Marash Logu

Nisur nga urdhëresat e kryeministrit për mbylljen e fundjavave juristi Marash Logu shpjegon bazën ligjore të mbështetjes së këtyre kufizimeve.

Logu konfirmon për Citizens Channel se urdhrat e kryeministrit ligjërisht nuk ekzistojnë dhe nuk sjellin asnjë pasojë.

  • Nëse një qytetar vendos të mos i bindet urdhërit të Kryeministrit, i njoftuar në Facebook, për bllokimin e fundjavës, si mund ta mbroj veten ai/ajo ligjërisht?

Fillimisht, më lejoni të ndaj disa konsiderata lidhur me vazhdimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe marrjes së masave të jashtëzakonshme. Neni 170 i Kushtetutës shqiptare dhe neni 15 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut parashikojnë se masat e jashtëzakonshme duhet të vazhdojnë vetëm për aq sa diktohen nga gjendja, pra aq sa është e nevojshme. Kjo do të thotë që masat merren sipas nevojave të situatës dhe udhëzimeve të përgatitura nga ekspertët, e nuk janë cështje dëshirash apo opinionesh. Kjo pasi, po flasim për kufizime serioze të të drejtave dhe lirive themelore. Abuzimi me kufizimet e të drejtave dhe lirive mund të cojë në dënime nga Gjykata e Strasburgut, nëse një qytetar shqiptar vendos t’i drejtohet asaj.

Së dyti, sa i përket kohëzgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Kuvendi i Shqipërisë vendosi zgjatjen deri më 23 Qershor, cka në vlerësimin tim vjen në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe rekomandimet e dhëna nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias. Një situatë e ngjashme me fatkeqësinë natyrore është gjendja e jashtëzakonshme, për të cilën neni 173 parashikon zgjatjen e afatit për cdo 30 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Ky parashikim duhet të vlente edhe për zgjatjen e fatkeqësisë natyrore, pra Kuvendi duhet të vendoste zgjatjen vetëm për 30 ditë dhe më pas të bëntë një rivlerësim të situatës. Në fakt, ky ka qenë edhe rekomandimi i Këshillit të Evropës më 7 Prill dhe Komisionit të Venecias më 23 Prill, të cilat iu sugjeruan Parlamenteve të vendeve të KiE që të ushtrojnë një rol aktiv në kontrollimin e qeverisë, duke mos i dhënë kompetenca të gjëra, për një kohë të gjatë.

Për të ardhur te pyetja konkrete, neni 7 i ligjit Nr. 15/2016 “Për parandalimin e sëmundjeve infektive” parashikon që masat e vecanta vendosen nga Ministri i Shëndetësisë, sipas udhëzimeve të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërsa, neni 117 i Kushtetutës parashikon se urdhëri i nxjerrë nga Ministri hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Në këtë kuptim, për sa kohë nuk ka një udhëzim nga ISHP, nuk është marrë një urdhër nga Ministri i Shëndetësisë, i cili është publikuar në Fletore Zyrtaren, këto urdhëra të Kryeministrit ligjërisht nuk ekzistojnë dhe nuk sjellin asnjë pasojë. Kështu që asnjë qytetar nuk mund të ndëshkohet për shkak se nuk ka respektuar një urdhër, i cili nuk ka hyrë në fuqi, pra nuk ekziston ligjërisht.

  •  Në cilin akt ligjor mbështetet bllokimi i hapësirave publike si parku i liqenit në fundjavë apo frekuentimi i plazheve deri më 10 Qershor?

Sic shpjegova edhe më lart, marrja e një mase për parandalimin e sëmundjes infektive, në rastin konkret të virusit COVID-19, merret nga Ministri i Shëndetësisë sipas udhëzimeve të dhëna nga ISHP. Më pas, Urdhëri botohet në Fletoren Zyrtare. Për shkak të angazhimeve profesionale, unë kontrolloj cdo ditë Fletoren Zyrtare për aktet ligjore dhe nënligjore që publikohen aty dhe nuk kam parë asnjë akt të tillë që të urdhërojë bllokimin e hapësirave publike si parku i liqenit apo frekuentimi i plazheve.

Për më tepër, nga sa kam parë në media, qytetarë të ndryshëm i kanë kërkuar policisë që ka bllokuar parkun e liqenit apo plazhet publike që t’u tregojnë urdhërin apo vendimin, mbi të cilin bazohen këto veprime, dhe nga ana e policisë nuk është vënë në dispozicion asnjë urdhër apo vendim i tillë. Kjo më bën të mendoj që një urdhër apo vendim i tillë nuk ekziston, përvecse në postimet e Facebook-ut të Kryeministrit, të cilat sic shpjegova më sipër ligjërisht nuk kanë asnjë vlerë dhe konsiderohen sikur nuk ekzistojnë.

Do të doja të shtoja këtu se ideja e propozuar nga Kryeministri për bllokimin e lëvizjes gjatë fundjavave deri në Mars 2021 është në kundërshtim me nenin 38 të Kushtetutës tonë dhe nenin 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë lirinë e lëvizjes. Kufizimi i kësaj lirie mund të bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe kurrësesi në kohë normale. Kjo vjen edhe në kundërshtim me rekomandimin e bërë nga Këshilli i Evropës, i cili ndër të tjera shprehej se mbajtja e masave të jashtëzakonshme edhe pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme cënon demokracinë, shtetin e të drejtës dhe të drejtat e njeriut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu