Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studim: Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë dyfish mbi vlerën standarde të BE-së

Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është mbi normën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian. Sektori që luan rol të rëndësishëm në ndotjen e ajrit është ai i transportit, i ndjekur më pas nga aktiviteti i ndërtimit.

Këto të dhëna janë si rezultat i një raporti të publikuar së fundmi nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan“. Në monitorim janë marrë katër qytete, Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Elbasani, përgjatë fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020. Vëzhgimi është kryer në tre drejtime kryesore si: cilësia e ajrit urban, niveli i zhurmave dhe gjelbërimi urban.

Sipas studimit, në qytetin e Tiranës, përqendrimi i dioksidit të karbonit ka qenë dyfish mbi vlerën standarde të Bashkimit Evropian, në zona si rruga e Durrësit dhe e Kavajës, edhe pse përgjatë këtyre rrugëve ka gjelbërim nga të dyja anët. Në këto zona është regjistruar vlera 771 (ppm), nga (350 ppm)  që është standardi i Bashkimit Evropian. Në zonat e Pazarit të Ri, rruga “Luigj Gurakuqi”, Drejtoria e Tatimeve dhe Universiteti Ekonomik i Tiranës vlera e regjistruar e dioksidit të karbonit ka qene afër normës së BE-së.

Përqëndrimi i dioksidit të karbonit

Monoksidit i karbonit ka qenë brenda normave (krahasuar kjo me normën e BE-së), ndërsa përqendrimi i dioksidit të azotit ka qenë i lartë në kryqëzime kryesore të qytetit si rruga e “Barrikadave”, rruga e “Elbasanit”, zona e “Ushtarit të panjohur”, kryqëzimi tek shkolla “Kosova” dhe ish këndi i lojërave “7 xhuxhët”.

Referuar raportit, kontribuesit më të mëdhenj në ndotjen e ajrit janë transporti, përfshirë ai publik, privat dhe tonazhet e rënda si dhe ndërtimet e kryera në qytet.

Me përhapjen e virusit në Shqipëri dhe vendosjen e karantinës, u vu re se në Tiranë cilësia e ajrit u përmirësua, ndërsa pësoi sërish rritje pas lirimit të fashave të orareve për lëvizjen e automjeteve dhe rifillimit të punimeve në ndërtim.

Rodion Gjoka, ekspert i mjedisit pranë Institutit për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan”, shpjegon për Citizens Channel se faktorët që ndikojnë në rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit janë institucionale dhe fizike.

“Procese si planifikimi dhe zbatimi i ligjit për mbrojtjen e mjedisit, lejeve të mjedisit, monitorimit dhe raportimit për shkarkimet në mjedis janë në krizë ose mund të thuhet po keqpërdoren qëllimisht për të justifikuar nivelin e korrupsionit në vend. Në rastin e Shqipërisë, sidomos në vitet e fundit nuk ka një komunikim të vetëm që tregon në mënyrë sasiore sa është impakti në mjedis (ajër, zhurma, shërbime ekosistemi, shkarkime në ujëra apo edhe gjenerimi mbetjeve). Në të tillë situatë të gjithë operatorët privatë e publikë janë të predispozuar që në kushte mungese informimi dhe amullie të mos shpenzojnë as energjinë apo fondet më të vogla për të parandaluar ndotjen apo tjetërsimin e shërbimeve të ekosistemit natyror në zona urbane apo rurale“,-tha Gjoka.

Sa i përket faktorëve fizikë të ndotjes, sipas Rodion Gjokës vendin kryesor e zë transporti, duke përfshirë atë publik, privat dhe mjetet e tonazhit të rëndë, me një ndotje prej 3300kton/vit.

Flota e vjetër e automjeteve private, përgjegjës për të paktën 2518 kton ndotës të shkarkuar në ajër çdo vit.

Flota e vjetër e automjeteve të tonazhit të rëndë që qarkullojnë në qytet nga industria e ndërtimit, transportit të mallrave dhe industria prodhuese, përgjegjës për të paktën 489 kton ndotje të shkarkuar çdo vit në ajër.

Flota e vjetër e automjeteve të shërbimeve publike (makinat teknologjike të mbetjeve, zjarrfikëset, ambulanca, transportier etj), përgjegjës për të paktën 271 kton ndotës të shkarkuar në ajër çdo vit.

Flota e transporti publik, përbërë nga 305 autobusë, e cila vitin e fundit ishte pergjegjese për shkarkimin në ajër e të paktën 22 kton ndotje“,-rëndit më tej Gjoka.

Niveli i zhurmës në Tiranë 

Sa i përket matjes së nivelit të zhurmës në qytetin e Tiranës rezulton se tejkalon dukshëm nivelet standarde të vendosura në Shqipëri. Në zonat më të ekspozuara ndaj trafikut si rruga e “Kavajës”, rruga e “Durrësit” dhe bulevardi “Bajram Curri” vihet re një përqendrim më i madh i zhurmave. Ashtu sikurse edhe në zona të tjera si bulevardi “Zogu i Parë”, Rruga e “Dibrës”, pranë shkollës 9-vjeçare “Servete Maci”, niveli i zhurmës ka qenë i lartë për shkak të punimeve të kryera në këto zona.

Përpos matjeve të kryera gjatë ditës, edhe gjatë natës për shkak të aktiviteteve që kryhen nga baret dhe lokalet e natës kryesisht në zonën e “ish-Bllokut” , ka një ndotje akustike të konsiderueshme.

Ajo ç’ka shihet problematike sipas studimit është mos marrja e masave konkrete sikurse i parashikon aspekti ligjor shqiptar për zhurmat. Kjo vjen si pasojë e mungesës së vullnetit institucional për të çuar para marrjen e masave në përfitim të shëndetit publik thuhet në raport.

Për ekspertin Gjoka ashtu sikundër edhe me problematikën e ndotjes së ajrit edhe në aspektin e zhurmës, ka një mungesë të zbatimit të legjislacionit.

“Nuk monitorohet dhe masat që merren janë të papërfillshme për të pasur efekt të menjëhershëm apo qoftë edhe afatmesëm. Monitorimi gjithnjë shoqërohet me raportim dhe më pas me masa. Të tre këto procese tek ne kryhen aq rrallë sa raportimet që gjenerohen nuk i merr dot për bazë apo ti referohesh që të bësh polika më të mira. Është vërtet shqetësuese që mbrëmjet dhe mëngjesi herët në Tiranë të karakterizohet nga tejkalimi me 26% i nivelit të lejuar të zhurmës. Kjo ndikon në performancën e tyre ditore, në nivelin e shtuar të stresit si edhe në humbjen e fokusit”, -përfundon eksperti Gjoka.

Gjelbërimi Urban në Tiranë

Një pikë e rëndësishme e monitorimit është edhe gjelbërimi urban dhe hapësira që zë në qytet. Tirana duke qenë një krye qendër përmban gjithashtu edhe numrin më të lartë të popullsisë, duke e kthyer gjelbërimin urban një një domosdoshmëri për të mundësuar një jetesë më të mirë dhe më të shëndetshme. Por sa e gjelbër është Tirana, referuar monitorimit të fundit?

Për specialistin e mjedisit, Tirana në dekadën e fundit ka humbur 52.8 ha sipërfaqe të gjelbër duke sjellë dëme natyrore dhe në jetesën e qytetarëve.

Do duhej që çdo qytetar të kishte minimalisht 2.5 m2 gjelbërim në lagjen e vet ose në të gjithë vijën e verdhë të qytetit (pra zonën urbane) rreth 7 m2. Në asnjë nga rastet ky standard nuk përmbushet, madje nuk arrihet as gjysma e saj sikur edhe Liqenin Artifical dhe Kopshtin Botanik e Zoologjik ti përfshish në llogaritje. Në dekadën e fundit Tirana ka humbur 52.8 ha sipërfaqe të gjelbër brenda vijës së verdhë të qytetit“,-shprehet Gjoka.

Sipas tij tkurrja e hapësirave të gjelbra ka shkaktuar veprimtari shkatërruese në qytet.

“Nje reduktim i tille ka sjellë si rezulatat që efektet e temperaturës së lartë në të vërtetë të jenë edhe më të forta sesa ato që regjistron termometri. Të mos kemi infiltrim të ujërave të shiut nën tokë dhe si rrjedhojë e një qyteti të koracuar këto ujëra shkojnë në puseta-kanalizime dhe lumenj apo proska duke sjell si rezultat që vetëm gjatë 2019 qyteti të përballej me përmbytje momentale në mbi 13 vendodhje të ndryshme”.

Nivele të konisderueshme të ndotjes janë vënë re edhe në qytetet si Durrës, Elbasan dhe Shkodër, ku faktorët kryesorë ndikues në ndotje janë transporti, cilësia e ulët e karburanteve, djegia e mbetjeve urbane si dhe mungesa e parqeve të gjelbëruara.

Lexo raportin, për të mësuar më tepër për nivelin e ndotjes në Durrës, Elbasan dhe Shkodër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

3 Responses

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *