Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) ka dërguar pranë SPAK-ut padi kundër ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, drejtorit të policisë Ardi Veliu dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Sipas aktivistëve padia e sotme mbështetej në akuzën se më 17 maj ishte kryer vrasje e mbetur në tentativë.

Juristja Adriana Kalaja u shpreh për mediat besimplotë se organi i SPAK-ut do të marrë masat e duhura në zbatim të ligjit, ndërsa aktivistët bënë thirrje për të zbardhur të vërtetën për atë ç’ka ndodhi në 17 maj.

“Sipas nesh ata akuzohen për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Kemi parashtraur të gjithë argumentat dhe faktet tona, pse ne pretendojmë që kjo është një vepër penale shumë e rëndë dhe në këto kushte sipas parashikimeve të kodit të procedurës penale, të tre shtetasit e sipër cituar, të cilët mbajnë edhe funksione publike dhe në dyshimin tonë të arsyeshëm ka një mundësi shumë të madhe fshirja dhe manipulimi i provave, kemi kërkuar edhe arrestimin e tyre”,-u shpreh juristja Adriana Kalaja. 

Sipas juristes Kalaja qeveria dhe bashkia po fshijnë provat e shembjes së Teatrit Kombëtar:

Megjithatë ne kemi ardhur të përgatitur, nuk kemi dorëzuar asnjë front sepse ju e dini shumë mirë cfarë po ndodh në këtë vend. Po fshihen provat nëpërmjet një marrëveshje që kryeministri Rama dhe kryetari i bashkisë Veliaj ka me një kompani të huaj, këtë e dinin edhe faktet e tjera që kanë ndodhur me prova dhe dosje në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Kështu që ne kemi parashikuar në kallëzim që në momentin që do të na merret kallëzimi ne do të dërgojmë provat me proces-verbale”. 

Për regjisorin Robert Budina, përgjegjësit e dhunës policore duhet të vendosen para drejtësisë.

Pse nuk e pyesni ministrin Lleshaj që thotë atyre pa numra u kam thënë unë, mos u merrni me ta. Ku ta gjejmë ne kur drejtësia nuk ekziston, duke na lenë vetëm përballë policisë. Ça bëhet? Ku jemi, ku jetojmë? Na patë gjë të armatosur për tre muaj në teatër“,-tha Budina.

Budina shprehu edhe nevojën për ta dërguar dosjen e Teatrit Kombëtar edhe në institucionet ndërkombëtare.

Ne presim që SPAK-u të fillojë hetimin, e dyta gjithë kjo dosje që do ta çojmë edhe te ndërkombëtarët që mos jemi vetëm ne që e themi këtë, por të jenë edhe ca prokurorë të huaj që ta zbardhin, sespe në sy të të tjerëve u sulmuam qartësisht nga forcat RENEA dhe nuk ka asnjë përgjegjësi”.

Më herët, para se godina e Teatrit Kombëtar të shembej, Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit depozituan pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë një padi për shpërdorim detyre ndaj tre ekspertëve të Institutit të Ndërtimit që firmosën akt ekspertizën për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ekspertët u paditur u thirrën dje nga Prokuroria.

Përfaqësuesit e AMT pretendojnë se këta tre ekspertë kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë publikuar një raport pa qenë asnjëherë në objekt për të bërë vlerësimin.

Ç’po ndodh pas shembjes së Teatrit Kombëtar?

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental u përcoll me protesta nga qytetarë, aktivistë dhe artistët mbështetës së kauzës. Për tre ditë rradhazi me qindra qytetarë u mblodhën pranë hyrjes së pedonales duke ligjëruar kundër shembjes dhe duke kërkuar mbajtjen e përgjegjësisë penale nga institucionet që ndërmorën këtë akt.

Në protestën e fundit të mbajtur në Tiranë në të dy anët e podiumit të improvizuar ishin vendosur tavolina me peticionin që u firmos nga qytetarët e pranishëm për të ndërtuar teatrin sërish sikundër ishte në fillim.

Prej protestës së fundit në Tiranë, aktivistët e Aleancës për Mbrotjen e Teatrit kanë vijuar mbledhjen e firmave për rindërtimin e Teatrit aty ku ishte, duke shkuar në qytete të ndryshme të vendit si Durrës, Shkodër, Lezhë, Kukës, Lushnjë dhe Elbasan.

Ndërkohë, çdo pasdite, aktivistët janë përqëndruar në pedonalen pranë truallit të Teatrit për të vijuar mbledhjen e firmave për ta rindërtuar atë sërish aty ku ishte.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu