Autore: Oriel Besi Turdiu, Master në Arkitekturë, Universiteti Teknik i Mynihut 

Mora kurajën të shkruaj për ish-Teatrin Kombëtar, pasi ishte një ndërtesë të cilës një vit më parë ia kam studiuar projektet e vjetra ndërsa po kërkoja temën e masterit tim në arkitekturë.

Më pëlqeu dhe u lidha aq shumë me atë ndërtesë saqë doja të propozoja një projekt për restaurimin e saj dhe për gjallërimin urbanistik të zonës përreth. Dëshira nuk m’u realizua sepse Universiteti Teknik i Mynihut (TUM), megjithëse njohu dhe e pranoi potencialin e projektit, më kërkoi të zgjidhja një projekt brenda Bashkimit Evropian. Në mars u diplomova dhe sot kam fatin ta ushtroj profesionin në qytetin ku kreva studimet, por mbetem ende e dashuruar me atë ndërtesë, prishja e së cilës më dhembi shumë.

Me këtë përshkrim sado pak të detajuar dua për një çast të harroj pamjet e trishta të gërmadhës që mbeti pas. Dëshiroj gjithashtu që ish-Teatrin Kombëtar t’jua sjell më pranë zemrës atyre që e donin, por edhe atyre që mbetën skeptikë për vlerat e tij.

Teatri Kombëtar skicuar nga Oriel Besi Turdiu

Ju ftoj të bëjmë sëbashku një shëtitje imagjinare për ta zbuluar e kuptuar më mirë këtë ndërtesë simbolike të Tiranës.

Zgjidhja urbanistike:

Që në fillimet e veta urbanizimi i Tiranës është ndikuar nga arkitektë italianë. Ishin ata që krijuan aksin kryesor, ose shtyllën kurrizore të Tiranës që nis nga materniteti dhe mbaron tek universiteti, për t’u ngjitur më tej në kodrat e gjelbra.

Përgjatë këtij aksi, nëpër bulevardin e madh, kalojmë maternitetin, Bashkinë e vjetër (zhdukur edhe ajo), Sheshin Skënderbej, Bankën Kombëtare, kompleksin e ministrive, Hotel Dajtin (zhdukur edhe ky, por jo si ngrehinë të paktën), Kryeministrinë, Universitetin, Stadiumin Kombëtar (të mëparshmin), i ngjitemi kodrës drejt Fakultetit Gjeologji-Miniera për të arritur deri te Pallati i Brigadave.

Të gjitha ndërtime të ideuara nga italianët në stilin e kohës. Pozicionimi i ndërtesës së Teatrit Kombëtar në formë “U”-je që hapet drejt aksit të lartpërmendur, bulevardit, të fton për t’u afruar e për të hyrë brenda. Krijon një zgjerim të hapësirës, një “bark” që të fton të ndalesh, të hysh në të, të pushosh. Është si presja në fjali, fjalia duke qenë aksi kryesor i Tiranës.

Është një zgjidhje elegante e zonës për integrimin e ndërtesës së re. Një ndërtesë e cila nuk bën shumë zë, është e thjeshtë, ama tërheq mjaftueshëm vëmendje me elegancën e kubaturave që nxjerrin në pah rëndësinë e saj.

Arkitektura, funksionaliteti i teatrit:

I afrohemi kompleksit dhe i qëndrojmë përballë. Kjo ndërtesë dallon nga kompleksi i ministrive. Është një shembull i arkitekturës moderne të kohës. Linja të pastra, kubike, pa zbukurime të tepërta arkitektonike. Përshkallëzimi i funksioneve të brendshme pasqyrohet edhe në fasadë.

Mund të vëzhgojmë dy ndërtesa vertikale në krah të njëra-tjetrës. Më parë, këto të dyja kanë qenë të lidhura bashkë në ballë me një kolonadë të mbuluar dhe kurorëzoheshin me nga një ballkon përbri hyrjes.

Kolonada, detaj i cili përforconte njësinë si e tërë, unifikonte kompleksin dhe përdorej si kalim “i mbuluar” nga njëra njësi te tjetra. Ndërtesa në të majtë ishte ajo që mbante brenda skenën, ndërsa ajo në të djathtë kishte dhoma dytësore si dhoma pritje, restorant, kuzhinë, zyra, bibliotekë, salla leksioni etj.

E thënë ndryshe, përmbante funksionet plotësuese të teatrit. Në krahë të njëra-tjetrës, gjithnjë në simbiozë. Bukuria e planimetrisë së kompleksit të teatrit qëndron te shkallëzimi i natyrshëm i funksioneve të tij. Butë e butë ti kalon me shkallë nga zona para teatrit, brenda në godinë. Madje dhe hyrja ka pasur një mbulim nga sipër si mbrojtje kundër motit, detaj të cilin shumë pak veta mund ta dinë.

