Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ti nuk je vetëm”, qytetarët në Shqipëri jehojnë mesazhe solidariteti me viktimat e abuzimit

Mijëra qytetarë iu bashkuan thirrjes për protestë nxitur nga rasti i bërë publik ditët e fundit, ku një i moshuar 65 vjeç, ka abuzuar me një të mitur. “Për fëmijërinë  e vjedhur” u quajt organizimi, i cili kishte pikënisje sheshin “Nënë Tereza”, për t’u përmbyllur përballë Ministrisë së Arsimit.

I gjithë marshimi u shoqërua me mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi për viktimat e abuzimit seksual. Gjithashtu, u bë thirrje që të denoncohet dhuna dhe të ketë dënim maksimal për agresorët. “Ti nuk je vetëm”, “Faj nuk ke ti, faj ka përdhunuesi” ishin disa prej thirrjeve në marshimin e sotëm.

Ndalesa e fundit ishte tek Ministria e Arsimit. Protestuesit e konsideruan këtë institucion të paaftë për të mbrojtur fëmijët dhe e quajtën atë “ministri të turpit”.

Ne duam që institucionet kompetente sot të mbajnë përgjegjësitë  e duhura. Kriminelët të jenë në burg, jo të jenë nëpër shkolla. Pedofilët e kanë vendin në burg“, u shpreh Edlira Çepani për Citizens Channel.

Çepani shtoi se kjo protestë, e organizuar nga të rinjtë, vjen si formë kërkese dhe nevoje për veprim nga ana institucionale.

Kjo është një nga gjërat më të bukura që ne kemi parë sot, që të rinjtë, ata që thuhet se nuk kanë zë – kanë zë, flasin atje ku duhet dhe janë kundër dhunës.

Edlira Çepani, aktiviste

Me zërin e tyre sot kërkuan që të mbahet më shumë përgjegjësi nga institucionet që janë përgjegjëse për sigurinë e fëmijëve, nga institucionet që janë përgjegjëse për të dënuar kriminelët“.

Të tjerë pjesëmarrës shprehen se dëshirojnë që të forcohet ligji.

Kjo çështje më ka prekur jashtëzakonisht shumë dhe dua që të ndryshohet ligji për pedofilët. Të mos rrinë brenda vetëm një vit, dy vjet e te dalin përsëri sepse këto histori vazhdojnë në jetimore, në shkolla, kudo në shoqërinë tonë“, tha Eneda Sula, qytetare nga Durrësi.

Nxitja e komunikimit konstruktiv mes fëmijëve dhe prindërve dhe shtimi i psikologëve nëpër shkolla, është një pikënisje për t’i dhënë drejtim problemit sipas Sulës.

Eneda Sula

Duhet të ketë sa më shumë psikologë që të dëgjojnë fëmijët nëpër shkolla, nëpër çerdhe. Prindërit duhet t’i bëjnë fëmijët që të flasin lirshëm me ta, duhet t’ia tregojnë rrezikun që në vogëlsi. Prindër mësojini fëmijët tuaj mos të puthen, mos të përqafohen nga njerëz që nuk duan të puthen dhe të përqafohen“.

Protestë, jo vetëm në Tiranë

Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Lezha, Fieri ishin disa prej tyre.

Ida gurguri, organizatore e protestës në Fier, tregon për Citizens Channel si i lindi nevoja të solidarizohej me viktimat e abuzimit seksual.

Ajo tregon se qyteti i saj, pak muaj më parë, u përball me dhunën seksuale në shkollë, kësaj herë nga një mësues i institucionit.

Si një vajzë, si një punonjëse rinie, si një aktiviste, ishte me shumë se ndjenjë e brendshme për të reaguar, ishte detyrim ishte përgjegjësi. Vendosa t’i bashkohem këtij manifestimit paqësor në Tiranë nga Fieri, nga ky qytet me plagë të pambyllura nga ngacmimet seksuale në shkollë“.

Ida Gurguri, aktiviste

Këtij organizimi i janë bashkuar dhjetëra të rinj dhe kalimtarë të rastit, pohon Gurguri.

Nga ky vetë-organizim modest, të rinjtë dhanë mesazhe mbështetëse dhe frymëzuese në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale dhe kundër targetimit të tyre nga shoqëria“, përfundon ajo.

Në Lezhë, marshimi paqësor nisi nga tregu industrial për të përfunduar në sheshin “Besëlidhja”. Aktivistë dhe qytetarë përcollën mesazhet e tyre në mbështetje të viktimave të abuzimit seksual.

“S’ke pse të ndihesh fajtor edhe pse je i pafajshëm…”– ishte një nga thirrjet në protestë.

Qytetarët thyejnë heshtjen

Kjo protestë vjen pas disa nismave, të cilat në kor kanë dënuar abuzimin seksual dhe dështimin institucional në mbrojtje të viktimave.

Dy ditë më parë, muret e shkollave publike, Ministrisë së Arsimit dhe hapësira të tjera të Tiranës janë mbushur me parulla që targetojnë institucionet shtetërore dhe medien, si të paafta për të mbrojtur të abuzuarat dhe identitetin e tyre.

Pedofilët e kanë vendin në burg, jo në shkollë”, “Mësues, mos hesht para përdhunimit” ishin disa nga fjalitë e shkruara, aksion i cili u krye nga grupimi i vetëquajtur “Kolektivit feminist”.

Aktivistja Alida Karakushi, gjithashtu protestoi pak ditë më parë te sheshi “Nënë Tereza”. Asaj iu bashkuan disa qytetarë të tjerë, të cilët i mëshuan dështimit institucional dhe medies si faktorë në gjithë ciklin e dhunës ndaj viktimave të abuzimin.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *