Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Viktimat e dhunës nuk janë burim klikimesh e të ardhurash”, mesazhe solidariteti në muret e Tiranës

Mbrëmjen e djeshme ne muret e qytetit u zhvillua nje aksion me mesazhe kundër abuzimit seksual, nisur nga ngjarjet e ditëve të fundit.

Ti nuk ke faj, faj ka përdhunuesi“, “Pedofilët e kanë vendin në burg, jo në shkollë” ishin disa nga parullat që mbushën muret e shkollave publike, Ministrisë së Arsimit dhe hapësira të tjera, duke targetuar institucionet publike, median dhe shoqërinë si të paafta për të mbrojtur viktimat nga abuzimi dhe ruajta e të dhënave personale.

Ne dënojmë ashpër krimin e bërë ndaj të miturave dhe gjithë viktimave të dhunës seksuale nga përdhunuesit e tyre, por edhe krimin e disafishtë që u bëhet nga braktisja e instancave shtetërore, ekspozimi dhe denigrimi mediatik, si dhe në tërësi nënshtrimi i një shoqërie patriarkale që përballë̈ dhunës vendos gjithmonë̈ të heshtë“, ishte mesazhi i shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale.

“Ti nuk je vetëm”, letër publike drejtuar viktimave

Aktivistet i janë drejtuar me një letër publike viktimave të abuzimit seksual, ku theksojnë se dhuna e të gjitha formave nuk është faj i të sulmuarit e as produkt i veshjes, orës dhe rrethanave të tjera, por i agresorit dhe institucioneve që dështojnë në mbrojtjen e individëve.

Në fund të kësaj letre janë përfshirë disa forma kontakti, ku mund të kërkohet ndihmë e të denoncohet dhuna.

Aurora Birbilaj tregon se ky reagim ishte i domosdoshëm.

Duke pasur parasysh rastet e fundit të abuzimit me të mitur dhe të gjithë vëmendjen mediatike që kanë marrë përballë të gjithë neglizhencës sistemike dhe sistematike nga shoqëria, komuniteti, institucionet e gjykuam si të domosdoshme të bënim edhe solidaritetin të zhurmshëm”, pohon Birbilaj për Citizens Channel.

Aurora Birbilaj, aktiviste

Ne duam ta sabotojmë institucionin e dështimit e të përforcojmë institucionin e përkujdesjes për njëri-tjetrin, të përgjegjshmërisë, e të empatisë. Një shoqëri që braktis individët e saj krijon kriminelë dhe kjo është barbare”, shprehet më tej ajo.

Arsita Mati, një tjetër aktiviste, shpjegon se kjo letër kishte si qëllim vënien në pah të mosfunksionimit të mekanizmave shtetërore në mbrojtjen e të dhunuarve.

Rastet e dhunës dëshmojnë dështim të veprimtarisë institucioneve arsimore, dështim të veprimtarisë së policisë, dorëzim te shtetit ndaj dhunës“, thekson ajo, teksa pohon se ekspozimi i të dhënave privatë që çon në zbulimin e identitetit të individëve që kanë rënë pre e abuzimit, është dhunë e dyfishtë.

Arsita Mati, aktiviste

Viktimat e dhunës nuk janë burim klikimesh e të ardhurash. Qasja e gabuar mediatike i dënon dy herë viktimat e dhunës. Ne kurrë nuk do ta ndalim fushatën tonë ndërgjegjësuese ndaj shoqërisë që legjitimon dhunën e pedofilinë. Faji nuk është i viktimës“, përfundon Arsita Mati.

TI KE MOTRA, NUK  JE VETËM!

Shoqes që e përdhunuan.

Ti nuk je fajtore!

Përdhunimi nuk është faji yt! Nuk ka rëndësi se ç’kishe veshur, sa ishte ora, ku ndodheshe, nëse ishe në gjendje të kthjellët apo jo. Ti nuk je fajtore! Fajtor është përdhunuesi! Fajtor është shteti, i cili është i paaftë që të mbrojë dhe garantojë jetën e sigurinë tonë. Fajtor është sistemi arsimor dhe shkolla që nuk edukuan, trajtuan dhe fuqizuan njësoj vajzat dhe djemtë. Edhe familjet që nderin dhe turpin e mishëruan mbi ekzistencën, sjelljen dhe jetën tonë.

Faji është i gjykatave që amnistojnë përdhunuesit. Faji është i një qeverie reformat e së cilës vetëm sa thelluan mjerimin, varfërinë, krimin dhe dhunën, nga ku e pësojnë veçanërisht vajzat dhe gratë e varfra. Se të jesh e varfër nuk është turp, sikurse të përdhunohesh është krim e kurrsesi turp i yti!

Fajtor është burri që të zuri pritë dhe abuzoi me ty. I panjohuri që të përndoqi, apo ai që tradhtoi besimin tënd dhe zgjodhi të të lëndonte. Ai që abuzoi me pushtetin dhe forcën e tij për të përftuar kënaqësi të sëmurë nëpërmjet dhunës e poshtërimit. Ai që perversitetin zgjodhi ta çonte më tej, duke të të kërcënuar më pas apo/dhe duke filmuar veten teksa kryente një akt krimi, si një mënyrë për të të mbajtur peng të dëshirave të tij të errëta; për të të frikësuar e turpëruar për turpin, që në fakt vetëm ai e mban mbi shpinë, sepse ti nuk je fajtore!

Fajtorë janë të gjithë ata/ato që përmes heshtjes së tyre e normalizojnë krimin. Fajtorë janë edhe ata që zgjodhën të mos reagonin, por e thelluan këtë krim duke të të lënduar sërish me moskokëçarje, përbuzje apo nënqeshje. Edhe ata që të kërcënuan se fajin e tyre do ta hidhnin mbi ty e më pas, do t’u  tregonin gjithë të tjerëve.

Fajtore është e gjithë bota, vetëm ti jo!

Sikur të kishe një thes me  para, do të zhdukeshe nga sytë këmbët, jo? Larg përdhunuesit. Larg atyre që gishtin e drejtojnë gabim. Larg medias që zgjodhi të të lëndonte rishtazi duke të të ngarkuar përgjegjësitë e përdhunuesit. Larg të gjithë atyre që nuk do ta kuptojnë dot kurrë dhimbjen tënde, ndjesinë e hidhur në stomak, mendimet që ta vrasin gjumin,  lotët në dush teksa përpiqesh të pastrosh një pisllëk që nuk është yti.

Ti nuk i ke paratë, por ke guximin për ta përballuar ballëlartë këtë situatë, sepse ti nuk je ajo çka të ndodhi – kjo gjë as nuk të përshkruan dhe as të përcakton. Ti je një grua e guximshme dhe e fuqishme. Mbi të gjitha, ti nuk je vetëm! Dhimbja yte është edhe e jona!

Dhuna ndaj teje është dhunë ndaj të gjithave ne! Ne jemi shumë dhe jemi të revoltuara, prandaj nuk do të heshtim, por do t’i bashkojmë duart e do të ecim krah për krah, derisa kjo të mos përsëritet ndaj askujt më, derisa ne të trajtohemi me dinjitet dhe të respektohemi në mënyrë të barabartë.

Derisa të mos druhemi të dallojmë dhunuesin dhe krimin, derisa drejtësia të vihet në vend dhe derisa të kemi një shoqëri më të mirë për vajzat dhe gratë!

Deri atëherë dhe gjithmonë, bashkë e të zëshme!

Motrat.

P.S.: Nëse ti apo dikush që njeh është viktimë e përdhunimit, ju mund të kontaktoni falas 24/7 në numrat a adresat më poshtë për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje.

Linja Kombëtare Për Vajzat dhe Gratë: 116 117 ose info@hotlinealbania.org

Qendra e Menaxhimit të Krizës Për Rastet e Dhunës Seksuale Për të Miturit: 116 111 ose qendralilium@gmail.com

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *