Një vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit në 3 tetor 2018, i hapi rrugën ndërtimit të HEC-it Sekë dhe Zais mbi lumenjtë Flim dhe Urakë, në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, Mat.

Në qoftë se do të marrë ujin, është një vend i shkatërruar. Mund të shkatërrohet çdo gjë“, shprehet Agim Koleci, një prej disa banorëve që është rritur në këtë rrethinë.

Matjanët, prej muajit tetor, 2019 kanë ngritur çadrën e rezistencës në Melth, Zall-Gjoçaj dhe kanë zhvilluar disa protesta.

Vetëm pak ditë pas dhënies së lejeve, në 31 Tetor 2018, qeveria vendosi të zgjerimin e sipërfaqes së mbrojtur duke krijuar Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës“.

“Aktivitetet shfrytëzuese të burimeve natyrore, të cilat ndodhen brenda territorit të parkut kombëtar dhe që janë pajisur me leje mjedisore dhe/ose vendim të KKT-së deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të lejohet të vazhdojnë ushtrimin e aktivitetit nëse përmbushin kushtet e parashikuara nga ligji nr. 81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, thuhet në Nenin 5 të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Banorët e zonës me ndihmën e një sërë organizatash mjedisore kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative, ku ngrenë dyshime të forta mbi vërtetësinë lejeve mjedisore të projektit që po ndërtohet në një zonë të shpallur të mbrojtur.

Ndërkohë që procesi gjyqësor po zvarritet, zgjatja e fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor dhe ndalimi me ligj i protestave ka bërë që të bllokohet rezistenca e matjanëve, por jo punimet për ndërtimin e HEC-eve.

Vijimi i punimeve është shoqëruar me ndotje të lumit Flim, duke e kthyer në të papijshëm për banorët dhe bagëtinë. Makineritë e tonazhit të rëndë kanë kaluar përmes rrjedhës dhe në ujë janë hedhur inerte, naftë dhe ndotës të tjerë.

Uji tashi është i ndotur. Kudo të shkojmë ne të shohim, atje kanë kalu makineritë, e kanë ndot ujin. Kanë kalu nëpër ujë, nëpër lum“, thotë Dalip Koleci, i cili prej vitesh është shpërngulur në Tiranë. Ai tregon se fëmijët e tij dëshirojnë të investojnë në vendlindje.

Dalip Koleci

Erdhi puna, na u nisën fëmijët në emigrim, edhe ne jemi shpërngul, jemi ra në Tiranë. Tashti, fëmijët dun me ardh me ba një investim këtu, në fshatin ku kanë lind“.

Pasojat e një lumi të futur në tuba

Hasan Pasha tregon se pas rënies së diktaturës, u mor me blegtori, si traditë familjare. Ai shpjegon se hidrocentralet i kanë sjellë dëme edhe më para. Pasha pohon se përfundimi i punimeve të nisura do e detyrojë t’i shesë bagëtitë.

Kam ca dele edhe lopë, i sjell verës këtu. Edhe ato t’i shes? Ku të shkoj vetë unë, të vdes? Të vdes me zor, për hatër të dy vetëve? Të italianit, a Trebickës, Mucekut a Edi Ramës? Jo, ata janë kriminelë! Larg duart nga Parku Kombëtar!”

Pasuria e zonës dhe natyra, thekson Pasha, ka qenë faktor kryesor në jetëgjatësinë  e shume qytetarëve që janë lindur dhe rritur në Zall-Gjoçaj.

Hasan Pasha

Këtu kanë jetu njerëzit deri në 115 vjeç. Ka njerëz që i mbaj mend unë, Ibrahim Lala, 115 vjeç ka jetu. Demir Lala ka jetu 120 vjeç. Këto kanë jetu nga ekologjia, pastërtia dhe bimët mjekësore. Po të merret uji, këto grabitqarët që na marrin ujin, gjithçka vdes“.

Punimet janë shoqëruar me dëme të tjera. Dhimitër Koleci bën me dije se fadromat e firmës private kanë shkatërruar mullirin qindra vjeçar.

Ky mulliri këtu është ndërtuar që në kohën që ka pas njerëz në këtë trevë. Njerëzit e parë kanë gjet një mulli këtu. Edhe gjysh pas gjyshi thonë që ky mulli ka qenë këtu, e kanë gjetur këtu.

Fadromat po e zhdukin fare nga sipërfaqja e dheut, edhe si kujtim, për t’i thënë edhe fëmijës: ‘Ja, këtu e kam blu bukën. Këtu është mulliri shekullor që kemi pas ne këtu’. Pa marrë parasysh historinë e këtij vendi, i kanë vu fadromat“.

Mulliri dhjetëra vjeçar, Zall-Gjoçaj

Koleci artikulon se zona ku po kryhen punimet mbart vlera të rëndësishme historike dhe kulturore për matjanët dhe ndaj, duhet ruajtur.

Këtu ka qenë punishtja e përpunimit të leshit në të gjithë zonën. Në gjuhën popullore këtu quhej Valaneca, përpunonte shajakun. Ishte me ujë nga sipër, makineria që bënte këtë punë ishte poshtë. Gjithë treva, më thoshte gjyshja, edhe nga Dibra e sillnin këtu. Forca e ujit, krijonte punimin e leshit, e kthente në shajak për veshjen e gjithë zonës“.

Banorët dëshirojnë të investojnë në vendlindje

Shumë prej matjanëve që janë larguar dëshirojnë të rikthehen, për të investuar. Marrja e ujit nënkupton për ata largimin përfundimtar nga vendlindja.

Unë aty [Melth, Zall-Gjoçaj] kam shtëpinë e babgjyshit. Janë ndërtu në 1938, kam vajt se du të shkoj ta rregulloj, të investoj. Do ta bëj bujtinë, tip hoteli, do investoj për të. Kam shumë ëndrra për atë vend“.

Agim Koleci

Kështu shprehet Agim Koleci, i cili dëshiron ta transformojë kullën dhjetëra vjeçare, si formë për të zhvilluar turizmin. Prej disa vitesh ai jeton në Kamëz, pasi ka punuar disa vite në emigrim. Vendimi për ta kthyer rrjedhën në hidrocentral i ka shkaktuar atij mjaft shqetësime.

Shoh [në ëndërr] kriminelë që shoh këtu. Më del gjumi në dy të natës dhe shoh kriminelë, s’më zë gjumi. Është tmerr more, është tmerr. Me ato ndjenja si kam unë, s’të zë gjumi gjithë natën“, shprehet ai.

Ismet Koleci, nga ana tjetër është rikthyer në vendlindje së bashku me familjen e vet, pas dhjetëra vitesh jetese në Greqi. Ai shprehet se marrja e ujit do e detyrojë të emigrojë serish.

Ismet Koleci

Këtu kam pas 185 kokë dele fillimisht. Rregullova edhe shpinë që kisha këtu. Tani kam 250 dhi, 250 keca, kam 10 krerë lopë. Këtu i kam rrit fëmijët, kam shkollu dy vajzat.  Nëse merret uji, do të iki edhe unë fare. Me gjet një shteg nga me ik“.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu