Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Rilindja shembullore” e shkollave të Durrësit ngjall pasiguri tek prindërit dhe nxënësit

Autore: Mila Ballhysa|Citizens Channel

Gjatë 15 ditëshit të parë të muajit maj, rreth 6 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në Durrës nisi operacioni për shembjen e shkollave, pas vendimit të Institutit të Ndërtimit. Njëra pas tjetrës u shembën shkollat 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”, “Bedrie Bebeziqi”, “Qemal Mici”, “Hasan Koçi” si dhe 6 shkolla në njësitë administrative Sukth, Ishëm dhe Rrashbull.

Vitin e kaluar, më 11 dhjetor, u shemb shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”, ndërkohë që institucioneve arsimore të shembura u shtohen edhe disa kopshte. Por nuk përfundon këtu.

Në procesin e Rindërtimit pritet të përfshihen edhe gjimnazet kryesore të qytetit, “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti”, “Olsi Lasko” dhe shkolla e mesme sportive “Benardina Qeraxhia”.

Nëse këtu do të përfshijmë dhe shkollat që do të rikonstruktohen lista zgjatet edhe më shumë. Shtatori rrezikon t’i gjejë nxënësit e sistemit parauniversitar në Durrës pa godina shkollore ku të zhvillojnë mësimin. Ajo që ka tërhequr vëmendjen është fakti që Instituti i Ndërtimit ka vendosur për shembjen e disa shkollave, ku, pas tërmetit të frikshëm të 26 nëntorit, kanë mësuar nxënësit me dy turne, deri në nisjen e pandemisë Covid-19.

Prindërit të shqetësuar

Djali i Liza Marrës, Gersiani, ndiqte klasën e gjashtë në shkollën “Bedrie Bebeziqi”, por në mëngjesin e 26 nëntorit godina arsimore u dëmtua. Pas rikthimit në shkollë në mesin e muajit dhjetor, Gersiani së bashku me shokët e shoqet e tij e zhvilluan mësimin pasdite, tek shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti”. Pandemia Covid-19 i detyroi që për më shumë se dy muaj të zhvillonin mësim online, por lajmi se edhe gjimnazi “Gjergj Kastrioti” do të shembet e ka shqetësuar nënën e tij, Lizën.

Liza Mara, prind i një nxënësi të shkollës “Bedrie Bebeziqi”

“Nëse do të shembet edhe gjimnazi, ku do të mësojë djali? Është gjë e mirë që shkollat do të bëhen të reja, por çfarë do të ndodhë me fëmijët tanë? Një vit e humbën prej tërmetit dhe pandemisë, tani rrezikojnë edhe këtë tjetrin. Deri tani nuk na kanë thënë gjë, por jam e shqetësuar”,- thotë Liza.

Klodian Himallari, është babai i një vajze të mitur që ndiqte klasën e dytë në shkollën “Shaqe Mazreku”. Pas tërmetit, nxënësit e kësaj shkolle e zhvilluan mësimin pasdite, tek shkolla e muzikës “Jan Kukuzeli”. Shkolla e tyre u shemb më 12 maj, por deri tani nuk ka nisur puna për rindërtimin e saj. Oborri i dikurshëm i shkollës shërben tani si parking makinash për banorët e lagjes, ndërsa prindërit luten që punimet të nisin një ditë e më parë.

Klodian Himallari, prind i një nxënëseje të shkollës “Shaqe Mazreku”

“Kam provuar ta çoj në shkollë private, por vajzës nuk i pëlqente, prandaj e riktheva sërish tek “Shaqe Mazreku”. Kur morëm vesh se do shembej na thanë se shkolla do të ishte gati në shtator, por po ikën qershori dhe ende nuk ka nisur puna. Vajza është e vogël dhe e ka të vështirë të bëjë mësim pasdite. Të shpresojmë se nuk do t’i vonojnë nisjen e punimeve”,- thotë Himallari për Citizens Channel.

Ndërsa një maturante e shkollës së mesme teknologjike “Hysen Çela”, A.D. tregon se pas tërmetit u detyruan të zhvillojnë mësimin pasdite në gjimnazin “Dom Nikollë Kaçorri”, në ish-Kënetë. Ndërsa konsultimet 3-javore dhe provimet e maturës i dhanë tek shkolla “Marie Kaçulini”.

“Stres i vërtetë ishte ky vit, për më tepër për ne që kishin provimet e maturës. Shumë konsultime nuk i kam ndjekur rregullisht, pasi shkollën e kisha shumë larg dhe urbanët nuk punonin prej pandemisë. Na janë krijuar boshllëqe, por tani që dhamë edhe provimet e Maturës Shtetërore ndihemi pak më të qetë”,- thotë ajo.

Foto Galeri – Shkollat e shembura të Durrësit

7 muaj nga tërmeti, rikonstruksioni i shkollës “Hysen Çela” nuk ka nisur akoma.

Mbingarkesë nëpër shkolla

Në mbledhjen online të Këshillit Bashkiak të datës 29 maj, anëtari i Këshillit Bashkiak, Tomor Agalliu, (njëkohësisht drejtor i shkollës së mesme “Leonik Tomeo”) ngriti shqetësimin se disa shkolla po përballen me kërkesa të shtuara për regjistrime, pasi prindërit po tentojnë t’i regjistrojnë fëmijët në shkollat e pa dëmtuara, për t’u evituar mësimin pasdite.

Tomor Agalliu, anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës

I kontaktuar nga Citizens Channel, Agalliu u shpreh: “Prindërit kanë marrë vesh për shembjen e gjimnazeve dhe disa prej tyre janë interesuar pranë shkollës sonë për t’u regjistruar. Por ne nuk mund të regjistrojmë përtej kapaciteteve tona, pavarësisht prurjeve të mëdha. Sidomos tani në kohën e pandemisë, kur rekomandohet distancimi fizik. Është një handikap i madh sesi do të nisë viti i ri shkollor. Ndoshta duhet marrë në konsideratë marrja e objekteve me qira, deri në përfundimin e punimeve në shkollat që janë në proces rindërtimi”.

Por krahas kërkesës së shtuar të prindërve për të regjistruar fëmijët në shkollat që i “mbijetuan” tërmetit dhe vendimeve të Institutit të Ndërtimit, në shtator procesi mësimor rrezikon të zhvillohet me dy apo tre turne.

Në qytet janë gjithsej 21 shkolla 9-vje­çare publike dhe 9 shkolla të mesme dhe profesionale. Pesë shkolla 9-vjeçare janë shembur, një tjetër rrezikon shembjen (“Eftali Koçi”), ndërsa “14 nëntori” do të rikonstruktohet. Shkollat e mesme “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti”, “Olsi Lasko” dhe “Benardina Qeraxhia” janë planifikuar të shemben, por ende mungon vendimi i Këshillit Bashkiak. Gjimnazi “Hysen Çela” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Durrësi kthehet në kantier ndërtimi për shkollat, por nxënësit ku do të mësojnë?

 Në Zyrën Arsimore Vendore Durrës janë duke u menduar disa variante për nisjen e vitit arsimor, por ende nuk ka një plan konkret, sepse është e vështirë që në kohën e pandemisë Covid-19 të bëhen parashikime.

Jonida Matohiti, drejtoresha e ZVA Durres

“Është një fakt shumë pozitiv që një pjesë e madhe e shkollave të Durrësit po rindërtohen apo rikonstruktohen. Për sa i përket vitit të ri shkollor ne po marrim në konsideratë disa alternativa, por është ende herët të dalim në një variant final”,- thotë drejtoresha Jonida Matohiti.

Investimet në shkollat e Durrësit

Një pjesë e konsiderueshme e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Durrësit kanë paraqitur problematika të ndryshme, edhe për shkak se janë ndërtuar shumë vite më parë:

  • Gjimnazi “Naim Frashëri”, i ndërtuar në vitin 1970;
  • Gjimnazi “Gjergj Kastrioti”, i ndërtuar në vitin 1967;
  • Gjimnazi “Olsi Lasko”, i ndërtuar në vitin 1956;
  • Shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi”, e ndërtuar në vitiin 1967.

Burime zyrtare të bashkisë thonë për Citizens Channel se procesi i Rindërtimit do të zgjidhë njëherë e mirë problemet e ngritura nga drejtoritë e shkollave dhe Zyra Arsimore ndër vite, si dhe synon të minimizojë në të ardhmen zhvillimin e mësimit me dy turne.

“Janë gjithsej 27 shkolla, kopshte dhe çerdhe që do të rindërtohen apo rikonstruktohen gjatë këtyre muajve në bashkinë e Durrësit. Krahas rindërtimit dhe rikonstruksionit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe UNDP-ja do të realizojnë edhe pajisjen me bazë materiale. Nga procesi i Rindërtimit pritet të përfitojnë 12.201 nxënës shkolle dhe 917 fëmijë që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet.”,- thonë të njëjtat burime.

Ndërkohë, dy shkolla të tjera janë duke u rikonstruktuar me fondet e bashkisë Durrës, pasi punimet në to patën nisur para tërmetit të 26 nëntorit (shkolla 9-vjeçare në Sektor Rinia dhe Hamallaj).

Nga donacionet që vendi ynë mori pas tërmetit të 26 nëntorit, 50 milionë euro janë të destinuara për t’u përdorur për objektet arsimore. Aktualisht në Durrës kanë nisur punimet në shkollat 9-vjeçare “Hasan Koçi” dhe “Njazi Mastori” në njësinë administrative Sukth.

Në këtë të fundit, punimet u inspektuan nga afër nga vetë kryeministri Edi Rama, të shtunën e 20 qershorit. Në përfundim të afatit kohor prej 155 ditësh që i është vendosur firmës ndërtuese për të realizuar objektin, shkolla parashikohet të jetë gati për të pritur 814 nxënës dhe 113 fëmijë të mitur që ndjekin kopshtin.

“Në 26 nëntor do ta hapim”,- tha kryeministri Rama, ndërsa shoqërohej nga Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako dhe përfaqësues të firmës së ndërtimit.

“Po ngremë një infrastrukturë moderne, me standardet më të larta të sigurisë e me kushte optimale për nxënësit e mësuesit. Një pjesë e konsiderueshme e shkollave të reja do të hapin dyert në 26 nëntor dhe në përfundim të kësaj Rilindjeje shembullore nga gërmadhat e 26 nëntorit tragjik të vitit të shkuar, do të kemi 140 shkolla e kopshte të reja”,- shkruante ndër të tjera kryeministri Rama në postimin në rrjete sociale.

Ndërsa Durrësi vuan ende pasojat e tërmetit të frikshëm të 26 nëntorit dhe pandemisë Covid-19 me mijëra prindër e nxënës dhe qindra mësues ngrenë pyetjen se si do të zhvillohet procesi mësimor në shtator. Shumë sheshe ku dikur ngriheshin shkollat ekzistuese presin dritën jeshile për nisjen e punimeve, tashmë kur kanë kaluar 7 muaj nga tërmeti shkatërrimtar. “Rilindja shembullore” e tyre, siç e quan kryeministri Rama nuk ka nisur akoma.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *