Poster i vënë në muret e Ministrisë së Arsimit/ Foto: Entenela Ndrevataj

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) i është përgjigjur sot aksionit të para disa ditëve, ku studentë dhe aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” dorëzuan peticionin prej rreth 8000 firmash për anulim të tarifave të këtij viti akademik.

Ky peticion u krijua në datë gjashtë të këtij muaji dhe iu dorëzua institucionit në datë 17.

Në deklaratë theksohet se ministria është në mbështetje të studentëve por angazhimi i tyre duhet të përqendrohet më shumë në universitet sesa para MASR, në mënyrë që ata të shohin ndryshime.

Gjithashtu, në kthim-përgjigjen e institucionit theksohet se është vijuar “Pakti për Universitetin”, i krijuar pas protestave studentore në dhjetor të vitit 2018. Në vazhdën e implementimit të këtij pakti, informon ministria, janë alokuar fonde për subvencionimin e përgjysmimit të tarifave dhe bursat për ekselentët.

Në përfundim të kësaj deklarate, Ministria e Arsimit thekson se si institucion i mirëpret kurdoherë studentët.

Rruga e Durrësit, nr. 23, mirëpret studentët në çdo kohë: qoftë si vizitorë, si praktikantë apo si protestues, dhe i garantojmë se janë gjithmonë të mirëseardhur“.

Pavarësisht ftesës, katër nga organizatorët e aksionit simbolik për dorëzimin e peticionit para MASR po ndiqen penalisht pasi kanë zhvilluar “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe policia nuk i lejoi aktivistët të mbajnë komunikatën.

https://www.facebook.com/watch/?ref=external&v=190656435635083

 

Reagon lëvizja Për Universitetin – “Ministria e Talljes me Studentët”

Me anë të një postimi në profilin zyrtar, lëvizja studentore e ka konsideruar përgjigjen e ministrisë si tallëse dhe ka vijëzuar se “Pakti për Universitetin” si dhe mësimi online nuk kanë funksionuar.

Kujtojmë se ky pakt nuk ka kontribuar aspak në demokratizimin universitar, cilësinë e mësimdhënies dhe ka përjashtuar një numër të madh studentësh nga ulja e tarifave. Nga kjo e fundit përjashtohen pothuajse të gjithë studentët e nivelit master, si dhe studentët që në bachelor kanë mesatare nën 6 apo kanë një numër të caktuar provimesh të mbartura.

Po shqetësimi parësor i këtyre muajve nuk është pakti që qeveria lidhi me veten, por dështimi i procesit të mësimit online. Nga dëshmitë e shumë studentëve dihet se ndjekja e mësimit online ka qenë skandalozisht e ulët. Studentët kanë qenë të privuar nga interneti i mjaftueshëm dhe pajisjet e përshtatshme elektronike për të ndjekur muaj të tërë mësimdhënieje formale“, shkruhet në reagimin e lëvizjes “Për Universitetin”.

Arbjona Çibuku, studente dhe aktiviste shprehet se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Arbjona Çibuku, studente dhe aktiviste e lëvizjes “Për Universitetin”

Ministria si përherë po luan ping-pong. Ajo dështoi me mësimin online; sipas kësaj ministrie duhet të paguajnë edhe pse nuk i ndoqën. Qindra studentë nuk do arrijnë të diplomohen si pasojë e mësimit online, por duhet të paguajnë tarifën sipas ministrisë. Ne nuk do tërhiqemi nga kërkesa jonë. Ministria tha se na pret në rrugë të Durrësit, ne i themi qe te mos fshihet kur ajo rrugë të rimbushet si në dhjetor“, tha Çibuku për Citizens Channel.

Studenti Demian Mrishaj e konsideron përgjigjen e ministrisë si mospërfillje ndaj shqetësimeve të studentëve.

Demian Mrishaj, student dhe aktivist i lëvizjes “Për Universitetin”

Ministria e Arsimit, mospërfilljen ndaj probleme që ka universiteti në tërësi e ka shprehur haptas gjithmonë. Studentët kurrë nuk kanë qenë primarë për të e as për qeverinë. Edhe këtë herë nuk u morën parasysh rreth 8 mijë firma për anulimin e tarifave, por thotë pa pikë turpi se “na mirëpret” te rruga e Durrësit“.

Mrishaj pohon se shumë shpejt studentët do i kthehen protestave.

Dita kur ajo do “na mirëpresë” nuk do të jetë e largët, ama atë ditë nuk do te ketë mundësi për të na bërë lajka e për të na gënjyer siç mundohet të bëj gjithmonë. Studentët nuk harrojnë!

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu