Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pas 4 muajsh rikthehen autobusët, probleme me zbatimin e protokollit të sigurisë

Transporti urban ka rinisur sot punën në qytetin e Tiranës pas afro 4 muajsh pezullim për shkak të pandemisë, me një protokoll sigurie të posaçëm.

16 linjat urbane filluan punën pas marrëveshjes midis shoqatave të transportit publik dhe Bashkisë Tiranë, e cila përgjegjësinë për mos respektimin e masave të sigurisë ia delegoi vetë udhëtarëve dhe jo kompanive të transportit, sikurse ishte më herët.

Në pikën 9 të Protokollit të sigurisë për transportin publik thuhet se: “Çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale dhe mosrespektimin e këtij protokolli , si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente të parashikuara nga aktet ligjore në fuqi.” Më herët, çdo thyerje e protokollit të sigurisë të vendosur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga qytetarët ishte një kosto financiare për kompanitë e transportit.

Protokolli i sigurisë

Nga vëzhgimi i realizuar në terren, vihet re se ka frekuentim të linjave të transportit urban, megjithëse nuk është shumë i dendur dhe qytetarët përpiqen të ruajnë distancën fizike.

Shoferët e autobusave, fatorinot dhe pjesa më e madhe e qytetarëve ishin të pajisur me maska mbrojtëse, por kishte edhe raste kur kjo gjë nuk respektohej. Po ashtu mos vendosja e sinjaleve në sendilje për uljen e qytetarëve nuk favorizonte uljen një po një jo, duke lejuar uljen në të dyja sendiljet afër.

Ajrosja e autobusëve përpos temperaturave të larta kryhej përmes dritareve të hapura, pasi ajri i kondisionuar konsiderohet si lehtësues në përhapjen e virusit.

Në pikën shtatë të protokollit të sigurisë përcaktohet qartë që autobusët duhet të jenë të pajisur edhe me postera për respektimin e rregullave të origjinës.

Në cdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjenës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët”,- citohet në protokoll.

Mjetet e transportit urban të Tiranës së Re, Kombinatit-Kinostudio nuk kishin asnjë poster që të diktonte rregullat e mbajtjes së distancës apo higjenës.

Nuk na kanë thënë gjë, nuk e di pse nuk janë vendosur, unë ju them vetë qytetarëve mbani distancën, vini maskat”,- u shpreh një nga fatorinot.

Citizens Channel iu drejtua Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas përse nuk kishin mjetet e transportit qytetas materialet informuese për higjenën dhe distancën. Shoqata u përgjigj se nuk kishin pasur kohë mjaftueshëm meqë vendimi për hapjen e transportit u mor të shtunën më datë 4 korrik 2020, ndërsa puna nisi të hënën më datë 6 korrik 2020.

Duke qenë se vendimi për miratimin e protokollit të sigurisë dhe rifillimin e shërbimit u mor të shtunën, nuk kishte kohë që (të hënë) në mëngjes të paiseshin të gjithë mjetet me materialet informuese. Nga (e hëna) në drekë besoj se të gjithë mjetet janë të pajisur“,-u shpreh Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas.

*Ajo ç’ka vihet re është se përpos përgjigjes, akoma nuk ka një veprim për këtë situatë nga ana e kompanive të trasportit qytetas. Edhe sot, e martë, datë 7 korrik 2020, autobusët janë pa sinjalistikë informuese për ruajtjen e higjenës dhe mbajtjen e distancës.

Transporti publik gjatë pandemisë

Transporti publik u ndërpre më 12 mars 2020, si pasojë e masave ndaj COVID-19. Në maj filloi gradualisht hapja e aktiviteteve shoqërore e tregtare, gjë që u shoqërua edhe me lëvizje të qytetarëve, por jo transporti publik. Më 24 maj Kryeministri Rama deklaroi se qershori do të ishte muaji i hapjes përfudnimtare të aktivieteteve, ndërsa sa i përket transportit publik ai u shpreh se po punohej për hartimin e një srategjie në mënyrë që të mos bëhej shkak për përhapjen e virusit.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/295310284816618/

Në 27 maj, ai deklaroi se transporti publik do të ishte i fundit që do ti rikthehej normalitetit.

Në 29 maj, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se akoma po punohet për një plan në lidhje me transportin publik.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/3003655353036423/

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi më pas se do të riniste puna e transportit publik më 15 qershor. Shoqatat e transportit publik kundërshtuan rinisjen e punës pa plotësuar kërkesat e tyre dhe dolën në protestë.

Pesë kërkesat e parashturara nga ta ishin:

  1. Heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë e transportit publik
  2. Zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e turizmit 6%
  3. Rimbursimin e kapacitetit të munguar si arsye e protokollit të sigurisë
  4. Rimbursimin e kategorive, të cilat përfitojnë shërbimin falas në burim, në respekt të ligjit nr.37, datë 10.04.2014
  5. Pagë shtesë për shtyrjen me një javë të hapjes së shërbimit

Më 23 qershor ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi rifillimin e transportit publik , por pa një datë specifike. Përfaqësues të shoqatave të transportit publik pas deklaratës së ministres së shëndetësisë u shprehën se nuk do të ktheheshin në punë pa u ndryshuar protokolli i sigurisë, dhe pa lehtësira financiare.

Në protokoll përcaktoheshin disa rregulla, që sipas shoqatave ishin të pamundura të respektoheshin nga të gjithë, dhe në rast mos respektimi nga qytetarët, kostoja financiare e gjobave të vendosura nga institucionet mbikqyrëse do të binte mbi kompanitë e transportit. Rregullat ishin: Urbanët duhet të punonin me 70% të kapacitetit në njerëz dhe të respektojnë distancën 1.5 metra; të mos përdoret kondicioneri;hipja dhe zbritja e pasagjerëve të bëhej në dyer të ndryshme si dhe pritja në stacion të ishte në distancë.

Ndërsa pak ditë më parë kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj u shpreh se nëse operatorët e transportit publik nuk do të dalin në punë të hënën, më 6 korrik 2020 do t’u hiqet liçenca.

Fill pas deklaratës, më 4 korrik, shoqatat e transportit publik njoftuan se kishin nënshkruar një marrëveshje me Kryetarin e Bashkisë Veliaj, për rifillimin e transportit qytetas në kushte të reja, duke rishikuar edhe protokollin e sigurisë.

*Informacioni është përditësuar një ditë pas publikimit të shkrimit, pas marrjes së përgjigjes nga Shoqata Kombëtare për Transportin Qytetas. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *