Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Standarde të dyfishta” – Protestat shpërndahen me dhunë, politika vijon aktivitetin

Në orët e para të mëngjesit të 17 majit, Neritan Liçaj, artist dhe aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit e gjeti veten në tarracën e Teatrit Kombëtar, si tentativë e fundit për ta shpëtuar godinën historike, e cila u shkërmoq disa minuta më pas.

Sa u futën [forcat policore] brenda në teatër të parët, duke ulëritur ‘Dilni jashtë, shpejt, jashtë, jashtë’, unë direkt hipa në çati. Ideja ime ishte të hapja live-in pa bërë zë, të zgjohej Tirana, por ata kishin bllokuan valët“.

Plani i tij për t’u ngjitur në pjesën e sipërme të godinës ishte që të parandalohej shembja, pasi nuk mund të nisnin punimet duke pasur njerëz brenda.

Gjëja e parë që mendova ishte t’i vonoja sa më shumë, që të vinin qytetarët. Në momentin që shkoj në çati, e kanë të pamundur ta godasin sepse rrezikojnë jetë njerëzish. Po ata as për këtë nuk pyetën“.

Neritan Liçaj, artist dhe aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Liçaj u rrethua shpejt  nga forca të shumta policore dhe u nxor jashtë mjediseve të teatrit, për t’u shoqëruar më pas te komisariati numër katër.

Goditja e ballinës së Teatrit Kombëtar u bë gjatë kohës që kishte njerëz brenda, aktivistë por edhe trupa policore, pohon Liçaj për Citizens Channel.

Ata e kishin godit më përpara, sepse unë i ndjeva goditjet kur isha brenda. Ky ishte krim, të godasësh, jo pa nxjerrë materialet sepse janë zënë poshtë, por pa nxjerrë edhe njerëzit… kjo është tentativë për vrasje. Kur pashë që goditi ballinën dhe ajo ra, aty m’u thërrmua gjithë bota“.

Me dhunë dhe arrestime u shpërnda edhe protesta e datës 24 qershor, një ditë pas mbarimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Lavdosh Ferruni, organizator i protestës në mbrojtje të lumenjve, bashkë me 12 qytetare të tjerë u shoqëruan në komisariat. Mbi ta u ngarkuan tre vepra penale.

Lavdosh Ferruni – Foto: Citizens Channel

Ai pohon se organet e policisë ishin njoftuar konform ligjit rreth këtij tubimi dhe shpjegon se nuk ka marrë asnjë njoftim nga policia se protesta ishte e paligjshme

Ne kemi dorëzuar në polici njoftimin me gjithë kërkesat që ka ligji për pjesëmarrësit, parullat që do hidhen, itinerari që do ndiqet, orari. Madje, një element shtesë që paraqitet te njoftimi ishte që do respektojmë distancimin social“.

Në këndvështrimin e Ferrunit, policia pati një tjetërsim gjatë zhvillimit të marshimit drejt Kryeministrisë, ku aktivistët u rrethuan nga policia por edhe persona civilë, me anë të një kordoni dhe u pengua marshimi.

Në fillim [policia] ishte korrekte, ne u grumbulluam, nuk pati asnjë njeri nga drejtuesit e policisë që të na thoshte diçka për tubimin që po organizonin te Monumenti i Pavarësisë. Sa kaluam urën e Lanës u rreshtua një kordon, me dhjetëra policë, që kërkuan të mos vazhdonim drejt Kryeministrisë. Ishte, mesa duket, çështje telefonash“.

13 aktivistët e ndaluar në protestë, u mbajtën mbi pesë orë në komisariat dhe u janë marrë të dhëna të detajuara.

Ata merrnin të dhëna jo të përshtatshme për një qytetar që mund të ketë bërë edhe një shkelje rregullash, duke filluar me peshën, gjatësinë trupore, edhe veshjen, fotografi ballore, në profil, që i kemi parë nëpër filma si raste të arrestimeve të krimeve të ndryshme që mund të kenë kryer“.

Kjo mënyrë e të vepruarit, sipas Ferrunit, është një formë për të intimiduar dhe frenuar qytetarët të cilët janë të zëshëm në shoqëri.

I gjithë ky veprim i policisë është thjesht një lloj presioni për të frustruar qytetarët që protestojnë, sidomos për çështje të mjedisit, ku dihet që ne po protestonim për të mbrojtur lumenjtë, nga HECvirusi. Natyrisht cenohen interesa të shumë ‘shushunjave’“.

Pandemia, bashkë me qytetarët “izoloi” edhe tubimet

Me aktin normativ të datës 15.03.2020, qeveria shqiptare, ndër të tjera, ndaloi të drejtën e tubimit gjatë periudhës së koronavirusit dhe u tërhoq  përkohësisht nga neni 8 dhe 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megi Reçi, përfaqësuese Civil Righs Defenders në Shqipëri, tregon se këto masa marra gjatë periudhës së pandemisë në Shqipëri krijojnë efekt frikësues te qytetarët.

Në prill të këtij viti shteti shqiptar derogoi nga disa nene të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke përshirë edhe nenin 11, i cili garanton lirinë e tubimit dhe organizimit“, shpjegon ajo teksa thekson se ndëshkimi për individët që organizojnë tubime në kohë pandemie është jo-proporcional.

Megi Reçi, juriste dhe përfaqësuese e Civil Rights Defenders në Shqipëri

Akti normativ, i miratuar në kuadër të masave anti-Covid, parashikoi një gjobë prej 5 milionë lekësh të reja për organizuesit e tubimeve. Kjo gjobë është e barabartë me 95 paga bruto të një qytetari shqiptar me pagë mesatare, rreth 400 euro ne muaj“.

Ndalimi i protestave, shoqëruar me paqartësitë ligjore, dekurajon të drejtën e tubimin, vijon më tej Reçi dhe pohon se situata mund të ishte menaxhuar tjetërsoj.

Në këndvështrimin tim, si dhe duke parë praktikën e shumë vendeve evropiane, këto kufizime mund të ishin shmangur, duke e lejuar ushtrimin e drejtës së tubimit me detyrimin për të respektuar masat për mbrojtjen e shëndetit“.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në një deklaratë zyrtare, e ka konsideruar të drejtën e tubimit dhe organizimin paqësor si liri themelore e njeriut, të garantuar nga Kushtetuta, ligjet e Shqipërisë, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut  dhe dokumentet e tjera ligjore ndërkombëtare.

Sa u zbatua akti normativ i datës 15.03.2020?

Avokati Adriatik Lapaj tregon se në legjislacionin shqiptar nuk ekziston koncepti i “marrjes së lejes” për të zhvilluar një protestë.

Në kuptim të terminologjisë që ligji në fjalë përdor, nuk njihet koncepti i marrjes së lejes në polici për zhvillimin e tubimit, por në çdo rast organizatori duhet të njoftojë policinë me shkrim“, informon Lapaj, teksa bën me dije se shkresa i dërgohet Drejtorisë së Policisë.

Njoftimi me shkrim, sipas ligjit Nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet” duhet të përmbajë:

  1.  Identitetin dhe adresën e drejtuesit dhe të organizatorit të tubimit;
  2. Qëllimin e tubimit;
  3. Datën, vendin, orën e fillimit dhe të përfundimit të tubimit dhe itinerarin e tij (nëse ka të tillë);
  4. Numrin e përafërt të pjesëmarrësve dhe numrin e personave ndihmës në mbarëvajtjen e tubimit;
  5. Personat që do të flasin në tubim.

Ndalimi i grumbullimeve gjatë pandemisë, nuk do përbënin problem sipas Lapajt, nëse kjo do të ishte zbatuar dhe nga vetë politikanët në Shqipëri, gjë e cila nuk ka ndodhur, vijon ai.

Nëse ndalon qytetarët të ushtrojnë një të drejtë kushtetuese në funksion të eliminimit të grumbullimeve me qëllim shmangien e shpërndarjes së sëmundjes atëherë kjo vlen njësoj dhe për shtetin, organet shtetërore kanë detyrimin të ndalojnë çdo aktivitet“.

Adriatik Lapaj, avokat

Akti Normativ i datës 15.03.2020, në nenin 3/pika 2, ndalon çdo lloj aktiviteti kulturor, sportiv, konferenca apo grumbullime masive, duke përfshirë dhe koncertet.

Subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit”.

“Standarde të dyfishta” – Politika nuk ndalet nga COVID-19

Megjithatë, në datë 23 qershor Bashkia Tiranë ka organizuar një koncert në zonën e Amfiteatrit te Liqeni Artificial i Tiranës.

https://www.facebook.com/watch/?v=2626456067593283

Disa ditë më herët, në datë 11 qershor, në 100-vjetorin e luftës Kombëtare të Vlorës, u inaugurua busti i Selam Musait te zona e Komunës së Parisit.

Në videon e publikuar në profilin e kryebashkiakut Veliaj, shikohen politikanë dhe figura të tjera, të cilët nuk ruajnë distancën sociale dhe nuk mbajnë maska.

https://www.facebook.com/watch/?v=566828174034701

Në fillim të muajit qershor, në ditën e fëmijëve, u inaugurua Parku “Rinia”. Fëmijë të shoqëruar me prindër mbushën mjedisin e ri.

https://www.facebook.com/watch/?v=701198790645332

Stërkëmbëshat ligjorë në të drejtën e tubimit

Vendimi i datës 21.12.2018 “Për përcaktimin e disa kundërvajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në territorin e Bashkisë Tiranë” ndaloi zënien e hapësirës publike me pankarta apo banderola pa lejen e këtij institucioni.

Neni 7/pika 1 thotë: “Ndalohet zënia e hapësirës publike dhe hapësirave mbi apo nën të, në territorin e Bashkisë së Tiranës, qoftë edhe përkohësisht, me çfarëdo lloj sendi apo objekti pa lejen apo autorizimin e bashkisë apo strukturës përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre“.

Organizatat e Shoqërisë Civile iu drejtuan me një letër këtij institucioni, duke theksuar se një vendim i tillë cënon të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes.

Me datë 25 qershor 2019, Jani Marka, aktivist i Organizatës Politike u gjobit me vlerën 20.000 lekë pasi organizoi tubimin  paqësor në Tiranë, me motivin se janë  zënë hapësirat publike pa miratimin e strukturave përgjegjëse.

Liria e tubimit në raportet ndërkombëtare

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2018-2019, thekson se kuadri ligjor shqiptar ne lidhje me zhvillimin e protestës duhet qartësuar pasi ka amulli nëse qytetarët duhet të marrin leje apo duhet thjesht të lajmërojnë për zhvillimin e tubimit.

Ligji gjithashtu duhet të adresojë të drejtën për protestë spontane, kundërprotestën dhe të lehtësojë procedurën e njoftimin për zhvillimin e protestës, shkruhet në raport.

Organizata “Civil Rights Defenders”, në raportin e vitit 2019, informon se Shqipëri ka pasur ndërhyrje në të drejtën për t’u organizuar në mënyrë paqësore.

Në praktikë, e drejta për t’u organizuar në protesta paqësore dhe pjesëmarrje në to ka disa pengesa. Demonstratat nga grupet qytetare kanë qenë përgjithësisht paqësore, por raportet kanë treguar forma të ndryshme të ndërhyrjes së shtetit në të drejtën për t’u organizuar“, shkruhet më tej, ku vijëzohet sërish paqartësia në “të marrin leje” apo “njoftimit”.

Ekziston një mospërputhje midis Ligjit Nr. 8773 nga 23.4.2001 “Për tubimet”, i cili parashikon vetëm procedurat e njoftimit, pa lejen paraprake dhe, nga ana tjetër, Kushtetutës shqiptare, e cila përcakton që organizimi ose pjesëmarrja në manifestime të paligjshme përbën kundërvajtje penale“.

Raporte të tjera theksojnë se procedura e marrjes së lejes në shtete si Shqipëria është komplekse dhe kërkon kohë, duke theksuar se bashkitë shpesh kthehen në pengesë për organizatorët, duke vendosur ligje shtesë. Autoritetet kanë gjobitur individë për “pjesëmarrje në tubime të paligjshme” me vlerë 500 euro, shkruhet në raportin “E drejta e tubimit paqësor në Ballkan“.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *