Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Sfidat e punonjësve sezonalë gjatë pandemisë Covid 19

Ndalimi i aktivitetit ekonomik gjatë muajve të izolimit për shkak të COVID-19, i ka dhënë një goditje të rëndë ekonomisë dhe punësimit në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT,  në Anketën e Forcave të Punës, tregojnë një rritje të numrit të të papunëve. Gjatë tre mujorit të fundit të vitit 2019 në vend kishte rreth 160 mijë të papunë. Tremujori i parë i 2020, i ndikuar kryesisht nga muaji mars shtoi numrin e të papunëve me 61 mijë persona, duke arritur në 221 mijë persona (20 Prill), çka përkthehet në një rritje prej 37%.

Ndërsa pritet që rigjallërimi i ekonomisë të kthejë një farë normaliteti, radhës së gjatë të të papunëve në Shqipëri i janë shtuar dhe të punësuarit sezonal. Një grup i konsiderueshëm njerëzish që punojnë jashtë Shqipërisë në sektorë si turizmi, bujqësia apo ndërtimi.

Qeveria shqiptare dhe ajo greke arritën marrëveshjen për heqjen e vizave për punëtorët sezonalë shqiptarë në Greqi më 2 maj 2020. Ndërsa të punësuarit në Itali janë ende në pritje të fillimit të fluturimeve, për të rinisur punën.

“Kompania ku unë punoj na dha një dëmshpërblim modest. Me atë po mbijetoj aktualisht. Do të thoja që jam me fat pasi herë pas here marr dhe mbështetje me shërbime psikologjike nga struktura të caktuara në dispozicion për punonjësit” shprehet, Ardita Cela, e punësuar në linjën e kroçierave “Seabourn”, në sektorin e restorantit dhe barit.

Ardita Cela

Ajo tregon se fillimisht kontrata e re ju spostua në Maj, më pas në Korrik dhe duke parë zhvillimet në Amerikë, nëntori është shpresa më e afërt për të rinisur punën.

Qëndrimi në Shqipëri, e ka vendosur Arditën në radhën e gjatë të personave që kërkojnë punë në vendin tonë, për të përballuar situatën e vështirë financiare: “Krocierat janë pjesë e turizmit, kështu që goditja që kanë marrë është e fortë. Nga koha e gjatë e pritjes jam detyruar të shoh për një punë momentale në Shqipëri, edhe pse ende skam gjetur”.

Edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj paraqiti një panoramë të përafërt sa i përket papunësisë. Në një deklaratë të datës 14 prill, Denaj deklaroi se janë të paktën 50 mijë persona që mbetën pa punë gjatë kohës së izolimit.

Ornela Qamo ka më shumë se shtatë vite që punon gjashtë muaj të vitit si bariste në resortin turistik “Nissia Kamares” në ishullin Kos, Greqi. Edhe pse kufiri grek është i aksesueshëm ajo tregon se ende nuk e di nëse do të punojë gjatë sezonit veror 2020.

Ornela Qamo

“Nuk kam planifikuar asgjë ende pasi biznesi ku ushtroj aktivitetin nuk ka një përgjigje nëse do të operojnë këtë verë apo jo. Pres një përgjigje më definitive pas datës 1 Korrik”, sqaron ajo.

Ornela si punonjëse me kontratë të rregullt pune shton se nëse nuk do të punojë gjatë këtij sezoni, shteti grek i ka premtuar një rikompensim gjatë vitit.

“Jam optimiste dhe shpresoj që puna do të rihapet pasi Greqia mbijeton nga turizmi. Unë, dy motrat e mia dhe mami, pra e gjithë familja ime, punojmë gjysmën e vitit në ishull dhe në këtë mënyrë përballojmë shpenzimet e vitit”, përfundon ajo.

Situata është më e rënduar për punonjës të cilët nuk kanë marrë asnjë shpërblim gjatë periudhës së pandemisë nga punëdhënësit sezonalë, si rasti i Ali K. nga Durrësi, i cili prej më shumë se 15 vitesh punon në Napoli dhe Bolzano në mbledhjen e frutave dhe perimeve.

“Nuk kam marrë asnjë ndihmë as nga shteti italian as nga shteti shqiptar. Kam rezistuar vetëm nga kursimet. Do sajohem të pres biletën pasi fluturimet kanë filluar, por shpresoj të mos më kthejnë. Do ta provoj pasi është e vetmja shpresë përndryshe jam i falimentuar”, thotë ai për Citizens Channel.

Fluturimet me Italinë kanë nisur dje, por lëvizja e shqiptarëve ndaj vendit fqinj mbetet e kufizuar dhe e paqartë. Mund të udhëtojnë drejt Italisë pasagjerët rezident, pasagjerët që udhëtojnë për qëllime biznesi apo për arsye shëndetësore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *