“Aleanca Kundër Urrejtjes” përmes një deklarate publike ka dënuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga përfaqësuesit politik në javën kundër Homofobisë dhe Transforbisë, aktivitetet e së cilës u zhvilluan online këtë vit.

Grupimi i përbërë nga Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Medias Audiovizive dhe Këshilli Shqiptar i Medias i ka cilësuar si të papranueshme deklaratat që përçojnë dhunë dhe shkojnë kundër respektimit të të drejtave të njeriut.

Një ndër reagimet, që nuk përmendet specifikisht në deklaratë ka qenë ai i ish-Ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Në një postim në “Facebook” që  niste me fyerje të rënda, Noka kërkonte që flamujt shumëngjyrësh të vendosen në shtëpinë e kryebashkiakut dhe jo në një institucion që përfaqëson qytetarët e Tiranës.

Aleanca Kundër Urrejtjes liston katër arsye pse gjuha e urrejtjes krijon një mjedis ku mund të ndodhë dhuna e vërtetë:

  • “Aleanca kundër urrejtjes” ka bindjen se nuk mund të pretendosh se je në mbrojtje të një kauze të caktuar duke qenë vetë një shkelës I të drejtave të një grupimi tjetër dhe që shpërndan frymën e konfliktit apo shkeljes së të drejtave të të tjerëve.
  • “Aleanca kundër urrejtjes” e përbërë nga  institucionet kryesore në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore të njeriut, vlerëson rëndësinë e kundërshtimit të gjuhës së urrejtjes për një shoqëri tolerante dhe demokratike, ku njerëzit gëzojnë të drejta të barabarta pavarësisht cilit grupimi shoqëror I përkasin.
  • “Aleanca kundër urrejtjes” është e vetëdijshme se vetëm me qëndrime të bashkërenduara nga të gjithë mbrojtësit e të drejtave të njeriut në shoqërinë tonë, mund ti jepet fund gjuhës së urrejtjes dhe pandëshkueshmërisë së cilitdo që përdor atë në foltoret e institucioneve, televizione, apo mediat sociale.
  • “Aleanca kundër urrejtjes” do të vijojë përpjekjet e saj për rritjen e vetëdijes, informimin dhe kontribuimin në dialogun, veçanërisht midis të rinjve, për luftën ndaj gjuhën e urrejtjes, dhe krijimin e urave të dialogut dhe bashkëveprimit me shoqërinë civile dhe organet publike, mbi pasojat e gjuhës së urrejtjes në shoqërinë shqiptare, ndikimin e saj në zhvillimin demokratik të vendit dhe reduktimin e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare.

 Gjuha e  përdorur nga Noka është dënuar nga Aleanca LGBT dhe PRO LGBT, të dënuan përdorimin e gjuhës së urrejtjes për përfitime politike, duke theksuar se komuniteti LGBTI ndihet i pa përfaqësuar nga partitë politike shqiptare.


Organizatat i ndajnë veprimet e partive të ndryshme politike në “deklarata të turpshme ose veprimet të shtirura publike”, duke vendosur shenjën e barazizë sa i përket mungesës së përfaqësimit.

“Njera palë është qartazi më e trashë dhe më banale në gjuhë e në përmbajtje, pala tjetër është më e interesuar për të mbajtur përsipër një maskë emancipimi, por fakti është që të gjitha palët e politikës shqiptare jo vetëm që nuk e përfaqësojnë një qytetar LGBT sot në Shqipëri por kanë dështuar në mënyrë sistematike për të mbrojtur të gjitha të drejtat e njeriut në Shqipëri. LGBT është populli i pa përfaqësuar ashtu si gjithë populli tjetër shqiptar. I pa përfaqësuar nga askush”, thuhet në deklaratë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu