Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Një nga 1143… Rrëfimi i 66 vjeçarit nga Durrësi që u prek nga COVID-19

“Telefonatat e shumta ndaj 127 kishin të njëjtën përgjigje, rrini i qetë në shtëpi se nuk keni asgjë, ndërkohë që digjesha nga temperatura”, rrëfen 66-vjeçari. Më pyesnin vazhdimisht, shton ai, nëse kisha kollë apo probleme me frymëmarrjen por vetëm këputje trupi, përveç temperaturës që nuk më ulej.

Një nga 1143 të infektuarit me COVID-19 në vendin tonë, i cili ka preferuar të identifikohet vetëm me inicialet, F.A., tregon se kishe udhëtuar për në Tiranë një ditë përpara se të mbyllej transporti midis qyteteve, në datën 9 Mars.

Ai kujton se në autobus bashkëudhëtonin me persona të sapo ardhur nga Italia, ndoshta me tragetin e fundit që u nis përpara mbylljes, dhe që prej asaj dite filluan t’i shfaqeshin simptomat e sëmundjes. I bllokuar në Tiranë pas izolimit të vendit, pas katër ditësh, gjen një mundësi për tu rikthyer në shtëpinë e tij në lagjen tetë në Durrës.

“Kaluan rreth 10 ditë në total që vuaja dhe kam hyrë me forcë në spitalin e Durrësit. Më thanë se po të hyja nuk mund të dilja prej aty, minimumi për 24 orë, por doja vetëm të kurohesha”, rrëfen ai.

Pasi i bëjnë testin dhe rezulton pozitiv e transferojnë në spitalin e infektivit në Tiranë. Ndërkohë testit iu nënshtrua dhe bashkëshortja e të prekurit, që i kishte shërbyer gjatë qëndrimit në shtëpi, duke rezultuar negative.

“Kur pashë të infektuar në intubim mendova se kaq ishte, se nuk do kthehesha më në shtëpi. Shpëtimin tim ja dedikoj stafit mjekësor por në veçanti pacientit me të cilin ndaja dhomën. Ishte një polic në profesion, edhe ai nga Durrësi. Më dha forcë dhe kurajo pasi vetë isha pa shpresë”.

Gjatë dy javëve i shtruar, i sëmuri tregon se nuk hante pothuajse fare dhe rezistonte vetëm falë serumeve, për më tepër nga analizat kishte rezultuar me diabet dhe kjo ja shtonte frikën.

Vajza e tij kishte mundur t’i sillte me anë të prej sanitareve ushqime dhe lëngje ndërkohë që thekson se gjatë qëndrimit në spital nuk ka takuar askënd. Kujton se ishte nën vëzhgimin e mjekëve çdo ditë por nuk njihte asnjërin prej tyre për shkak se ishin tërësisht të mbuluar.

Edhe pse në moshë, kjo ishte hera e parë për të që shtrohej në spital. U kurua për 14 ditë dhe sërish pas daljes ishte në karantinë të detyruar në shtëpi edhe për dy javë të tjera.

“Ditën e fundit kur dola nga spitali, më përcollën me duartrokitje. Ndjehem me fat, madje tani që ka ardhur pranvera, nuk ngopem duke punuar te bahçja e shtëpisë. Edhe gjërat e vogla më japin gëzim të madh” përfundon i mallëngjyer.

I shëruari, nga virusi që preku mbarë botën tregon se tashmë ka krijuar një miqësi me të infektuarin që ndau jo vetëm dhomën por dhe peshën e sëmundjes, duke theksuar se mbështetja psikologjike dhe emocionale për personat e prekur është forca kryesore në përballimin e sëmundjes.

Të afërmit e të sëmurit kanë insistuar të bëhet me dije fakti se gjatë periudhës së qëndrimit në QSUT, ata nuk kishin asnjë informacion për gjendjen e të shtruarit. Vajza e F.A tregon se gjatë tentativave  për tu lidhur me spitalin e Infektivit ka zbuluar se numri i publikuar në faqen zyrtare në Facebook ishte numri i një personi privat dhe jo numër shërbimi.

Ndërsa gjatë komunikimit me 127, apo numrin e gjelbërt i është thënë se nuk kanë një protokoll për informimin e familjes. “Edhe pse mjekja e familjes ka insistuar që tu bëhen tampona të gjithë familjarëve, unë dhe vëllai im nuk u testuam kurrë me justifikimin se jemi të rinj”, përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *