Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Turistët e pakët, artizanët gjirokastritë në mbijetesë ekonomike

Blerim Kore |Citizens Channel |Gjirokastër 

Dalta dhe çekani i drugdhendësit Anastas Petridhi godasin ritmikisht mbi copëzën e drurit ndërsa ai po realizon suvenirin e radhës. Mjediset e qendrës së tij të artizanatit, në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës, janë të tejmbushura nga punimet karakteristike të realizuara në gdhendje druri.

Në shitoren e gurtë syri të zë punë nga më të larmishmet, duke nisur nga suveniret me motive historike si: shqiponja apo profile të figurave të shquara e deri tek punimet karakteristike me motive floreale apo dekoracione të ndryshme.

Ndërsa e ndërpret punën për tu çlodhur disi dhe për të bashkëbiseduar me ne, drugdhendësi Anastas thotë se, ky fund qershori është mjaft i ndryshëm krahasuar me vitet e kaluara për sa i përket tërheqjes së suvenireve nga turistët.

“Si shkak i pandemisë së koronavirusit  turistët në zonën muzeale janë mjaft të pakët, çka ka bërë që pjesa më e madhe e punëve të realizuara prej nesh të ngelen të pa shitura,  duke na shkaktuar edhe humbje të mëdha ekonomike”,- pohon mjeshtri drugdhendës.

Periudhën e karantinës  artizanët në Gjirokastër e shfrytëzuan për realizimin e punimeve karakteristike në kushtet e shtëpisë me shpresën se gjatë sezonit të verës ato do të tregtoheshin.

Në këtë fund qershori në rrugët e Pazarit të gurtë, nuk të zë syri turistë ndërkohë që disi gjallëri ka vetëm gjatë fundjavës nga vizitorët vendas. Kjo situatë ka bërë që pjesa më e madhe e bizneseve të artizanatit të mos tregtojnë asgjë duke rrezikuar mbylljen dhe falimentimin”, -shprehet drugdhendësi Anastas.

Rritja e ndjeshme e vizitave gjatë viteve të fundit nxiti edhe rikthimin e traditës së artizanatit në Gjirokastër dhe prodhimin e suvenireve për vizitorët vendas dhe të huaj. Vetëm në zonën historike numërohen rreth 110 biznese dhe qendra artizanati, të cilat ofrojnë për turistët punime tradicionale në gur të skalitur, gdhendje druri, tekstil.

Artizani Viktor Nurçe  ushtron aktivitetin e përgatitjes së suvenireve në drugdhendje,  në njërën prej godinave të gurta përgjatë “Rrugës së Zejtarëve”. “Aktualisht pandemia e koronavirusit dhe mungesa e turistëve në Gjirokastër ka bllokuar plotësisht veprimtarinë tonë ndërsa pjesa më e madhe e bizneseve në Pazarin e gurtë qëndrojnë më kot të hapura pasi nuk tregtojnë asnjë produkt”, -shprehet drugdhendësi.

Viktor Nurçe, artizan

Megjithëse rruga e kalldrëmtë ku ai zhvillon aktivitetin njihet si “Rruga e Zejtarëve” sërish në këtë pjesë të Pazarit qepenat e dyqaneve qëndrojnë të mbyllura. Megjithë vlerat e saj të veçanta historike dhe ndërtimore sërish përgjatë rrugës së kalldrëmtë mungojnë turistët, të cilët vitin e kaluar kanë qenë të shumtë.

Rruga e Zejtarëve, Pazari i Gjirokastrës

“Ajo çka na mban disi gjallë punën tonë janë vetëm porositë e banorëve të qytetit, për punime ne dru, kryesisht dekoracione apo edhe blerjet e atyre pak turistëve vendas që po vizitojnë Gjirokastrën në këtë periudhë’, -shprehet Nurçe.

Në të njëjtën situatë të mbijetesës ekonomike ndodhen të gjitha bizneset e artizanatit në zonën historike të Gjirokastrës ndërsa si shkak i mungesës së turistëve punimet e tyre qëndrojnë të pa shitura.  Për këtë shkak humbjet ekonomike për ta janë të konsiderueshme duke e bërë evident rrezikun e falimentimit dhe mbylljes së aktivitetit.

Dhoma e Tregtisë apel për mbështetjen e bizneseve turistike

Problematika e rrezikut të falimentimit të bizneseve turistike në zonën muzeale të Gjirokastrës por ngrihet edhe nga Dhoma e Tregtisë  në qytetin e gurtë. Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë, Maksi Hoxha, jo vetëm qendrat e artizanatit por edhe hotelet, bujtinat apo bizneset e tjera turistike në zonën historike po përballen me mungesën e klientëve në këtë periudhë dhe rrezikun e mbylljes së tyre.

Pandemia e koronavirusit dhe mungesa e turistëve  po i çon në zgrip të ekzistencës këto biznese. Madje megjithë nisjen e sezonit të verës sërish disa prej aktiviteteve të biznesit në fushën e turizmit nuk i kanë çelur dyert”, -shprehet Hoxha.

Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë, një pjesë e bizneseve kanë përfituar nga mbështetja financiare e qeverisë për dëmet e shkaktuara nga pandemia por sërish kjo është pak krahasuar me investimet e bëra.

Përgjatë vitit të kaluar Gjirokastra u vizitua nga mbi 160 mijë turistë çka i nxiti bizneset dhe qendrat e artizanatit të llogarisin investime të konsiderueshme për turizmin ne 2020. Mjaft prej hoteleve, bujtinave turistike apo lokaleve të shërbimit në Pazar kanë marrë kredi për të mbështetur aktivitetin duke e bërë të vështirë mbijetesën e tyre ekonomike në këtë periudhë”, -shpjegon kryetari Hoxha problematikat me të cilat përballen bizneset në zonën muzeale.

Në këtë drejtim, sipas tij, më të rrezikuarat janë edhe qendrat e artizanatit dhe tregtimit të suvenireve pasi si shkak i mungesës së vizitorëve ato po rrezikohen çdo ditë e më shumë nga falimentimi.

Këshilli bashkiak : Zero taksa për bizneset në zonën muzeale

Për të zbutur disi problematikat ekonomike me të cilat po përballen bizneset e zonës muzeale në Gjirokastër, duke përfshirë edhe qendrat e artizanatit, pushteti vendor po koordinon punën me masat e ndërmarra nga qeveria për shpëtimin e tyre nga mbyllja dhe rreziku i falimentimit. Sipas kryetarit të Bashkisë Flamur Golemi,  krahas masave të mara për lehtësimin e vizitave turistike në muzeumet dhe objektet monument kulture po bashkëpunohet  me operatorët turistikë për zgjerimin e itinerareve lokalë duke përfshirë në to edhe qendrat e artizanatit.

Ne po koordinojmë punën me faktorët lokalë në fushën e turizmit për të lehtësuar problemet ekonomike me të cilat përballet ky sektor duke ndihmuar kështu edhe aktivitetin e qendrave të artizanatit. Në këtë mënyrë bëjmë të mundur mbijetesën e tyre jo vetëm si aktivitete biznesi por edhe si vlera të promovimit dhe prezantimit të traditës”,- pohon kryebashkiaku

Golemi. Ndërkohë edhe Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës ka vendosur heqjen e taksave dhe tarifave lokale për bizneset e zonës muzeale, nismë e cila synon të ndihmojë aktivitetin ekonomik të tyre dhe vazhdimësinë e punës së qendrave të artizanatit gjatë periudhës së verës.

Rritja e vizitave turistike, e vetmja shpresë

Duket se rritja e vizitave nga turistët e qytetit të Gjirokastrës gjatë periudhës së verës ngelet e vetmja shpresë për mbijetesën e artizanëve të qytetit të gurtë.

Edhe pse qeveria qendrore na akordoi pagat e luftës sërish pjesën më të madhe të tyre ne e përdorëm për pagesën e taksave, sigurimeve shoqërore, qerasë, etj të cilat  në total kapin një vlerë prej rreth 80 % të kësaj page lufte duke bërë që për të ardhurat e përditshme familjare të ngelen fare pak vlerë monetare”, -shprehet drugdhendësi Anastas Petridhi.

Ndërkohë edhe pse në rang lokal është ndërmarrë nisma e heqjes së tarifave vendore përsa i përket taksave të pastrimit, ndërtesës, apo sipërfaqeve në përdorim sërish artizanët shprehen se kjo i lehtëson pak nga vështirësitë e krizës ekonomike.

Në vit ne paguajmë rreth 100 mijë lekë të vjetra tarifa vendore kështu që heqja e tyre nuk na i lehtëson humbjet që ka shkaktuar pandemia në bizneset tona”, -shprehen artizanët.

Në këtë situatë e vetmja shpresë mbijetesë për ta është mundësia e rritjes së vizitave së turistëve gjatë stinës së verës, dukuri që do të varet nga ecuria e pandemisë qoftë edhe në nivel botëror.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *