Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Komisioni i Venecias: Thirrje qeverisë të rishikojë “paketën anti-shpifje”

Komisioni i Venecias u rreshtua në grupin e gjerë të organizatave, institucioneve ndërkombëtare që kundërshtojnë ligjet e “Paketës Anti-Shpifje” të propozuara nga qeveria shqiptare.

Këto vlerësime vijnë pas nismës së Këshillit të Evropës, për t’i dërguar ligjet për opinion në Komisionin e Venecias, në një kohë kur kuvendi vendosi të kthejë  dekretin e Presidentit mbi ligjet e propozuara.

Në draft-opinionin që mban datën 29 maj, Komisioni vlerëson përmirësimet e bëra, por vë në dukje kritikat e ekspertëve ndërkombëtarë për efektet këto ligje do të kenë në lirinë e shprehjes.

Komisioni ka vlerësuar se Autoriteti i Medias Audiovizive me miratimin e “paketës antishpifje” merr fuqi të mëdha administrative për median online si dhe pavarësia e organit të AMA-s sipas tyre është shqetësuese.

“Parimi kryesor është që një institucion që mbikëqyr mediat duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm. Kjo duhet të pasqyrohet veçanërisht në mënyrën e emërimit të anëtarëve të tyre. Të gjithë anëtarët e AMA kanë një përkatësi të qartë politike, me anëtarët e propozuar nga partia/koalicioni qeverisës që kanë shumicën në këtë organ”,-thuhet në opinionit e Komisionit të Venecias.

Ndër të tjera Komisioni ngre shqetësimin e mungesës së kualifikimit profesional të anëtarëve të AMA-s, dhe Këshillit të Ankesave, për të marrë përsipër detyra që në parim i përkasin sistemit gjyqësor.

“Pyetja e tretë është nëse kualifikimi profesional i anëtarëve të AMA-së dhe, aq më tepër, i Komitetit të Ankesave është i mjaftueshëm për të kryer detyrat që do të jenë besuar, përkatësisht vlerësimit të fakteve dhe koncepteve juridike të cilat, në parim, janë në kompetencën e një gjykatësi dhe kërkojnë një ushtrim të drejtë balancimi midis lirisë së shprehjes dhe informacionit, dhe të drejtave individuale të të tjerëve dhe interesave të shoqërisë në tërësi”,- sqarohet më tej në dokumentin zyrtar të Komisionit.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Komisioni i Venecias është edhe procedura e shqyrtimit të ankesave. Sipas Komisionit, koha në dispozicion për të marrë vendime është e shkurtër dhe çon në vendime që ndikojnë në lirinë e shprehjes.

Procedura administrative për shqyrtimin e ankesave, siç qëndron, nuk ofron garancitë e nevojshme procedurale, me qëllim mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes në Internet. Duke marrë parasysh kohën e shkurtër të lejuar për të vendosur mbi përmbajtjen e një ankese, pasojat ligjore të vendimeve të Komisionit të Ankesave dhe ndikimin e tyre të menjëhershëm në liria e shprehjes, Komisioni i Venecias nuk është i bindur që mekanizmi i kontrollit që Gjykata Administrative e shkallës së parë e Tiranës supozohet të sigurojë, do të jetë e mjaftueshme për të korrigjuar të metat dhe mungesën e masave mbrojtëse procedurale të procedimit përpara Komisionit të Ankesave dhe AMA”. 

Komisioni i ka konsideruar projekt ligjet për median online jo të gatshme për tu miratuar në variantin në të cilën ndodhen, pasi sjellin cënim të fjalës së lirë dhe fjalimit politik në vend.

Në përfundim të draft-opinionit, Komisioni i Venecias ndër të tjera inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetë-rregullues që funksionon, i cili përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave.

“Paketa anti-shpifje” dhe debatet që përfshinë median

Nisma e qeverisë shqiptare për ndryshime në ligjin për “Mediat Audiovizie” ka filluar më 17 dhjetor 2018, me prezantimin e dy projektligjeve të cilat synojnë të rregullojnë median në aspektin e regjistrimit dhe etikës e saj. Projektligjet kanë të bëjnë me “rregullimin” e medias online në dy aspekte: regjistrimi i çdo subjekti mediatik që funksionon online pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit nga AKEP si dhe monitorimi i përmbajtjes që shfaqet në median online nëpërmjet një organi të posaçëm të quajtur “Këshilli i Etikës” pranë Autoritetit të Medias Audiovizive.

Projektligjet për median janë shoqëruar me debate në opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar, ku organizatat e medias vendase dhe të huaja janë shprehur kundër, duke i konsideruar projektligjetsi cënuese të fjalës së lirë dhe larg standardeve ndërkombëtare.

Paketa “Antishpifje” u dërgua pranë Komisionit të Venecias nga Këshilli i Evropës, pas vendimit të parlamentit për t’i kthyer Presidentit Meta dekretin e tij pa rishikuar ndryshimet e propozuara.

Në 30 janar, maxhoranca vendosi në seancën e kuvendit të shtyjë votimin e kësaj pakete, me qëllim pritjen e reagimit dhe opinionit nga Komisioni i Venecias.

Mangësitë e “Paketës Anti-Shpifje” sipas Komisionit të Venecias:

  • Synimi i hartuesve të projekt ligjeve është të zgjerojë kompetencat e Komisionit të Ankesave / AMA-s në mediat profesionale online – ato që ushtrojnë kontroll editorial mbi botimet e tyre. Sidoqoftë, kjo nuk është përcaktuar qartë në ligj dhe ekziston rreziku që blogerët individualë, përdoruesit e platformave sociale, etj. do të preken po ashtu nga ky ligj; është thelbësore që projektligji të përjashtojë nga zbatimi i ligjit çdo media elektronike jo-profesionale;
  • Ligji kërkon de-anonimizimin e të gjitha burimeve të mediave online shqiptare. Kjo mund të jetë në kundërshtim me standardin ndërkombëtar që vullneti i përdoruesve të Internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre normalisht duhet të respektohet. Për më tepër, është në dyshim nëse kjo masë do të jetë efikase;
  • Komisioni i Ankesave/ AMA-s u jepen fuqi të mëdha administrative në lidhje me median në internet. Kjo është problematike në lidhje me lirinë e shprehjes së mediave online nga kufizimet paraprake dhe duke pasur parasysh se ekzistojnë dyshime për pavarësinë e atyre organeve; këto fuqi të reja nuk duhet t’u besohen atyre organeve pa siguruar më parë se ato janë të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave ose interesat e tjera të korporatave të lidhura me politikën;
  • Duke marrë parasysh që komisioni i Ankesave/ AMA mund të ndërhyjë vetvetiu në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe se pavarësia e tyre është e diskutueshme, procedura e ankesave nuk ofron masa të mjaftueshme procedurale: Komisioni i Ankesave/ AMA mund të vendosë, në një procedurë shumë të shpejtë administrative, gjoba të rënda të cilat janë menjëherë të zbatueshme, dhe urdhërojnë heqjen e përmbajtjes ë Internet,me një efekt të menjëhershëm. “Kapaciteti ekonomik” i mediave nuk është një faktor që përcakton shumën e një gjobe, e cila mund të rezultojë në një situatë kur aktivitetet e mediave më të vogla (apo edhe blogerët individualë) janë paralizuar. Kjo do të zmadhojë efektin qetësues të këtyre dispozitave dhe do të çojë në vetë-censurim në dëm të debatit politik thelbësor për çdo demokraci.

Mazhoranca “entuziaste” në pritje të opinionit: 

Në fund të janarit, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla u shpreh se ishte vënë në dijeni nga Komisioni i Venecias se do të shqyrtonte me procedurë të përshpejtuar projektligjet për median, prandaj edhe vendosën që të shtynin votimin për dekrete e Presidentit.

Dua t’ju informoj , sapo më ka ardhur komunikimi dhe nga Komisioni Venecias, që Komisioni Venecias ka pranuar ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar këtë ligj më datë 20-21 mars, pra në sesionin e 20-21 marsit , ndërkohë që gjatë muajit shkurt përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të vijnë në Tiranë për të dialoguar me ne, me këdo. Do ti propozoja kuvendit që votimi i dekretit për mediet audiovizive të shtyhet. Të qëndrojë në programin e Kuvendit , por të shtyhet diskutimi deri sa Komisioni i Venecias në 20-21 mars ta sjelli raportin e vet”,-u shpreh asokohe Balla.

Ky vendim u mirëprit nga organizatat për median dhe të drejtat e njeriut, të cilat theksuan në një reagim se “ky është një hap i duhur, por jo i mjaftueshëm, drejt rikthimit në themelet kushtetuese të vendit sa i përket lirisë së shprehjes”.

Komisioni i Venecias është organi këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese.

Roli i Komisionit të Venecias është që të sigurojë këshilla juridike për shtetet anëtare të saj dhe të ndihmojë shtetet që dëshirojnë të sjellin strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet evropiane dhe përvojën ndërkombëtare në fushën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe rregullit të ligjit.

Komisioni ka 62 shtete anëtare: 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe 15 vende të tjera (Algjeri, Brazili, Kanada, Kili, Kosta Rika, Izraeli, Kazakistani, Republika e Koresë, Kosova, Kirgistani, Maroku, Meksika, Peru, Tunizi) dhe SHBA)

Anëtarët e saj janë profesorë universitarë të së drejtës publike dhe ndërkombëtare, gjyqtarë të gjykatave supreme dhe kushtetuese, anëtarë të parlamenteve kombëtarë dhe nëpunës civilë. Ato janë caktuar për katër vjet nga vendet anëtare, por veprojnë në cilësinë e tyre individuale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *