Matjanët para Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë

Nuk mund t’ia marrësh ujin një komuniteti që e pi, nuk mund t’ia marrësh. Jemi rrit me atë ujë. Po na e marrin me tuba dhe tunele, pa na pyetur fare“.

Kjo ishte një nga disa thirrje të matjanëve, fill pas lajmërimit se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, rrëzoi padinë e nëntë banorëve të asaj zonë, të cilët kërkuan ndalimin e hidrocentraleve Sekë dhe Zajs në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Në shkurt të këtij viti, 9 banorë të Matit paditën  institucionet shtetërore për dhënien e lejes mjedisore për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur me ligj, si dhe kompaninë private “Seka Hydropower” që po zhvillon punimet.

Ata kundërshtojnë vendimin e 3 tetorit 2018, me anë të të cilit Këshillit Kombëtar i Territorit i hapi rrugë ndërtimit të këtyre HEC-eve, në një territor që  pak ditë më pas, në 31 Tetor 2018, u përcaktua nga qeveria si zonë e mbrojtur dhe pjesë e Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës“.

Vendimi për rrëzimin e padisë, i marrë sot nga Gjykata e Administrative, u bë i ditur pa u shoqëruar me sqarimet përkatëse, të cilat do të zbardhen ditën e nesërme.

Nuk u argumentua, nuk e shpallën të arsyetuar. Megjithëse shtyrja ishte bërë që të shpallej vendimi i arsyetuar, të dinim edhe ne se cilat ishin argumentet mbi të cilat gjykata e rrëzoi. Sot vetëm shpalli dispozitivin, pra që rrëzohet kërkesë-padia e plotë“, tha për Citizens Channel avokatja Dorina Ndreka.

Dorina Ndreka, avokate

Ndreka bën me dije se ky vendim do të ankimohet pranë Gjykatës së Apelit dhe do të kërkohet që çështja të trajtohet më përparësi, duke qenë se hyn tek rastet specifike.

Ne sapo ta marrim vendimin, na thanë se që nesër do të jetë ne dispozicionin tonë, absolutisht do ta bëjmë ankimin sa më shpejt sepse nuk duam të humbasim kohë. Çdo ditë është në dëmin tonë“, përfundon Ndreka.

Shumë prej banorëve që kanë protestuar prej më shumë se një viti, shprehen të zhgënjyer nga vendimi i gjykatës.

Më dha shumë ndjesi të këqija se vendi atje është shumë i bukur. Për çdo muaj ikim atje, tani isha 10 ditë. Po e masakrojnë ato, gjykata është me hile, s’kena ça bajmë. Atje jam rrit dhe më vjen shumë keq“, u shpreh Flutura Doda.

Flutura Doda, matjane

Dhimitër Koleci, gjatë fjalës së tij para gjykatës, pohoi se investimi në turizëm do të ishte një kontribut i vlefshëm jo vetëm për banorët e Matit por edhe më tej.

Parku Kombëtar Zall-Gjoçaj nën zinxhirin e mafies, e talebanëve. 14 miliard lekë për të grabitur, jepi për turizmin dhe shikojë ça do bahet atje. Të punësohet e gjithë zona. Vetëm një roje punësohet në Zall-Gjoçaj nga kjo grabitje. Asnjë person tjetër“.

Ai tha se një vendim i tillë do nxisë edhe më tej emigrimin.

Po na shkatërroni jetën, fëmijët tanë po ikin dyerve të botës. Rinia kanë ba gati valixhet, shikoni. Po na largohen, na kanë ikur të gjithë. Turp të keni. Duam drejtësi, hajdutë!”.

“Matjanët nuk tërhiqen”

Pavarësisht vendimit të sotëm, banorët e Matit shprehen se nuk do ta lejojnë që rrjedha e lumenjve Flim dhe Urakë të devijohet përmes tuneleve dhe tubacioneve, për t’u kthyer në hidrocentral.

Teksa u shprehën se jo vetëm njerëzit, por edhe bimësia dhe gjallesat e gjalla dënohen nga ky projekt, ata tregojnë se do të shpërngulen në Zall-Gjoçaj, ku do vijojë rezistenca e nisur në janar të vitit 2019.

Këto hidrocentrale pritet të përthithin 97% të rrjedhës mbi sipërfaqe. Lumenjtë historikisht u kanë shërbyer banorëve të 11 fshatrave si burim parësor jetese. Aktualisht, sipas një raporti të publikuar nga grupimi “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj”, HEC-et dëmtojnë rreth 10.800 banorë rezidentë të Bashkisë Mat.

Në këtë zonë gjallojnë të gjithë gjitarët e mëdhenj si ariu, ujku, rrëqebulli, macja e egër, derri i egër, dhia e egër, kaprolli dhe shqiponja e malit. Gjithashtu, gjenden 24 lloje bimësh dhe shkurresh të rralla.

Në muajin tetor, banorët ngritën çadrën e rezistencës, e pozicionuar në Melth, ku rrjedh ende në shtatin e vet lumi Flim, tashmë i ndotur në makineritë e rënda, të cilat kanë kaluar përmes tij, e janë hedhur inerte, naftë dhe vaj, duke e kthyer në të papijshëm për bagëtinë dhe njeriun.

Krahas protestave në terren, banorët zgjodhën dhe rrugën ligjore, ku u ndeshën në zvarritje të njëpasnjëshme.

Raporto

Leave a Reply