Shkallët para hyrjes kanë qenë historikisht një element, i cili e ngrinte hyrjen nga niveli i tokës me qëllimin për ta theksuar, për ta nxjerrë në pah, për të tërhequr vëmendjen. Imagjinoni si paralelizëm tempujt e grekëve, çfarë efekti kanë ato shkallë guri kur i ngjisni. E njëjta ndjesi, në përpjesëtim më të vogël, është krijuar para hyrjes së teatrit. Brenda teatrit, mirëpritemi tek atriumi, më pas te holli ku përgatitemi shpirtërisht për shfaqjen e, si përfundim, dalim te salla e kadifenjtë.

Zbresim ngadalë për të gjetur vendin tonë ndër tetëqind të mundshmet dhe në ballë të sallës shohim skenën. Me lëvizjen drejt ndërtesës dhe brenda saj, këmbët kanë shkelur nëpër të gjitha funksionet e saj, nga hapësira më publike deri tek ajo më private (salla shfaqjes), para se ta shohim veten përsëri jashtë në oborrin e mbrojtur. Një linjë e ndarë qartë dhe pastër. Në të njëjtën vijë logjike janë renditur dhe dhomat e ndërtesë së djathtë. Këto dy ndërtesa, bashkë me palestrën në fund që i bashkon, formojnë një oborr me tre faqe dhe me një pishinë në mes.

Oborr, i cili në këtë organizim, funksionon dhe si pengesë ndaj zhurmave. Qetësi nga zhurmat dhe lëvizjet e qytetit. Në këtë oborr të mbrojtur ofrohej mundësia e organizimit të shfaqjeve të ndryshme në qiell të hapur. Pra, përsëri, një planimetri dhe funksionalitet i mirëmenduar deri në detaje për të gjitha stinët.

Detaje që vihen re edhe në brendësi të teatrit. Si rrallë herë, arkitektët këtu kanë patur dorë edhe në dizajnin e interiorit, si shkallët, korimanot dhe ndriçimi, realizuar të gjitha në punime të bukura druri.

Duhet theksuar që thjeshtësia e kësaj ndërtese nuk është diçka që arrihet lehtë. Kush ka patur fatin dhe mundësinë të projektojë në jetën reale ose gjatë studimeve një teatër e kupton sa e vështirë është të menaxhosh kompleksitetin e një funksioni të tillë dhe ta “paketosh” atë në një projekt arkitektonik që i mbijeton stilit dhe kohës së vet (zeitlos – do thoshin gjermanishtfolësit).

Konstruksioni i godinës

Sipas një studimi të vitit 2008 nga Instituti Politeknik i Barit, një nga materialet e ndërtimit ka qenë “populit”. Ky material përbëhet nga përzierja e çimentos me fibra plepi. Përzierja e tillë kombinon fortësinë e çimentos me elasticitetin e drurit për të krijuar një material ndërtimi që mund të parafabrikohet; është i lehtë në peshë dhe po aq i lehtë për t’u punuar. Populiti ka qene materiali mbushes mbi strukturën mbajtëse kryesore.

Struktura e skenës është ndërtuar prej çeliku. Çfarë ia shton veçantinë godinës është se për kohën, parafabrikimi i elementëve dhe materiali i ndërtimit i përdorur në të kanë qenë inovative. Parafabrikimi kërkon nivel dhe saktësi të lartë projektimi, planifikimi dhe parapërgatitje, por shkurton kohën e ndërtimit dhe, si rrjedhojë, e bën ndërtesën më ekonomike.

* Shënim: Perceptimi negativ që është krijuar për materialin “populit” është i pa vend sipas mendimit tim.

Për krahasim, “Typha” që është një bimë kënetore (gjendet edhe në Shqipëri, brezi i gjyshërve të mi e ka përdorur për ta vënë në vazo si zbukurim) është duke u studiuar dhe eksperimentuar nga Fraunhofer Institut në Gjermani për të vlerësuar përdorimin e “lules” së saj si material ndërtimi. Fibrat e “Typha” ngjiten në mënyrë të çrregullt për të prodhuar një material të fortë e të qëndrueshëm.

Tani për tani “Typha” përdoret në variantin si material i butë për termoizolim që kushton pak, ose në variantin e fortë për struktura peshëmbajtëse.

Me këto materiale të përdorura për ndërtimin e kompleksit të teatrit dhe me mirëmbajtjen e duhur nga ana jonë si përdorues, Teatri Kombëtar duhet të na kishte kaluar me jetëgjatësi.

Përmbledhje:

Ndërtesa me funksion si teatri nuk planifikohen me datë skadence. Ato duhet t’i qëndrojnë kohës, të edukojnë, të argëtojnë breza të ndryshëm e të bëhen pjesë e historisë dhe kulturës së një populli. Teatri Kombëtar ishte fasada historike e një qyteti të “ri” si Tirana.

Teatrin si objekt kulturor e bëjnë pikat e lartpërmendura, të cilat vërtetojnë që kjo ndërtesë nuk shërbente si “dopolavoro” e ushtrisë italiane, por një arkitekturë e mirëmenduar në detajet, funksionalitetin dhe integrimin e saj me qendrën e kryeqytetit. Ajo ka shoqëruar gjyshërit tanë gjatë periudhës së pushtimeve, ka shërbyer si qendër për aktivitete kulturore dhe sportive, si kinema, madje dhe si sallë për gjyqet e kundërshtarëve politikë të regjimit.

Ndërtesa e dytë u përdor si bar kafe e Lidhjes së Shkrimtarëve. Përdorimet e shumta e të ndryshme ndër vite tregojnë për fleksibilitetin e planimetrisë dhe opcionet e pafundme që mund ta kishin vijuar. Këto pika kanë peshë, ato nuk mund të fshihen e ç’rrënjosen pa e vrarë mendjen. Historia dhe trashëgimia duhet të kishin peshuar më shumë mbi supet e atyre që pretendojnë të na drejtojnë për mirë, të atyre që duhet të shohin më larg se ne “njerëzit e thjeshtë”.

Për teatrin nuk u kujdesëm, e lamë të degradohej për më shumë se njëzet vite. Për pasojë, u dhamë të tjerëve arsye të mjaftueshme për ta vulosur atë si ndërtesë që duhet rrëzuar. Këtu qëndron gabimi. Nuk duhej diskutuar a mbajnë muret. Ndoshta duhej diskutuar mos është i vogël dhe a duhet zgjeruar.

Teatri Kombëtar ishte lënë aq gjatë pas dore sa kërkonte të paktën restaurim rrënjësor. Xhamat e thyer që lejojnë brenda elementët e natyrës së egër, dhomat e pa ajrosura, mirëmbajtja e keqe, në mos braktisja, ndikojnë në gjendjen e ndërtesës. Çdo material, pa përjashtim, ndikohet nga përdorimi dhe nga vitet që kalojnë, por mirëmbahet, riparohet, përshtatet.

Me rritjen e popullsisë së Tiranës vërtet mund të mos mjaftonin ulëset në sallë. Por këto nuk janë arsye për ta shembur teatrin. Harruat të diskutonit mbi vlerën historike, mbi funksionalitetin dhe si i ka qëndruar kohës. Ah, sikur të ishim aq të motivuar dhe me shpirt krijues sa të kishim bashkuar kokat e mënçura dhe njerëzit e ditur e me përvojë, nga disiplina e profesione të ndryshme, për t’i gjetur zgjidhje racionale të ardhmes së Teatrit Kombëtar.

Mund të ishte restauruar, mund të ishte zgjeruar, mund të ndryshonte funksion. Nuk do ishte ndërtesa e parë për të cilën do merrej një vendim i tillë. Ministria e Brendshme, Banka Kombëtare, së fundi, Hotel Dajti, të gjitha janë ndërtesa që sot nuk janë në gjëndjen e tyre origjinale, por konceptimi dhe zgjidhjet arkitekturore janë ruajtur.

Dhe në fund dëshiroj të diskutoj shkurt projektet që janë zbatuar deri tani apo janë planifikuar për zëvendësimin e Teatrit dhe ndërtesave të tjera në Tiranë. Pyesni Tironsit e vërtetë dhe ata që kanë shumë e shumë dekada që banojnë në Kryeqytet se sa ndërtesa nga brezi prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë janë shembur. Sa kanë mbetur? Tirana nuk është qytet i vjetër, por shumica ndërtesave tashmë janë më të reja se brezi im.

Identiteti, karakteri i qytetit, fasada e Tiranës nuk janë “coop-Himmelb(l)au”, as Bjarke Ingels i BIG dhe as MVRDV. Është detyrë e këtyre zyrave arkitekture të ftuara nga jashtë t’i përshtaten traditës, kulturës, zonës tonë. Jo anasjelltas. Nuk mund të mbjellësh ndërtesa-bisha pa identitet që mund të ndërtohen kudo, edhe në fushë të zbrazët, në një vend të brishtë si Shqipëria.

Përzgjedhja arkitektit mund të duket gjë e lehtë, por të paktë janë ata që reflektojnë mbi punën e tyre dhe ndikimin që lenë pas. Mos harroni se arkitektura ndikon në mënyrën sesi ti jeton; ku ha, ku fle, ku punon, ku pushon, si udhëton etj. Projektimi dhe ndërtimi është përgjegjësi e madhe që kërkon vizion dhe integritet.

———-

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu