Protestuesit pengohen nga policia që të shkojnë drejt Kryeministrisë/ Foto: Entenela Ndrevataj

13 persona u proceduan penalisht pasi zhvilluan protestën në mbrojtje të lumenjve nga hidrocentralet.

Ky njoftim bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila raporton se mbi organizatorët rëndojnë tre vepra penale: “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” ka dërguar njoftimin rreth zhvillimit të kësaj protestë pranë Policisë së Shtetin në datën 19 qershor. Policia nuk i është përgjigjur zyrtarisht organizatorëve, për t’i njoftuar ndalimin e tubimit, çka sipas tyre përbën shkelje të ligjit për tubimet.

“Ndryshe nga sa pretendojnë drejtuesit vendorë të policisë, tubimi nuk ka nevojë për leje, por për njoftim, i cili në rastin konkret është kryer“, tha për Citizens Channel Avokati Tauland Asllanaj.

Njoftimi i Policisë rreth zhvillimit të protestës

Policia e Shtetit, në njoftimin për ndjekjen penale, shprehet se qytetarëve u është bërë thirrje që të ruajnë distancën sociale.

Nga pamjet filmike dhe fotografike vërehen forcat policore të cilët nuk respektuan distancën fizike dhe shumë prej tyre nuk ishin të pajisur me maska.

Policia e shtetit, pa maska mbrojtëse

Megi Mustafaraj, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje tregon se prezenca dhe dhuna e ushtruar ndaj pjesëmarrësve në tubim ishte shproporcinale: “Numri i protestuesve ishte i pakët në krahasim me forcat e policisë dhe s’po pretendohej asgjë veçse që të lirohej rruga, në mënyre që të vazhdohej paqësisht me protestën e drejtë”.

Protesta paqësore e cila përshkallëzoi në dhunë policore

Qytetarët janë mbledhur para “Monumentit të Pavarësisë” në orën 18.30 për të marshuar drejt Kryeministrisë, por pjesëmarrësit janë penguar pak para se ata të mbërrinin në destinacionin e fundit, duke krijuar një kordon policor, çka i ka detyruar qytetarët të ulen në rrugë dhe të vijojnë me fjalimet ne mbrojtje të natyrës dhe lumenjve.

Disa minuta më vonë, aktivistët kanë tentuar sërish të çojnë në fund itinerarin e përcaktuar, por policia dhe persona të tjerë civilë, kanë bllokuar pjesëmarrësit, situatë e cila ka përshkallëzuar në dhunë policore.

Avokati Asallanaj: Shpërndarja e protestës me dhunë, shkelje e ligjit

Avokati Tauland Asllanaj bën me dije se pretendimet e policisë se zhvillimi i protestës ishte i paligjshëm, është i pavërtetë dhe se shpërndarja me dhunë e saj është shkelje e legjislacionit dhe e ta drejtave të njeriut.

Pas një urdhri të marrë me telefon, shefi i rendit të Komisariatit të Policisë nr.2, Tiranë, Z. Mynyr Muça, në shkelje të ligjit, në shpërdorim të detyrës dhe shkelje të të drejtave të njeriut ka urdhëruar shpërndarjen me dhunë të tubimit, ndalimin dhe shoqërimin me dhunë të protestueseve paqësorë dhe më tej edhe nisjen e procedimit penal ndaj tyre“, shprehet Asllanaj për Citizens Channel.

Pretendimi i policisë se tubimi ishte në paligjshmëri është i pavërtetë, informon në vijim ai.

Organizatorët e tubimit, në respekt dhe zbatim të ligjit, kanë dërguar njoftimin zyrtar, që më datë 19.06.2020, pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, me të gjithë të dhënat që ligji kërkon.

Po ashtu, avokati Muka informon se organizatorët nuk janë njoftuar për kufizime nga ana e policisë.

Në rastin e tubimit të datës 24.06.2020, nuk rezulton që ndonjëri nga drejtuesit e policisë, të ketë njoftuar organizatorët për ndonjë kufizim apo pengesë të mundshme. Çka do të thotë që çdo veprim i dhunshëm i kryer në drejtim të qytetarëve ditën e protestës është kryer në shkelje të ligjit”.

Asllanaj liston disa shkelje të efektivëve të policisë gjatë tubimit të djeshëm:

  • Nëse i referohemi ngjarjeve të datës 24.06.2020, evidentohen disa shkelje të kësaj dispozite: Së pari, pjesa më e madhe e shoqërimeve dhe dhunimeve, janë kryer nga punonjës pa uniformë, sikurse del qartë nga pamjet filmike.
  • Së dyti, tubimi ishte krejtësisht paqësor, pa dhunë dhe pa veprime që cenonin rendin dhe sigurinë.
  • Së treti, nuk rezulton që të ketë pasur ndonjë situatë emergjente, e cila të bënte të domosdoshme shpërndarjen e tubimit.
  • Së katërti, është pretenduar se ka pasur bllokim të qarkullimit, por pamjet e shumta filmike të momentit të ndalimit të qytetarëve dëshmojnë më së miri, se qytetarët protestues ishin në trotuarin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit’“, përfundon avokati Tauland Asllanaj.

Dëshmia e plotë e aktivistes Megi Mustafaraj, e shoqëruar në komisariat

“Numri i protestuesve ishte i pakët në krahasim me forcat e policisë dhe s’po pretendohej asgjë veçse që të lirohej rruga, në mënyre që të vazhdohej paqësisht me protestën e drejtë. Duke qenë se policia nuk lejoi kalimin as nëpër trotuar dhe as në rrugë, atëherë protestuesit qëndruan në trotuarin përballe busteve të vëllezërve Frashri dhe aty vendosën që të mbaheshin fjalimet.

Pasi disa protestues filluan të mbajnë fjalën e tyre, një person pa uniformë policie, por që më vonë u identifikua si shefi i rendit në komisariatin nr.2 po jepte urdhra që të kapeshin protestuesit dhe të shoqëroheshin për në rajon.

Aty forcat e policisë, më të shumtë në numër se qytetarët, filluan të tërhiqnin çdokënd që fliste apo qytetarët të cilët i kishin përzgjedhur paraprakisht për t’i arrestuar, e qe mendonin se duheshin shoqëruar. Personalisht kam qenë duke incizuar dhe me pas, ndërkohe që videon po e postoja në Facebook-un tim personal, rrethohem nga disa forca te policisë. Doja te dija pse po prangosesha, por s’po merrja përgjigje. Ne vend te kësaj po merrja lëndime në krahë dhe duar, për shkak të tërheqjeve dhe prangave.

Ne makine ishim pesë persona, tre policë dhe dy qytetarë. Si fillim na dërguan në komisariatin nr.1, ku më kanë marrë të dhënat. Normalisht do duhej te na kishin çuar ne komisariatin nr.2, por u bë njëfarë ngatërrese dhe kemi pritur aty deri sa erdhi urdhri për të na dërguar në komisariatin tjetër. Atje pashë që kishin arrestuar edhe shume të tjerë. Pasi vijuan me procedurat e zakonshme, marrjen e te dhënave personale dhe përshkrimin e imazhit fizik, kam qëndruar edhe 40 minuta të tjera. Tek të dy komisariatet duhet të kem qëndruar gjithsej rreth tre orë. Më pas kam dalë dhe aty jashtë na prisnin qytetarë të tjerë nga protesta”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu