Autobus i linjës Tepelenë-Tiranë, terminal i ri/ Foto: Entenela Ndrevataj

Në muajin qershor, auditorët e universiteteve publike u hapën për studentët që janë në prag diplomimi.

Hapja u bë më qëllim që ata të mund të zhvillojnë leksione dhe seminare, para se t’u nënshtrohen provimeve përfundimtare.

Megjithatë, rifillimi i vitit akademik nuk është shoqëruar me hapjen e transportit publik dhe atë ndërqytetas, duke rritur koston e udhëtimit për studentët, të cilët detyrohen të marrin taksi ose të gjejnë forma të tjera alternative për të udhëtuar drejt universiteteve përkatëse.

Elvisa Qosja, studente e vitit të tretë, Bachelor, në Universitetin e Tiranës, ka zhvilluar dje provimin e Gjeo-politikës. Ajo jeton në Elbasan dhe ardhja në Tiranë i ka kushtuar 4500 lekë të reja.

Nuk ndesha asnjë lloj forme tjetër [transporti] përveç taksisë. Në Elbasan, kostoja e jetesës është më e lirë edhe taksia nga Elbasani në Tiranë kushtoi 20 mijë lekë. Ndërkohë taksitë në Tiranë normalisht janë shtrenjtë dhe [kthimi] kushtoi 25 mijë lekë”, thotë Qosja për Citizens Channel.

Ajo tregon se këtë “rutinë” do të jetë e detyruar ta kryejë gjatë gjithë sezonit të provimeve.

Mungesa e transportit dhe kostoja e lartë e udhëtimit me taksi, ia ka bërë Elvisa Qoses të pamundur që të ndjekë seminaret dhe leksionet gjatë këtij muaji, si lehtësi e mundësuar nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që studentët në proces diplomimi të mos të penalizohen nga problemet shoqëruese të mësimit online.

Elvisa Qosja, studente e vitit të tretë, Universiteti i Tiranës

Sipas një përllogaritje të thjeshtë, studentja Elvisa Qose duhet të paguajë 22.500 lekë për të marrë pjesë në pesë provimet e sezonit, në rast se situata me transportin publik dhe ndërqytetas vazhdon të jetë e pandryshuar.

Këtë rutinë do të më duhet që ta kryej gjatë gjithë sezonit, në të pesta provimet që unë kam. Më është dashur ta kryej edhe gjatë kohës që kam pasur zhvillimin e mësimit, kthimin në auditor, që në fillim të qershorit. Kam shkuar vetëm një herë me transport familjar por e kisha të pamundur dhe prandaj nuk shkova më”.

Kostoja e lartë e udhëtimit vë në rrezik diplomimin

Sot më është dashur të vij nga Lezha me makinë të faturuar për të bërë provimin. Kam edhe disa provime të tjera e nuk e di nëse do ja dal nga ana ekonomike që të vij më kështu nëse nuk hapet transporti publik”, shprehet studenti Emiljando Kita.

Një tjetër universitar, Mikael Fezollari, ka ardhur para dy javësh nga Pogradeci në Tiranë, në mënyrë që të përgatitet për provimet përfundimtare. Ai tregon se gjetja e një mundësie për të lëvizur ka qenë e vështirë dhe e kushtueshme.

Gjithçka ka qenë stres më vete. Mungesa e literaturës në disa lëndë e bënte të pamundur përgatitjen për provime, çka me detyroi që të vij në Tiranë duke marrë parasysh çdo lloj problemi apo vështirësie”, tregon Fezollari për Citizens Channel.

Mikael Fezollari, student i vitit të tretë, Universiteti i Tiranës

Ai shpjegon se koston e udhëtimit e kanë ndarë mes dy personash të tjerë, pasi taksia për të ardhur në Tiranë ka kushtuar 6000 lekë të reja.

Mjetin e transportit (një taksi) nga qytetit i Pogradecit drejt Tiranës kam arritur ta gjej nëpërmjet njohjeve personale dhe kemi qenë tre veta që kemi paguar nga 20 mijë lekë të vjetra secili. Por, duhet t’i zgjidhja këto probleme në mënyrë që të kryej provimet dhe t’i jap fund bachelorit”, përfundon Mikael Fezollari.

Kthimi në auditorë pa transport – Studentët: “braktisje dhe tallje”

Në deklaratën e 30 majit, Ministrja Besa Shahini urdhëroi hapjen e auditorëve për studentët që janë në mbyllje të cikleve të studimit, duke nënvizuar se pandemia dhe mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë ata.

Duke marrë parasysh se mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët, duhet të mundësohet kthimi në auditorë për përsëritjet apo edhe seminare dhe laboratorë, për një periudhe 3 apo 4 javore gjatë qershorit 2020”, tha Shahini.

Elvisa Qosja mendon se pabarazia është reflektuar edhe në këtë politikë, pasi më të prekurit janë studentët e rretheve.

Menaxhimi i kësaj situate, për mendimin tim, është bërë në mënyrën më të keqe të mundshme. Kemi studentë që vinë nga qytete të tjera, nga rrethe të tjera dhe për këtë arsye është shumë e vështirë. Nuk mund të hapësh dot universitetet, nuk mund të bësh dot të mundur kthimin në auditorë kur nuk ke siguruar transportin”.

Për studentë të tjerë, kjo “lehtësi” e krijuar nga Ministria e Arsimit po i shtyn drejt borxheve, pasi kundrejt transportit për të ardhur në universitete, atyre po u kërkohet pagesa e tarifës vjetore.

E pakuptueshme vendimi për të hapur universitetet, pa na gjetur zgjidhje se si do vijmë në qytetet universitare. Kjo duket braktisje dhe tallje.

Emiljando Kita, student i vitit të tretë, Universiteti i Tiranës

Mundësitë për të gjetur makina private shumica e studentëve nuk e ka dhe kjo po na dërgon ne dhe familjet tona drejt borxheve. Përveç kësaj, po na kërkojnë edhe tarifat që t’i paguajmë. Vetëm të paguajmë na thonë, por a e bën dikush pyetjen se ku do i marrim ne lekët?”

Situata, komenton studentja Elvisa Qosja, mund të ishte zgjidhur shumë lehtë.

Më e paktë që mund të bënte qeveria në këto momente, është të hapte transportin publik ndërqytetas, sepse situata mund të menaxhohet shumë lehtë, kemi një pikënisje dhe një pikëmbërritje. Nëse numri duhet të ishte i kufizuar atëherë mund të veprohej sipas protokolleve”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu