngjit në podium u shpreh se demokracia është kur del para popullit tënd dhe ja thua të vërtetat në sy:

” Këto janë kredencialet e Aleancës, një grupim njerëzish që e pati zemrën e pastër, që diti të reagonte edhe pse na sulmuan politikisht, edhe pse na sulmuan forcërisht, edhe pse na kanë masakruar. Ne këto kredenciale kemi. Dashuri për gjërat që besojmë, dashuri për këtë vend. Kush do ti bashkohet kredencialeve qytetare, njerëzore të bashkohet”.

Aktori Mehdi Malkaj në fjalën e tij u shpreh falenderues ndaj teatrove në Kosovë për mbështetjen që treguan . Në Prishtinë u realizuan disa marshime të heshtura për tu solidarizuar me kauzën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

“Dua të përshëndes të gjithë kolegët tanë në Kosovë ngaqë na mbështetën. Mos jua paçim kurrë këtë borxh. Dua të përshëndes Teatrin që kemi në Shkodër, i vetmi në Shqipëri . Kemi dhe teatro të tjera po se pse janë të urtë, të heshtur. Edhe Durrësin, më thonë ,të tjerët nuk e di”,-u shpreh Malkaj.

Për Robert Budinën fitimi i demokracisë kërkon edhe më shumë angazhim se sa ka pasur deri më tani:”Kemi ndenjur dy vjet e tre muaj në Teatrin Kombëtar për të mbrojtur vetëm një godinë. Imagjinoni sa duhet të rrimë për të fituar demokracinë”.

Në vijim të fjalës së tij, Budina lexoi një deklaratë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ku shpjegohej me detaje se si u sulmua sipas tyre godina e Teatrit me njerëz të armatosur dhe nisja e shembjes së godinës duke mos marrë parasysh se brenda godinës kishte akoma njerëz.

“Këtu drejtësia ka marrë fund. Kontrata me shteti është thyer. Qytetari shqiptar ka mbetur në mëshirë të fatit. Po jetojmë në një gjendje natyrore primitive ku forca është i vetmi mjet veprimi dhe komunikimi. Pse mbërritëm deri këtu? Sepse kanë rënë institucionet . Tani fjalën e keni ju”,- thuhej më tej në deklaratë.

Në përfundim të deklaratës Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkoi daljen para drejtësisë të përgjegjësve të shembjes së godinës.

“Ne kërkojmë me urgjencë daljen para drejtësisë porositësi i sulmit nda aktivistëve dhe ndërtesës. Ekzekutuesi i këtij vendimi, njësia që e kreu krimin , institucioni që duhej të mbronte ndërtesën e kulturës , institutin e monumenteve që e la të shkatërrohej dhe një monument kulture që nuk ka dalë asnjëherë nga lista e monumenteve. Të gjithë drejtorët e pushteti lokal që kanë vënë firmën mbi një raport të pakryer asnjëherë”,-përfundonte deklarata.

Lirohen aktivistët e arrestuar:

Bojken Abazi, drejtuesi  Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri iu rikthye protestës pasi qëndroi në komisariat për rreth 72 orë.
“Një nga lajmet më të mira që merrnim kur ishim në paraburgim ishte që protesta të vazhdonte që i jepte kuptim rezistencës së ditës diel, ku unë besoj në këtë shesh u vra frika, që u munduan të instalonin me armë zjarri, me forcat speciale që i hapën rrugën shembjes së teatrit”, tregon ai për Citizens Channel.

Ai u lirua sot nën masën detyrim paraqitje, ndërsa dy prej protestuesve u lanë në arrest shtëpie.

“Sot kemi qenë në gjykatë, ka qenë një situatë tragji-komike, shumica nga ne u akuzua pa asnjë provë, u mbajt në procedim penal në një moment ku prokurori nuk i paraqiti gjyqtarit asnjë provë, asnjë fotografi. Nuk ka asnjë dyshim që personat që vazhdon të mbahen, të cilëve iu caktua arrest shtëpiak, janë sot të përndjekur politikë”, vijon Abazi.

Shtatë persona u mbajtën të ndaluar që prej ditës së diel, ndërkohë që procedimi ka nisur edhe për aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) , si organizatorë të protestës ditën e hënë.

Peticion: “Ta rindërtojmë Teatrin Kombëtar, aty ku ishte, ashtu siç ishte”

Në të dy anët e podiumit të improvizuar ishin vendosur tavolina me peticionin që u firmos nga qytetarët e pranishëm për të ndërtuar teatrin sërish sikundër ishte në fillim.

“Njerëzit janë më se të gatshëm për ta firmosur, madje janë të gatshëm edhe për të vendosur Lekë në mënyrë që ai të rindërtohet. Ne paratë i kemi, por qeveria nuk do ta ndërtojë, do ta shohim çfarë do ndodhë”, tregon i riu Daniel Budina, i cili qëndronte në një nga tavolinat duke ndihmuar qytetarët që firmosnin peticionin.

Sipas përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit vetëm gjatë ditës së sotme janë mbi 2000 qytetarë që firmosën.

Foto: Qytetarë duke firmosur peticionin

Për Ergys Mërtirin, ekziston një mundësi që Teatri Kombëtar të ri ngrihet më i mirë: “Këta mendojnë se i vunë fadromën dhe gjithçka ka mbaruar, por ajo çka ne kërkojmë dhe çka është e mundshme të bëhet është se çdo godinë edhe mund ta rrënosh fare por planimetritë janë, projekti është dhe mund të ringrihet, madje madje mund të shfrytëzojmë rastin ta bëjmë sic ka qenë në kohën e Italisë”

AMT lajmëron nisjen e një fushate kombëtare për çështjen e Teatrit:

Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit deklaruan se duke nisur nga dita e premte, do të nisin një fushatë takimesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

“Ne do jemi në terren, do të shpërndahemi në qytete të ndryshme, do të çojmë përfaqësi tonën në qytetet kryesore por edhe në qytetet të tjera sepse duam të fillojmë një fushatë sensibilizimi për këtë çështje”, tha për Citizens Channel, Ervin Goci, aktivisti i AMT.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *