Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nxitimi i kthen në “formalitet” zgjedhjet universitare; “60% e studentëve të përjashtuar nga votimi”

Foto: Shkëputur nga video “Kosh plehrash në vend të kutisë së votimit” | Anila Balla 

Pas shtyrjes pa afat të zgjedhjeve universitare për shkak të pandemisë, Ministria e Arsimit dhe Sporteve njoftoi në fund të qershorit mbajtjen e zgjedhjeve në 30 korrik 2020.

Ky proces është një domodoshmëri tha ministrja Besa Shahini, pasi përfundimi i mandateve në Universitetin e Tiranës ka sjellë mungesë të shërbimeve për studentët.

Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, Ministrja Shahini ka bërë publik edhe  fillimin e procesit zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë më datë 30 qershor 2020.

Urdhri për zhvillimin e procesit zgjedhor në Universite

Duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhemi ku numri i personave të prekur me virus COVID-19 është rritur dhe auditorët janë bosh, mbajtja e zgjedhjeve më 30 korrik ka ngritur një sërë shqetësimet që lidhen me përjashtimin e studentëve nga procesi i votimit.

Njëkohësisht ky vendim bie ndesh edhe me deklaratën e Ministres Shahini më 30 Prill 2020, ku përcaktoi qartë data e mbajtjes së provimeve dhe të rikthimit të auditore të studentëve. Sipas komunikimit për mediat, studentët që ishin në prag diplomimi të të gjithë cikleve do të zhvillonin provimet dhe riprovimet në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit, ndërsa studentët e viteve të para dhe të dyta në të gjitha ciklet do të kthehen në auditor më 25 gusht deri në shtator.

Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit. Të gjithë studentët e tjerë të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme të të gjitha cikleve që kthehen në auditor më 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë tre deri në pesë javore deri në fund të shtatorit. Provimet dhe riprovimet për studentët e viteve të para dhe të ndërmjetme zhvillohen në tetor të vitit 2020″,– u shpreh Ministrja Shahini.

https://www.facebook.com/shahinibesa/videos/615203179096494/

“Në shkollë për të votuar”

Edi Ndrevataj, student në vitin e tretë të ciklit bachelor në degën e matematikës, Universiteti i Tiranës nuk ka asnjë shkak për të shkuar në shkollë, pasi provimet e tij mbyllen më 16 korrik 2020.

Datat e provimeve, dega matematikë

Ersila Bruçi, studente e gazetarisë në vitin e dytë në Universitetin e Tiranës rrëfen për Citizens Channel se ka përfunduar shkollën online dhe për shkak të situatës së pandemisë provimet do t’i zhvillojë në shtator.

Ne i nisim në fillim të shtator sezonin e provimeve. Disa provime i kemi mbyllur që në muajin qershor. Korriku dhe gushti janë pushim dhe nuk do të jem në fakultet, aq më tepër për të votuar“,- u shpreh Ersila.

Për Qëndresën Qytetare, organizatë me fokus kryesor arsimin, mbajtja e zgjedhjeve në këtë datë ështëe paligjshme dhe jo demokratike.

Urdhëri i Ministres së Arsimit Besa Shahini për zhvillimin e zgjedhjeve në datën 30 Korrik, përvecse i paligjshëm, cënon rëndë demokracinë universitare, dhe të drejtën e studentëve dhe pedagogëve për të zgjedhur drejtuesit e tyre në katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet në universitete duhet të jenë modele për zgjedhjet e përfaqësueve të qytetarëve në Parlament apo pushtetin vendor. Si të tilla, zgjedhjet duhet të jenë të ligjshme, të lira, të rregullta dhe gjithëpërfshirëse. Kjo kërkon një zbatim strikt të ligjit për arsimin e lartë dhe rregulloreve të zgjedhjeve në universitete“,-thuhet në deklaratën e Qëndresës Qytetare.

60% e studentëve, të përjashtuar nga zgjedhjet

Juristi dhe përfaqësuesi ligjor i Qëndresës Qytetare Marash Logu u shpreh për Citizens Channel se data 30 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve përjashton tre të pestat e studentëve.

Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 Korrik përjashton tre të pestat e studentëve nga e drejta ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në organet drejtuese të universiteteve publike. Kjo pasi referuar vetë urdhërit të Ministres së Arsimit Nr. 104/2020, studentëve e dy viteve të para Bachelor dhe vitit të parë Master do të kthehen në universitete në muajin Gusht, çka do të thotë se këto tre vite nuk do të jenë kthyer akoma në kohën që zhvillohen zgjedhjet. Pa folur këtu, për faktin që Shqipëria vazhdon të jetë zyrtarisht në gjendjen e epidemisë, numri i rasteve të prekur me COVID-19 dhe viktimave po rritet cdo ditë, dhe autoritetet janë duke vlerësuar mundësinë e karantinimit sërish të qytetarëve”,-sqaron jursit Logu. 

Një pikë e rëndësishme e këtij procesi është edhe marrja e kompetencave nga Ministria e Arsimit për të përcaktuar datën e zgjedhjes. Sipas juristit Marahs Logu ky veprim është i paligjshëm, pasi ligji për arsimin e lartë nuk ia lejon këtë kompetencë Ministrisë.

Marash Logu, jurist

Urdhëri i Ministres së Arsimit përcaktimin e datës së zgjedhjeve në 30 Korrik është i paligjshëm pasi nuk mbështetet në asnjë nen, paragraf apo gërmë të ligjit për arsimin e lartë. Po të lexoni nenet 7 dhe 131 të ligjit për arsimin e lartë—të cituara në urdhërin e Ministres—asnjëri prej tyre nuk e parashikon shprehimisht këtë kompetencë të Ministres. E drejta e Ministrit të Arsimit për të caktuar datën e zgjedhjeve ka qenë e parashikuar në ligjin e vitit 2007 (neni 21, parag.9), por me ligjin e ri kjo e drejtë iu ka kaluar vetë universiteteve, duke qenë se hartojnë në mënyrë të pavarur rregulloret e zgjedhjeve”,-u shpreh ai.

Po ashtu një tjetër problematikë që shoqëron këtë proces zgjedhor është edhe koha në dispozicion për mbajtjen e tyre. Sipas juristit Logu, procesi zgjedhor nuk mund të kryhet brenda një muaji.

Asnjë universitet publik—pa shkelur rregulloren e zgjedhjeve— nuk do të mundë të mbyllë procesin zgjedhor brenda një muaji. Kjo pasi rregulloret e zgjedhjeve kërkojnë minimalisht dy javë kohë për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore, përkatësisht zgjedhja dhe konstituimi i komisioneve zgjedhore, regjistrimi i kandidatëve, shpallja e kandidaturave, fushata zgjedhore, përgatitja e listave dhe materialeve të tjera zgjedhore. Shtuar këtij afati dy javor, edhe periudha një mujorë për zhvillimin e fushatës zgjedhore”, -argumenton Logu.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë: Thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve 

Më 4 korrik 2020 Sindikata e punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë me anë të një letre dërguar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka kërkuar zhtyrjen e zgjedhejve universitare duke argumentuar se mbajtja e tyre në kohë pandemie dhe në mungesë të studentëve janë tërësisht formale.

Në kushte kur numri i të prekurve me COVID-19 shtohet nga dita në ditë, hapja dhe zhvillimi i fushatës për zgjedhje presupozon takime dhe grumbullime studentësh e pedagogësh me kadidatët për dekanë dhe rektorë.

Studentët nuk jan të pranishëm në universitet gjatë muajit korrik. Vetëm studentët e vitit të tretë bachelor dhe ata të vitit të dytë master zhvillojnë provime gjatë muajit korrik. Tre kurset e tjera, përkatësisht kursi I dhe kursi II Bachelor dhe kursi I Master i zhvillojnë konsultimet dhe provimet në muajt shtator dhe tetor.

Zhvillimi i zgjedhjeve në universitet në këtë periudhë nuk krijon mundësi reale të ushtrimit të së drejtës së votës së studentëve, në mënyrë të vecantë atyre me banim ajshtë qytetit dhe rrethit ku ndodhen universitetet“,-janë disa nga argumentet e parashtruara nga sindikata.

Maratona e zgjedhjeve në universitete

Më herët data e mbajtjes së zgjedhjeve në universitetin e Tiranës ishte 8 maj 2020, por për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19, kjo datë u shty. Më 26 mars, Ministria e Arsimit vendosi mbajtjen e zgjedhjeve më 12 qershor dhe fillimin e fushatës më 11 maj, por ky vendim u shoqërua me kundërshti pasi gjendja e jashtëzakonshme ende nuk kishte përfunduar dhe Universiteti i Tiranës ishte pa studentë. Kjo situatë u pasua më 14 prill me pezullim të zgjedhjeve nga Rektori i Universitetit të Tiranës deri në përfundimin e gjendjes së pandemisë.

Më 30 prill, Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin e Tiranës (UT), vendos hapjen e procesit për regjistrimin e kandidatëve për “Rektor” dhe “Anëtar Senati” në UT. Po këtë ditë studentët nisin një fushatë online të quajtur #Jo Zgjedhje pa Studentë në të cilën pretendojnë se procesi është i parregullt dhe në shkelje të ligjit, duke qenë se auditorët do të jenë bosh.

Më 8 maj, studentë dhe aktivistë të Qëndresës Qytetare depozitojnë pranë Gjykatës Administrative një padi për rrëzimin e Urdhrit të Ministrisë së Arsimit për mbajten e zgjedhjeve më datën 12 qershor. Vetëm pak orë më vonë Ministrja e Arsimit Besa Shahini urdhëroi shtyrjen e zgjedhjeve me një afat të pacaktuar, por nuk pezulloi kandidimet.

Më 11 Maj, studentët dhe Qëndresa Qytetare i shtojnë një tjetër pikë objektit të padisë së dërguar 3 ditë më parë: Shpalljen të pavlefshme të vendimeve të KIZ.

Më 3 korrik 2020, u zhvillua seanca e parë përgatitore në Gjykatën Administrative mes përfaqësuesve të Qëndresës Qytetare dhe Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, i cili sipas padisë ka kryer procedura të paligjshme ndër to edhe miratimi i listave të kandidatëve për rektor dhe senat akademik edhe pse zgjedhjet u shtynë.

“Dalja e vendimit është një cështje në diskrecionin e gjykatës, por ne kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur që kjo çështje të shqyrtohet sa më parë. Nëse gjykata do të vendosë të pranojë padinë që ne kemi paraqitur, atëherë zgjedhjet në Universitetin e Tiranës do të konstatoheshin të paligjshme, për rrjedhojë të pavlefshme, çka do të thotë se zgjedhjet në UT duhet të përsëriten duke zbatuar në mënyrë të përpiktë ligjin për arsimin e lartë dhe rregulloren e zgjedhjeve”,- u shpreh për Citizens Channel, Marash Logu.

Maratona e vendimeve dhe kundër-vendimeve për këtë  çështje ka ngjallur jo pak pakënaqësi tek studentët. Anila Balla, dërgoi pranë redaksisë së Citizens Channel këtë video, ku kutitë e votimit zëvendësohen në mënyrë simbolike me koshat e mbeturinave.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *