Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të diplomuar, por pa diploma” – 150 studentë të ekonomikut peticion Universitetit të Tiranës

Mëngjesin e sotëm një grup studentësh të ciklit Master në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës kanë dërguar një peticion pranë rektoratit të Universitetit të Tiranës, ku kërkojnë pajisjen me kartonin e diplomës.

Prej një viti, 315 studentë që kanë studiuar në periudhën 2017-2019 , akoma nuk janë pajisur me diploma, duke ju krijuar pengesa në aspektin profesional. Shkak për këtë është fakti se Fakulteti i Ekonomisë nuk i ka përcjellë listat e studentëve Rektoratit të Universitetit të Tiranës, por direkt Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Në mbështetje të kësaj nisme ka qenë edhe Qëndresa Qytetare e cila përmes përfaqësuesit të saj ligjor, Marash Logu i ka bërë thirrje drejtuesve të universitetit të mos mbajnë peng këtë proces, duke ju lënë një afat 10 ditor për pajisjen me diplomat. Sipas Logut, QSHA i ka pajisur studentët me numrat e matrikullimit, ndërsa ka kërkuar që për disa studentë të plotësoheshin disa informacione shtesë. Më pas Rektorati i UT-së ka plotësuar të dhënat shtesë për disa studentë dhe ia ka përcjellë zyrtarisht QSHA-së, e cila ka bërë më pas pajisjen me numër matrikullimi edhe për këta studentë.

Sot studentët kanë numër matrikulimi, kanë nota , diplomat janë dërguar paraprakisht nga ana e Fakultetit të Ekonomisë, por janë kthyer sërish mbrapsht sepse sipas pretendimit të Rektoratit duhet ndjekur një procedurë tjetër“,- u shpreh juristi Logu.

Marash Logu, jurist

Greta Neli, njëra prej studenteve që nuk ka marrë akoma kartonin e diplomës u shpreh se kjo gjë e ka penalizuar atë të studiojë jashtë vendit.

Unë jam këtu për kartonin tim të diplomës, jo më për shkresa, jo më për zvarritje, ju lutem dua thjesht kartonin tim të diplomës. Dhe këtë e them në emër të 150 studentëve që sot kanë thënë zërin e pranë Rektorisë. Kjo gjë na ka shkaktuar probleme edhe në marrëdhëniet që mund të krijojmë profesionalisht jashtë vendit, por edhe brenda vendit. Është një dëm i madh që po na bëhet. Unë kam paguar për atë karton, unë dua thjesht të drejtën time“,- tha Neli.

Ish-studentja e masterit, Ines Mulellari deklaroi: “Askush, dhe për çfarëdo arsye, nuk ka të drejtë të mbajë peng karrierën dhe të ardhmen tonë profesionale, për dëshirat dhe ambiciet e tij personale”. Sipas Albano Zhapajt, drejtuesi i kurrikulës në Universitetin e Tiranës, dorëzimi i kartonëve pranë Rektoratit nuk është kryer sipas procedurave zyrtare.

Ish studentet Ines Mulellari dhe Greta Neli

Në qoftë se t’i më bie kartonë që nuk e di ku i printon dhe si i printon, atëherë nuk është se rektori duhet të ulet dhe të firmosë çdo karton. Përgjegjësia është e qendrës së shërbimeve arsimore në varësi të Ministrisë së arsimit dhe e Fakultetit Ekonomik që komunikojnë në mënyrë jo zyrtare”,- u shpreh Zhapaj.

Sipas tij, numri i kartonëve të diplomave me numrin e studentëve të diplomuar nuk korrespondon .

“Po ju dërgojmë 137 kartonë, ndërkohë te lista bashkëngjitur me emërtimet e studentëve janë 126 studentë. 11 kartonë këtu nuk janë në listë. Pra ne nuk e dimë kur janë regjistruar, si janë regjistruar dhe si janë pajisur me numra matrikullimi. Ky është faj i fakultetit.

Këto janë çështje që po merret prokuroria e rrethit gjyqësor të Tiranës sepse nuk mund të lëshojmë diploma që kanë mungesë të sigurisë juridike. Nuk mund të lëshojmë diploma nga regjistrat bazë ku nuk ekzistojnë emrat e studentëve dhe studenti të ketë diplomën kot në dorë”,-përfundoi Zhapaj.

Për juristin Marash Logu e vetmja zgjidhje është që Fakulteti i Ekonomisë të dërgojë diplomat pranë Universitetit të Tiranës.

Pavarësisht konflikteve që ka Rektorati, Dekanati dhe çdo institucion tjetër zgjidhja është shumë e thjeshtë. Fakulteti i Ekonomisë të dërgojë diplomat pranë Universitetit të Tiranës në përputhje me nenin 91 të ligjit për arsimin e lartë dhe në përputhje me nenin 34 të statutit të Universitetit të Tiranës, rektori duhet të nënshkruajë diplomat. Nënshkrimi i diplomave është detyrim ligjor, nuk është dëshira e askujt”,-sqaroi juristi Logu.

Nëse pas afatit 10 ditor, i cili nis që ditën e sotme, studentët nuk pajisen me diplomat e studimeve, studentët bashkë me Qëndresën qytetare do të vijojnë të marrin hapa ligjore duke e dërguar çështjen në gjykatë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *