Pamje nga aksioni i dorëzimit të peticionit para Ministrisë së Arsimit/ Foto: Entenela Ndrevataj

Aktivistë të lëvizjes Për Universitetin dorëzuan sot peticionin prej rreth 8000 firmash ku kërkohet anulimi i tarifave të universiteteve publike për vitin akademik 2019-2020.

Dorëzimi është penguar fillimisht nga forcat policore, të cilët kanë kërkuar që aktivistët të largohen pasi janë në shkelje të ligjit.

Të gjitha veprimet që kryeni janë të paligjshme dhe si të tilla do procedohen në bazë të ligjit. Të nderuar qytetarë, nuk lejohet asnjë lloj grumbullimi në kohë pandemie dhe duhet të shpërndaheni“, ishte thirrja e përsëritura të policisë.

https://www.facebook.com/citizenschannel/videos/190656435635083/?notif_id=1592387238557603&notif_t=page_post_reaction

Flenklin Elini, student dhe aktivist, tregon se pas rezistencës së bërë nga pjesëmarrësit e këtij aksioni, ai u lejua të futet brenda Ministrisë së Arsimit dhe e ka dorëzuar peticionin tek një përfaqësuesi i institucionit, i cili nuk ka pranuar të identifikohet.

Ambientet brenda Ministrisë së Turpit ishin boshatisur dhe aty ndodhej vetëm dikush që u prezantua si personi përgjegjës për pranimin e peticionit. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për t’u identifikuar, dhe për të sqaruar specifikisht pozicionin e tij, personi nuk u përgjigj. Megjithatë, peticioni u dorëzua“, tha Frenklin Elini për Citizens Channel.

Frenklin Elini, student dhe aktivist e lëvizjes Për Universitetin

Studentja Kristiana Kola, e pranishme në aksionin e sotëm, tregon pse është i nevojshëm anulimi i tarifave.

Ne për një kohë të gjatë nuk i kemi shfrytëzuar ambientet e Universitetit dhe është absurde të paguajmë për një shërbim që nuk e kemi marrë! Një arsye tjetër është kostoja e jetesës. Studentët dhe familjet e tyre janë rënduar ekonomikisht për shkak të COVID-19“, u shpreh ajo.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Kostandin Koçi, i cili pohon se tarifat janë të larta dhe tashmë rëndojnë më shumë xhepat e studentëve dhe familjeve shqiptare.

Tarifat e studimit kanë qenë gjithnjë të papërballueshme, duke marrë në konsideratë gjendjen ekonomike te shumicës dërrmuese. Pandemia ka nxjerrë në pah pabarazitë ekonomike. Shumë studentë dhe familjet e tyre kane mbetur pa të ardhura dhe pa punë“.

Kostandin Koçi, student dhe akivist i lëvizjes Për Universitetin

Pedagogu Redi Muçi e konsideron të drejtë kërkesën për anulimin e tarifave për disa arsye.

Kërkesa për anulimin e tarifës është e drejtë për shkak të kushteve me të cilat studentët janë përballur dhe cilësisë së mësimdhënies që sipas tyre shpesh herë ka qenë skandaloze. Ky ka rezultuar një proces që i është lënë tërësisht në dorë vullnetit të pedagogut“, artikulon Muçi për Citizens Channel.

Një tjetër aspekt që duhet marrë parasysh, vijon Redi Muçi, është ndikimi afatgjatë tek vijimësia e studimeve, në rast se procedohet normalisht me pagesën e tarifës vjetore.

Redi Muçi, pedagog dhe aktivist i lëvizjes Për Universitetin

Pamundësia për të paguar tarifën e këtij viti do bënte që shumë studentë ta kishin të pamundur regjistrimin në vitet e mëtejshme të studimit, duke vënë në rrezik kështu edhe ato vite që i kanë mbyllur duke paguar tarifat“.

Nga ana tjetër, studentët kanë tentuar të komunikojnë më zv. Ministrin e Arsimit, Oltion Rrumbullaku i cili është larguar në mes të bisedës me një nga aktivistët e lëvizjes Për Universitetin, veprim që u pasua me thirrjet “Anulo tarifat’.

Sa për Zv. Ministrin, Olti Rrumbullakun, ai me “mosreagimin” e tij tregoi për të disatën herë se sa e papërgjegjshme është MASR-ja!”, nënvizon Kola.

Kundrejt këtyre reagimeve, Frenklin Elini pohon se tashmë zyrtarisht ministria mban përgjegjësi për kërkesat e 8000 firmëtarëve.

Ministria e Arsimit që nga ky moment mban përgjegjësi përballë 8000 firmëtarëve. Nëpërmjet organizimit të vazhdueshëm të studentëve edhe një institucion turpi në shërbim të interesit privat, do detyrohet të japë përgjigje dhe llogari“.

Policia e Shtetit: Procedohen penalisht organizatorët

Sipas një njoftimi të policisë, janë proceduar penalisht katër organizatorë të këtij aksioni me motivin “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

Kjo është protesta e dytë që u ndesh me ndërhyrjen e policisë, brenda një dite.

Shtatë qytetarë të tjerë janë proceduar sot, pasi protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kërkuan plotësimin e disa kërkesave, në mënyrë që të rifillojë shërbimi i transportit publik.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu