Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Shqipëria, vendi ku sindikalizmi të lë të papunë”

Konfederata Ndërkombëtare Sindikale ka publikuar Indeksin Global të të Drejtave rreth gjendjes së punëtorëve në 144 shtete dhe marrëdhëniet që ato kanë me Kodin e Punës.

Ky është indeksi i shtatë i publikuar nga  ITUC dhe hedh dritë mbi shtypjen e punëtorëve dhe pengesat e qëllimta në organizimin e tyre.

Viti 2020, shkruhet në këtë raport, ka shënuar rritje të shteteve që kanë penguar regjistrimin e sindikatave dhe po ashtu janë nxjerë në pah skandale ku janë përfshirë politikanë në përgjimin e sindikalistëve, për të mbjellë frikë dhe për të ushtruar presion tek ata.

Shqipëria ka qenë pjesë e këtij studimi dhe rankohet si pjesë e shteteve që shkel rregullisht të drejtat e punëtorëve.

Screenshot nga Indeksi Global i të Drejtave

Rajonet më të këqija për individët në marrëdhënie punë janë Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Nga 144 vende të përfshira në studim, (85%) e tyre kanë penguar të drejtën për t’u organizuar në grevë dhe (82%) kanë dhunuar të drejtën e nënshkrimit të kontratës kolektive.

Gjendja e punëtorëve në Shqipëri çon në lulëzimin e sindikatave të reja  

Sindikata “Solidariteti” është sindikatë e cila mbron punëtorët e sektorit Call Center. Ajo është themeluar në datë 17 shkurt të vitit 2019, me mbështetje të UNI Global Union (Rrjeti Ndërkombëtar i Sindikatave).

Tonin Preçi, kryetar i kësaj sindikate, tregon se shkëndijat e para lindën brenda Call Center-it “Teleperformace”.

Diskutohej nga operatorët për idenë e sindikatës, para se të mblidheshin firma. U diskutua me punëtorët në përgjithësi, ça mendimi kanë për sindikatat. Filloi kontakti për shkëndijat e para të sindikatës“, kujton Preçi.

U bë themelimi i sindikatës, u bë shpallja. Ishim shumë të ekzaltuar, thamë kapëm qiellin“, u shpreh për Citizens Channel kryetari i sindikatës, Tonin Preçi. Megjithatë, euforia ra shumë shpejt pasi u ndeshën në zvarritjen nga ana e gjykatës.

Kaloi euforia, kaloi shumë shpejt sepse nisën problemet. Doli [vendimi] i parë negativ, 60 ditë nga momenti i themelimit. Maksimumi në prill duhet të kishte dalë. Ne na doli negative, për mungesë dokumentacioni“.

Refuzimi i njohjes ligjërisht të sindikatës, shprehet Preçi, nuk u prit mirë dhe disa operatorë dhe anëtarë të tjerë të angazhuar protestuan para Gjykatës dhe rifutën të njëjtat dokumente sërish.

Tonin Preçi, kryetar i sindikatës “Solidariteti”

I rifutëm, të njëjtat dokumente, të njëjtat shkresa, pa shtuar asnjë letër më shumë. Ri-aplikuam dhe na ra e njëjta gjyqtare. Çuditërisht, të nesërmen doli vendimi pozitiv. Ka dalë në korrik dhe ne e kemi marrë vendimin në shtator të 2019-tës sepse qëlluan pushimet verore“.

Ndërmarrja e aksioneve, në këndvëveshtrimin e Preçit, kalon përmes disa fazave, që shoqërohet me baltosjen e sindikalistëve.

Një herë është në fazën “Bravo, mirë ia bëre”. Këto janë ditët e para. Kur fillon dhe ndërmerr ndonjë aksion minimal, fillojnë e të shajnë, faza e dytë. Kur ti fillon dhe bëhesh një lloj faktori minimal fillon periudha e denigrimit. Për shembull: ‘Tonini ka marrë 1 milion euro’”.

Lindja e sindikatës së re në Bulqizë, pasohet me pushim të menjëhershëm nga puna

Elton Debreshi është kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB). Në datë 17 nëntor, 2019 u bë shpallja e saj në qendër të qytetit dhe iu parashtruan disa kërkesa kompanisë “AlbChrome” që lidheshin më kushtet e punës, pagën dhe vjetërsinë në punë.

Pesë ditë më vonë, u shkarkua nga puna kryetari i sindikatës së sapoformuar, Debreshi dhe pas tij, njëri-pas-tjetrit, u shkarkuan edhe tre minatorë të tjerë, Ali Gjeta, Behar Gjimi dhe Beqir Duriçi, të përfshirë sindikalisht.

Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Kjo bëri që minatorët që punonin në galeritë e menaxhuara nga kompania “AlbChrome” të kalonin në grevë dhe për disa ditë u bllokua procesi i punës. Si pasojë e kërcënimeve dhe frikës së humbjes së vendit të punës, minatorët e ndërprenë grevën e tyre.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, prej disa ditësh ka akuzuar sindikatën aktuale, Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FSPISH), se ka amenduar kontratën e kolektive të firmosur së fundmi, duke u hequr minatorëve të drejtën e grevës, bashkë me një serë të drejtash të tjera.

Skandaloze, e turpshme, të heqësh grevën e minatorëve… kanë ndërru jetë mbi 300 minatorë, janë me mijëra vetë që kanë kontribu aq vite në atë galeri, t’ua heqësh grevën, kjo ishte e papritur. E paimagjinueshme“, tha Elton Debreshi për Citizens Channel.

Në një reagim të ditës së djeshme, SMBB pohon se pas presionit të kësaj sindikate dhe investigimit nga BIRN, “AlbChrome” u ka kthyer të drejtën e grevës minatorëve të Bulqizës.

Amendimi i kontratës e afishuar në mjediset e kompanisë (majtas) dhe kontrata e ndryshuar (djathtas)/ Imazh: Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Amendimi i kontratës, çfarë përmirëson në jetën e minatorëve të Bulqizës?

Krahas të drejtës së grevës, tashmë e “rikthyer”, Debreshi pohon se kontrata e re e nënshkruar, rriti pagën ditore të minatorëve, por nuk përmirësoi kushtet e punës.

Është rrit dita e punës me 10% për transportin e jashtëm dhe 13% për nëntokën. Në qoftë se e ka ditën 2000 lekë, me 10%, atij [punëtorit] i është rritur 200 lekë rroga. Në bazë mujore, ka një rritje prej 3000 lekësh maksimumi“, tha Debreshi për Citizens Channel.

Ai shpjegon se është hequr një pagesë në fund të vitit, me vlerë prej 27.000 lekësh. Gjithashtu, Debreshi shpjegon se tashmë është vështirësuar procedura e marrjes së lejes.

Duhet të jesh individ i sëmurë që të të njihet raporti. Në qoftë se ke probleme familjare, ke një fëmijë sëmurë është e vështirë që të të njihet si raport. Pothuajse 80% i kanë anuluar“.

Sipas FSPISH, kushtet e punës janë përmirësuar me lidhjen e kontratës kolektive.

Amendimi i kësaj kontrate kolektive, ku përveç benefiteve te padiskutueshme progresive, finalizoi rritjen e pagës për të gjithë punonjësit e minierës“, thuhet në postimin në profilin zyrtar në Facebook.

“Sindikalizmi të lë pa punë”

Tonin Preçit dhe 95 operatorëve të tjerë, iu ndërpre përkohësisht kontrata e punës me kompaninë “Teleperformace”, gjatë periudhës së Covid-19.

Në periudhën e pandemisë, në bazë të ligjit të fatkeqësisë natyrore, shfuqizohen disa nene nga Kodi i Punës, nga Kushtetuta, thanë që ne nuk kemi mundësi t’ju mbajmë në punë, ndaj do të pezulloheni derisa të mbarojë kjo dhe do ju marrim“.

Prej asaj dite, ndonëse gjendja e fatkeqësisë natyrore ka mbaruar me datë 23 qershor, pjesa më e madhe e operatorëve të “Teleperformance” nuk janë kontaktuar për të rifilluar punën, por janë zëvendësuar nga punëmarrës të rinj.

Kompania nuk na ka marrë ende sot e kësaj dite në telefon. Është zëvendësuar një pjesë e mirë. Ca nga ata [operatorët e mëparshëm] i kanë rimarrë, po pak, shumë pak“.

Pushimi nga puna, tregon Preçi, ishte një goditje ndaj sindikalizmin në Shqipëri. Disa nga operatorët e anëtarësuar te “Solidariteti” kanë tentuar të largohen.

Edhe në qoftë se pushimi im nuk është bërë si kryetar i sindikatës, është sulm ndaj sindikalizmit. Heqja ime nga puna ka trembur punëtorët. Të gjitha punëtorët tani më thonë se kur të kanë hequr ty, imagjino se ça mund të na bëjnë ne të tjerëve“.

Gjatë kësaj kohe, Tonin Preçi ka tentuar të gjejë punë tjetër në sektorin e Call Center, por është refuzuar.

Bëra intervistën, futem në trajnim, bëj trajnimin, ishim gjashtë veta. Unë nuk them që isha më i miri, por me siguri më i keqi nuk isha. Nga gjashtë veta vetëm mua nuk më morën“.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Elton Debreshi. Pas gjashtë muajsh i papunë dhe i ndeshur në refuzime të njëpasnjëshme, tashmë ai punon në një galeri private në Bulqizë, por i pasiguruar dhe në kushte të rrezikshme për jetën.

Aktualisht punoj në një kompani fantazmë, jam në punë por nuk ekzistoj në letrat e shtetit. Jam në një punë që jam sot, s’jam nesër. Është shumë e vështirë që unë të gjej një punë, të paktën me një kontratë individuale. Po ashtu edhe shokët e mi po e vuajnë një gjë të tillë“.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *