Dje në orën 19.00 aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në ditën që shënoi një mujorin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ky organizim në formën e “flash mob” (performancë e shkurtër dhe spontane), u zhvillua paralelisht në disa qytete evropiane dhe në SHBA.

Aktivistët shpalosën përpara rrethimit ku dikur qëndronte Teatri Kombëtar, një banderolë me mbishkrimin “Ne ringrejmë Teatrin”. Veç këtj mesazhi banderola përmbante dhe imazhe të projektit “Tabula Rasa”, një iniciativë e një grupi artistësh ndërkombëtar dhe vendas me rreth 30 modifikime dixhitale të pamjes së rrënojave të Teatrit Kombëtar.

Tabularasa është një projekt i konceptuar për herë të parë në Milano nga Iva Lulashi dhe artistë të tjerë ndërkombëtarë, si iniciativë për të krijuar produkte simbolike nga momenti i prishjes së teatrit, për mos ta lënë në harresë atë që ndodhi. Projekti ka nisur me një fotografi të ku duken nga lart rrënojat e Teatrit, duke i lënë mundësi secilit të modifikojë apo rikrijojë imazhin sipas mënyrës së tij. Materialet janë mbledhur në një format kartoline dhe janë publikuar në një faqe të dedikuar online (LINK), për t’i dhënë vazhdimësi përhapjes së mesazhit.

Foto-galeri: Disa nga kompozimet e projektit “Tabula Rasa”

 

Aktivistët pjesëmarrës në aktivitet u shprehën të vendosur për vazhdimin e rezistencës dhe për faktin se teatri do të rindërtohet.

Smeralda Çaça

“Ne këtu jemi pjesë e një “flash mobi” global, i cili është një lloj aktiviteti që efektin e ka te befasia, njerëzit mblidhen në mënyrë të lajmëruar private dhe bëhen pjesë e një aktiviteti që zhvillohet në çast dhe tregon një çështje të caktuar shoqërore, pse ajo është e rëndësishme dhe pse duhet të bëhen qytetarët pjesë e saj” tha aktivistja Lindita Komani.

 

Mirela Karabina

“Ata kanë shembur godinën por nuk kanë shembur teatrin, teatri janë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky është një moment shumë i bukur dhe domethënës, shqiptarë që jetojnë në Evropë dhe përtej sot janë solidarizuar dhe janë vendosur para teatrove të qyteteve ku jetojnë, pikërisht për të dhënë mesazhin që teatri jemi ne kudo që jemi “ u shpreh Mirela Karabina.

Aktivistët rikujtuan sensibilizimin ndërkombëtar për çështjen e teatrit përmes reagimeve dhe peticionit që është nënshkruar edhe jashtë vendit. Gjatë fjalës së tij aktivisti Ervin Goci rikujtoi se 23 euro deputetë  i kanë dërguar  letër Komisionit Europian, për të kërkuar llogari për pozicionin e këtij institucioni në raport me Shqipërinë.

Ervin Goci

“Aktin e prishjes së teatrit, unë e kam quajtur sovjetizim, një nga situatat më të errëta që ka kaluar historia shqiptare dhe nuk mund të ndodhte veçse në një shtet autokratik. Kjo është koha pas 17 Majit, është një kohë për mua e ri ngritjes, siç është edhe slogani ynë”, tha Goci.

Pavarësisht hidhërimit që shkaktoi episodi i 17 Majit, aktivistët nuk e kanë humbur shpresën për të ri ngritur teatrin aty ku ishte dhe siç ishte. Smeralda Çaça, me profesion përkthyese shprehet për Citizens Channel se pavarësisht sa utopike tingëllon, misioni i rindërtimit të teatrit nuk është i pamundur.

Smeralda Çaça

Një mikesha ime para disa ditësh më tha që unë jam në zi, nuk e kam marr veten akoma; edhe unë ndjehem njëlloj si ajo, pra në një farë zie shpirtërore për atë që ndodhi në mëngjesin e asaj dite dhe për atë krim të tmerrshëm që kryetari i vendit ja bën qytetarëve të vetë, shtetit të vetë. Kauza duhet të vazhdojë, ne japim modelin qytetarë që gjërat duhet të funksionojnë ndryshe dhe jo kështu siç ndodhin realisht te ne” tregon ajo.

Doriana Musai

Doriana Musai, arkitekte dhe aktiviste shpjegon se masat për ri ngritjen e godinës janë marrë shumë më herët sesa teatri të shembej. Sipas saj një grup arkitektësh punon prej ditësh tanimë në ri ngritjen dhe rezultatet e para të gjithë punës së atyre do të jepen në ditët në vazhdim.

Aktivistët në mbyllje të organizimit paralajmëruan se do të vijojnë rezistencën dhe shpallën organizmin e një protestë të madhe në vijim, e cila do të ketë si qëllim të tregojë forcën qytetare.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu