Të rinjtë e qytetit të Lezhës marshuan pasditen e sotme për të dënuar abuzimin seksual ndaj vajzave dhe grave shqiptare. Marshimi paqësor nisi nga tregu industrial i Lezhës për të përfunduar në sheshin Besëlidhja. Aktivistë dhe të rinj ligjëruan mesazhe kundër rasteve të fundit të ndodhura në vend, ku të mitur kanë re pre e dhunës seksuale.

“Ska pse të ndihesh fajtor edhe pse je i pafajshëm…”– ishte një nga thirrjet që shoqëroi marshimin.

Edisona Xhani, aktiviste pranë Qendrës H.A.N.A, iniciatore e marshimit, shprehet për Citizens Channel se manifestimi i sotëm ishte një formë për ndërgjegjësimin  e shoqërisë në Lezhë.

Edisona Xhani, aktiviste Qendra H.A.N.A

Protesta e sotme ishte përpjekja jonë për të nxitur reagimin e qytetarëve të Lezhës, për  të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë për të gjtha format e dhunës, e veçanërisht të asaj seksuale. Ajo që Qendra H.A.N.A donte të arrinte me këtë marshim paqësor ishte dhe hedhja e hapava të parë dhe krijimi i kuturës së protestës në Lezhë. Kështu njerëzit, dhe veçanërisht të rinjtë do të edukohen dhe mësojnë që të drejtat e tyre nuk kanë pse të ngelen vetëm të shkruara në letra, por të gjithë gëzojmë të drejtën legjitime për të luftuar për to”- u shpreh Edisona.

Aktivistja Xhani thekson se rastet e fundit të ndodhura, janë edhe dëshmi e mos funksionimit të institucioneve shtetërore dhe një shoqërie të pafuqishme.

Kjo gjë është tregues jo vetëm i një sistemi shtetëror të dobët, që nuk ka mekanizmat e duhur për ta parandaluar si fenomen, por është tregues dhe i një shoqërie jo të emancipuar dhe që nuk është e fuqizuar mjaftueshëm për të reaguar dhe për të mbrojtur antarët e saj. Është e rëndësishme që të merren masa jo vetëm ndaj abuzuesve por edhe ndaj personave  që kanë qenë në dijeni dhe nuk kanë raportuar. Është kultura dhe vetëdijësimi i një populli ajo që i bën ligjet të funksionojnë dhe na takon të gjithve ne të kërkojmë zbatimin e ligjeve dhe të vendosim para përgjegjësisë shtetin tonë”,- përfundoi ajo.

Gjatë marshmit, të rinjtë e Lezhës lexuan me zë të lartë të gjitha rastet në të cilat, vajzave të mitura u është dashur të përballen me abuzim seksual, për t’i vënë në dukje institucioneve që janë raste të përsëritura.

Qershor 2019, 48 vjeçari në Kurbin u arrestua pasi e bija e mitur e akuzoi atë se kishte rrahur, lidhur dhe përdhunuar disa herë…”– ishtë njëra nga rastet e lexuara vajzat e pranishme në marshim.

Marshimi i sotëm sipas aktivistes Edsona Xhanit ishte njëkohësisht edhe një zgjim interesi për banorët e Lezhës.

“Sigurisht që do dëshironim që pjesëmarrja fizike në marshim të ishtë më e madhe, megjithatë mund të themi me siguri që kemi zgjuar interesin e banorëve për t’u përfshirë e diskutuar për çështjen, dhe kjo na bën të ndihemi mirë pasi nëpërmjet vetëdijësimit dhe të pranuarit që dicka nuk shkon mundemi të punojmë për të sjellë ndryshim”. 

Marshimi në Lezhë u zhvillua njëkohësisht me marshimin në Tiranë dhe në Durrës, i nxitur nga rasti i fundit i abuzimit seksual të një 15-vjeçareje nga 65 vjeçari që ishte roja i shkollës ku ajo studionte.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu