Policia Bashkiake ka dhunuar dje një djalë të ri të komunitetit rom, i cili është ndaluar teksa mblidhte mbetje të riciklueshme në zonën e Yzberishit në Tiranë. Videoja e publikuar dje në rrjetet sociale tregon dy policët që tërheqin të riun me inicialet H.Sh., ndërkohë që ai ju përgjigjet me thirrje dhe lutje për ta lënë të lirë.

Sot, H.Sh i shoqëruar nga aktivistët e Qendrës për Advokim Social dhe avokati Gentian Sejrani, depozitoi një kallëzim penal kundër Policisë Bashkiake Tiranë në komisariatin nr.6.

Gentjan Sejrani

Sipas avokatit Sejrani, dy janë shkeljet ligjore të konstatuara: “Së pari, shpërdorim detyre në tejkalim të kompetencave ligjore që i parashikon ligji “për policinë bashkiake”, pasi nuk është detyrë ligjore e saj të shoqërojë me forcë individin, por duhet të thërrasë policinë e rendit. Së dyti, dhuna e ushtruar ndaj tij është në shkelje të çdo konvente, ligji apo rregulli”.

Sejrani tha për Citizens Channel se rasti do të ndiqet përmes një procesi gjyqësor penal dhe administrativ, ndërkohë që sot është marrë vendimin nga Policia Gjyqësore për një vitiztë pranë Institutit të Mjekësisë ligjore për konstatimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna.

Rrjeti reagon kundër dhunës së ushtruar nga Policia Bashkiake 

Aktivistë dhe qytetarë kanë reaguar ndaj kësaj ngjarje duke publikuar videomesazhe që shprehin indinjatën mbi mosrespektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Xhemali Moku imitoi të njëjtin veprim duke u shprehur se është në pritje të bashkisë që të vijë, pasi edhe ai kishte dalë për të mbledhur mbetjet plastike.

“Nuk mund të përdorësh dhunë mbi një të varfër, kur nuk i ke siguruar kushtet për të punuar. Bashkia e Tiranës duhet të tregohet e kujdesshme me veprimet pasi së pari duhet ti siguroj kushtet këtyre familjeve për të dalë nga situata ku ndodhen” shprehet Romina Sefa në video.

Jeta Pera kujton faktin se shumë familje e sigurojnë jetesën duke mbledhur mbetje të tilla në koshat e mbeturinave. Ajo kërkon të mbahet një qëndrim nga institucionet përkatëse.

Në videot denoncuese është ironizuar fakti se Bashkia Tiranë është vlerësuar me çmim nga Bashkimi Europian si bashkia më miqësore me komunitetin Rom dhe Egjiptian.

Organizatat e shoqërisë civile dënojnë sjelljen e policëve të bashkisë Tiranë

19 organizata të shoqërisë civile kanë nënshkruar deklaratën kundër dhunës së pajustifikuar nga ana e policëve kundrejt të riut rom.

Në deklaratë kërkohet nga nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, të kërkojë falje publike për dhunën e kryer nga ana e punonjësve të tij ndaj anëtarit të minoritetit rom si dhe të marrë masa për pezullimin, hetimin e ngjarjes dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.

Organizatat i bëjnë thirrje institucioneve ndërkombëtare (të tilla si OSBE, BE apo Këshilli i Evropës), prezenca e të cilave kontribuon në vendin tonë për sundimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, të shprehen qartë dhe publikisht mbi këto veprime dhune të përsëritura të policisë bashkiake Tiranë ndaj anëtarëve të minoriteteve egjiptiane dhe rome, si veprime të dhunshme në shkelje flagrante të  Drejtave të Njeriut.

Citizens Channel ka rapotuar më parë për vështirësitë e grumbulluesve, pasi në vitin 2018 Bashkia Tiranë vendosi ta shpallë veprim të kundërligjshëm dhe të vendosë gjoba deri në 20 mijë lekë për personat që sigurojnë të ardhura nga kjo veprimtari.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu