Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar dje një deklaratë për shtyp me rezultatet e auditimit të kryer më çështjen e Teatrit Kombëtar. KLSH ka renditur një sërë shkeljesh ligjore që kulmuan me shembjen si edhe i ka rekomanduar Institutit të Monumenteve të Kulturës t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë së Tiranës rindërtimin e Teatrit Kombëtar në të njëjtën zonë dhe me të njëjtën pamje arkitekturore që kishte.

KLSH argumenton se vendimmarrja e Institutit të Monumenteve cënoi zonën e mbrojtur të qytetit, dhe përcjelljen e saj si indicie penale në Prokurorinë e Tiranës.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e cila e ka mbështetur kauzën prej më shumë se dy vitesh, ka reaguar në mbështetje të kësaj deklarate. Pas shembjes së godinës së Teatrit, e cila është rikujtuar në një flash mob nga aktivistët, lëvizjet sensibilizuese të tyre vazhdojnë, me qëllimin e vetëm rindërtimin e godinës, aty dhe siç ishte.

Problematikat e konstatuara nga auditimi

  •  Auditimi i KLSH mbi përcaktimin kufijve të qendrës historike të Tiranës dhe ndryshimet e VKM të mëparshme konstaton se procesi i miratimit dhe nevoja e përcaktimit të kufijve sipas koordinatave nuk rezulton të jetë i plotë, nga institucione si Këshilli Shkencor, Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Ministri i Kulturës etj.
  • KLSH ka rekomanduar që Instituti i Monumenteve të Kulturës të marrë masa të menjëhershme dhe të hartojë propozimet përkatëse  për ndryshimin e ligjit Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ku miratimi i planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurive kulturore të paluajtshme dhe deklarimi për pasuritë kulturore të paluajtshme, të behet me propozim nga Këshilli i Ministrave dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë me Ligj të veçantë.
  • Është sugjeruar të ndryshohet pika 1 e nenit 96 të Ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzeve”, ku Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, të ketë kompetencë të përcaktojë zonën mbrojtëse, distancat, masat dhe normat e tjera që ruajnë integritetin e pasurive kulturore të paluajtshme, perspektivën, dritën, kushtet mjedisore dhe peizazhin, por miratimi i tyre  të bëhet në Kuvendin e Shqipërisë me Ligj të veçantë.

Përfundime

Sipas kësaj deklarate IMK në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës pasi të kryej analiza të plota mbi ndryshimin e kufijve të zonës historike duhet të:

  • të propozojë revokimin e VKM-ve të sipërcituara për ndryshimin e vendimit për nxjerrjen jashtë kufijve të zonës historike të sipërfaqes  ku ndodhej ndërtesa e Teatrit Kombëtar
  • t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në zonën ku ka qenë godina e mëparshme, në të njëjtin stil dhe pamje arkitektonik që ajo ka pasur, me të njëjtat volume dhe në  të njëjtin projekt.

KLSH gjykon se vendimmarrjet e strukturave të mësipërme, si të vetmet struktura përgjegjëse që kanë kapacitetet dhe njohuritë për vendimmarrje që prekin trashëgiminë kulturore dhe memorien historike të shqiptarëve, duhet  të jenë  vendimtare për  ndryshimet e mundshme, duke mos shërbyer si  fasadë  për të justifikuar veprimet e njëanshme të institucioneve (strukturave) që mund të cenojnë në mënyrë të pariparueshme qendrat historike të vendit tonë, në këtë rast Bashkia e Tiranës apo dhe Këshilli i Ministrave.

KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Kulturës, marrjen e masave për përmirësimin e legjislacionit në fuqi, ndërsa përsa i përket shkeljeve të konstatuara në lidhje me ndryshimin apo përcaktimin e kufijve të qendrës historike të qytetit të Tiranës, të cilat janë pasuar me ngjarjen e fundit të prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, KLSH ka paraqitur indice penale pranë Zyrës së Prokurorisë Tiranë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu