Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Faktorët e rikthimit të COVID-19; Mjeku Fero: Shtimi i testimeve, hapja totale dhe vigjilenca në zbehje

Numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë ka pësuar rritje që nga data nëntë qershor, ku pati një dyfishim të rasteve dhe përgjatë ditëve është rritur duke variuar në 40- 60 të infektuar të rinj në ditë.

Në 24 orët e fundit Shqipëria shënoi 50 raste të reja Covid 19, ndërsa piku i të infektuarve është shënuar ditën e Martë ku u regjistruan 82 të prekur.

Që nga fillimi i epidemisë e deri më sot, në vendin tonë  janë kryer 22,120 testime, 1838 të infektuar, janë shëruar 1114 persona, 40 viktima, ndërsa 682 persona janë ende aktiv me koronavirus.

Rritja e infektimeve në dhjetë ditëshin e fundit ka ngritur hipoteza të ndryshme. I kontaktuar nga Citizens Channel, Henri Fero, koordinator i linjës së gjelbër te Qendra Kombëtare e Urgjencës shprehet se përveç hapjes së plotë, një ndër faktorët kryesorë që ka sjellë rritjen e rasteve është rritja e numrit të testimeve, pa harruar edhe vigjilencën në zbehje të qytetarëve.

“Në kushtet e karantinimit krijoheshin vatra të cilat izoloheshin dhe nuk përbënin burim infeksioni për një numër të madh njerëzish. Në raport me vendet e tjera, nëse marrim shembull Gjermaninë, kryerja e testimeve në mase padyshim që përcakton edhe kurbën. Por nuk e shoh situatën problematike deri në pikën ku do të na duhet të rikthehemi në karantinë” ,tregon ai.

Duke u nisur edhe nga rastet e fundit të infektimit të stafit mjekësor ai vë theksin tek rëndësia e testimit të personelit të spitaleve.

“Spitalet nga vetë funksioni që kanë janë të prirur të bëhen burim infeksioni, kjo jo vetëm në rastin e COVID-19. Kjo sepse tranziti i njerëzve të sëmurë është më i lartë se kudo. Do të vazhdoj ta përsëris që për mua me rëndësi është testimi i stafit”, shpjegon Fero.

Pavarësisht situatës në dukje alarmante koordinatori i Urgjencës shprehet pozitiv për menaxhimin e gjendjes nga ana e stafit mjekësor.

“Numri i të shtruarve është proporcional me numrin e pacientëve pozitivë. Ajo çka dua të them është që numri i individëve asimptomatikë në fund të ditës është tregues që duhet të na bëjë optimistë. Duhet të kemi besim dhe të evitojmë vizitat e panevojshme në spitale”, përfundon ai.

Numrin rekord të të infektuarve e mban Tirana me 350 raste aktive, 124 në Durrës, 104 në Shkodër, 28 në Fier, ndërsa qytete si Puka, Rrogozhina, Tropoja kanë dalë nga lista aktive e të prekurve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *