HEC-i Gurra në madhesh i parë nga ura e amortizuar që lidh dy anë të liqenit. Foto: Esmeralda Keta | Citizens Channel

Autore: Esmeralda Keta | Citizens Channel

I fshehur mes vargmaleve të Skënderbeut, i pasur me burime ujore nga njëra anë dhe me liqenin e Shkopetit nën këmbët e tij, fshati Madhesh në njësinë administrative Ulëz, rrezikon të mbetet pa ujë të pijshëm. Shkak për “thatësirën” që kërcënon fshatin, i cili noton në burime ujore, është ndërtimi i dy HEC-eve, njëri prej të cilëve ka përfunduar dhe tjetri e ka projektin gati.

Buzë rrugës nacionale, por që nuk e lidh asgjë me të, i fshehur mes pyjeve të dendura dhe me kullat e lashta të të parëve, fshati Madhesh mund të konsiderohet një mrekulli e natyrës, e cila po rrezikohet nga ndërtimi i HEC-ve. Njëri prej tyre, “HEC Gurra”, pavarësisht luftës dy-vjeçare të banorëve ia arriti të ndërtohet dhe tashmë ka filluar punën.

Gjergj Gjegji, ish kryeplak i fshatit, që po lufton të ruajë të paprekur natyrën, rrëfen për “Citizens Channel”, se pavarësisht shkeljeve flagrante në këtë projekt, askush nuk i mori në konsideratë pretendimet e atyre që jetojnë në këtë fshat.

“Ai HEC është ndërtuar mbi falsifikime, madje edhe dëgjesa publike nuk është bërë e drejtë dhe jo në dijeninë tonë, më kanë thënë që në atë dëgjese publike ishte edhe firma ime. Ne si banorë e kemi kundërshtuar ndërtimin e këtij HEC-i, por prokuroria na tha se nuk gjen elementë të shkeljes së ligjit dhe kështu sot HEC-i është vënë në punë, por jeta e banorëve është përkeqësuar”, rrëfen Gjergji.

Vetë banorët , të cilët preferojnë të mos identifikohen me emër, thonë se ndërtimi i HEC-it ka ndikuar për keq në jetën e tyre të përditshme.

“Nuk kemi as rrugë, as shkolla, as spital…Madje, edhe pse jemi buzë hidrocentralit të Shkopetit vuajmë shpesherë edhe për drita. Ne vetëm me bujqësi rrojmë dhe bujqësi pa ujë nuk ka. Për këtë ujë të pijshëm dhe për vaditje në fshat ka pasur edhe vrasje, ndërsa këta vijnë e marrin dhe e fusin në tuba sikur të jetë uji i tyre. Uji është i të gjithë fshatit”, – na thotë njëri prej banorëve, një mesoburrë i shkurtër, i cili e ka të lidhur jetën me këtë fshat e pazgjidhshmërisht edhe me ujin.

Pavarësisht pretendimeve të firmës, se në zonën nuk shumë shtëpi banimi dhe pjesa më e madhe e banorëve janë larguar, vetë ata që jetojnë në fshat thonë se burimet e Gurrës shërbejnë për të vaditur një pjesë të konsiderueshme të tokave të Madheshit.

“Sipër HEC-it ndodhte lagjja Gurra, me të vërtetë nuk jeton më njeri aty, sepse nuk ka rrugë, nuk ka shkollë për fëmijët dhe tani së fundmi nuk ka më as ujë, por askush nuk e ka shitur tokën e shtëpinë dhe gjatë verës thuajse të gjithë kthehen dhe i punojnë. Në atë zonë janë disa ujëvara dhe burime ujore, ndaj edhe quhet lagjja Gurra, të cilat të gjitha tani janë futur në tuba betoni dhe shkojnë tek HEC-i. Por edhe pjesa tjetër e fshatit, ujin për vaditje e merrte pikërisht nga lagjja Gurra nëpërmjet një kanali rreth 6 km të gjatë, të ndërtuar që në vitet e monizmit. Tani nuk ka më ujë se e merr HEC-i”, – na sqaron një tjetër banor i Madheshit, rreth të 50-ave, të cilit shenjat e përzhitjes nga dielli, e duart gjithë kallo nga puna në bujqësi mund t’ia dallosh lehtësisht.

I imët në trup, por shumë energjik ai nuk resht së foluri për atë se çfarë po i ndodh fshatit të tij. “Vetëm me emër e foto nuk dua, se këta ta marrin si personale”, – na thotë teksa i kërkojmë t’i shkrepin një foto.

Ndue Kalthin, e takojmë anës rrugës nacionale. Ka qenë në shtëpinë e të parëve për të mbjellë perimet e stinës dhe së bashku me bashkëshorten pret  për ndonjë makinë të rastit për në Laç, ku edhe jeton prej vitesh. “E shikoni buzë liqenit e mendoni se ka ujë? Jo mor jo, asnjë pikë ujë nuk kemi. I shikoni të gjitha tokat djerr se edhe atë që kishim po na e marrin”, na thotë Ndue, i cili shpjegon edhe sepse vendosi të lërë fshatin e tij të zemrës.
“Vetëm për fëmijët, sepse këtu nuk ka as rrugë, as shkolla e asgjë për fëmijët, pa për ne kjo është parajsa”, – rrëfen ai.

Ndue kalthi, banor i Madheshit, pret një makinë të rastit për tu kthyer në Lacc pasi bëri një vizitë në tokën e tij

Ndërsa HEC-Gurra ka filluar të shfrytëzojë pasurinë më të madhe të kësaj zone, vetë banorët nuk kanë parë asnjë investim. Qoftë edhe për të vetmin mjet komunikimi që kanë me “botën” e urbanizuar, që është një urë pasarele. Asaj i mungojnë pjesa më e madhe e dërrasave dhe është thuajse e pakalueshme.

“Ura e lënë përgjysmë” mes banorëve dhe firmës që ndërtoi HEC-in

Por ndryshe nga pjesa tjetër e banorëve, kryeplaku i sapo zgjedhur Zef Gjegji, i cili edhe ai jeton në Laç, por thotë se vjen çdo ditë të ndjekë nga afër jo vetëm problemet e këtij komuniteti, por edhe kujdeset për tokën e tij, thotë se HEC-i Gurra nuk ka ndikuar në zvogëlimin e sasisë së ujit për vaditje.

“Në lagjen Gurra, ku edhe kam shtëpinë time, të gjithë janë larguar dhe vetëm unë shkoj e kujdesem për tokat dhe ujë ka mjaftueshëm. HEC nuk i prish punë askujt”, thotë Gjegji. Madje sipas tij, ndërtuesi ka ndihmuar edhe për riparimin deri në gjysmë, të urës pasarelë që e lidh këtë lagje me rrugën kryesore.  Si pasojë prej vitesh lëvizja bëhet me varka, pasi në urë është e pamundur të kalosh.

“Aktualisht pasarela është lënë në gjysëm për mungesë dërrasash, por së bashku me ndërtuesin e HEC-it, do të mbyllim edhe pjesën tjetër në mënyrë që ajo të behët e kalueshme, pasi në këtë gjendje është pak e frikshme” – na thotë ai.

Por, kur banorët e fshatit Madhesh kanë filluar e ndiejnë pasojat e HEC Gurra, po kërcënohet edhe nga ndërtimi edhe i një HEC-i tjetër. Bëhet fjalë për HEC Madhesh, me një fuqi prej 930 KW, i cili parashikohet të mbledhë ujërat e përroit dhe lumit të Lunresë, do të kalojë mes përmes një zone që është krejtësisht e paprekur, uji do të futet nëpër tuba dhe do të shkojë tek godina e HEC-it që do të ndërtohet në fshatin Madhesh, edhe ky buzë liqenit të Shkopetit.

Banorët e kundërshtojnë ashpër ndërtimin e një HEC-i tjetër dhe kanë firmosur një peticion me 84 firma ku kërkojnë të mos avancojnë procedurat që do t’I jepte dritën jeshile një projekti të tillë. Ata shprehen të bindur se nuk do të lejojnë që ky HEC, të ndërtohet “në të vetmen pasuri që ata kanë”.

“Ne nuk jena të pasur, të vetmen pasuri që kemi janë këto kullat e gurit dhe kjo natyrë që na kanë lënë trashëgim të parët tanë, e këtë pasuri ne e kemi detyrim që t’ua lëmë fëmijëve tanë. Ujin tonë nuk mund ta preki askush”, – na thonë banorët ndërsa na tregojnë peticionin e firmosur nga një pjesë e madhe e banorëve.

Fotogaleri: Ankesa e banorëve të Madheshit drejtuar Bashkisë Mat dhe peticioni firmosur nga 84 banorë

Banorët pretendojnë se madje firma ka nisur të ashtuquajturat dëgjesa me publikun në mënyrë të fshehtë, gjatë kohës së pandemisë,  pa lajmëruar askënd nga fshatrat që preken nga projekti.

“Në një kohë kur askush nuk lejohej të dilte nga shtëpia dhe të kishte grumbullime, diku rreth datës 10 prill, përfaqësuesit e firmës kanë zhvilluar një gjasme konsultim me banorët e fshatit. Në këtë takim merrnin pjesë tre katër përfaqësues të firmës, 5 banorë të dy fshatrave Lundre dhe Madhesh si dhe kryeplaku I fshatit Madhesh dhe kryeplaku i fshatit Lundre…nëse ata e konsiderojnë të kryer dëgjesën publike, është problem I tyre, sepse ne jemi 100 shtëpi e nuk mund të na përfaqësojnë 2 persona”, – na thonë të irrituar banorët, të cilët pretendojnë se i kanë parë duke zhvilluar këtë takim në anën tjetër të fshatit, si pasojë ka pasur edhe një incident të vogël mes banorëve dhe grupit të mbledhur për “dëgjesën publike”.

Kliko këtu për të shfletuar dokumentin e plotë

Sipas raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, firma pretendon se po ndërton në një zonë “shumë pak të banuar”.

“Popullsia e këtyre fshatrave ka migruar dhe emigruar. Madheshi sot ka mbi 100 shtëpi, me mbi 1000 banorë, nga të cilët rreth 400 jetojnë në emigrim”, thuhet në raportin e hartuar në vitin 2020.

Absurde është edhe fakti se pikërisht duke pretenduar se aty nuk jeton më njeri, firma ka parashikuar që ta marrë të gjithë ujin e rrjedhshëm dhe të mos lerë asnjë pikë as për vaditje.

“Uji që do të lihet për vaditje nuk ka sepse nuk ka kërkesa për vaditje në këtë zonë”, thuhet në faqen 26 të këtij raporti, ndërsa flitet për ndikimet në balancën e ekosistemit që do të ketë ndërtimi i këtij HEC-i.

Po ashtu kjo zonë ka statusin e zonës së mbrojtur të kategorisë së IV, por firma pretendon se vetëm shtyllat e transmetimit të energjisë do të futen në këtë zonë.

“Të gjithë objektet e HEC-it do të ndërtohen jashtë zonave të mbrojtura, përveç linjës elektrike e cila do të kalojë në zonën e mbrojtur “Liqeni i Ulzës”, Rezervat Natyror i Menaxhuar Park Natyror Rajonal- IV”, thuhet në raport.

Më tej raporti sqaron se jo vetëm që HEC-I nuk do të ketë ndikim në mjedis por madje do të përmirësojë kushtet e jetesës së banorëve.

“Realizimi i projektit për ndërtimin i HEC-it nuk do të ketë ndikime në lëvizjen apo zhvendosjen e popullatë së zonës. Studimi dhe realizimi i tij ka si objektiv kryesor prodhimin e energjisë elektrike e cila do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit të zonës, duke ju krijuar mundësi punësimi, i cili mund të jetë sezonal (gjatë ndërtimit) ose i përhershëm (gjatë shfrytëzimit). Vepra do të ndikojë në furnizimin me energji elektrike duke hyrë në sistemin energjitik kombëtar nëpërmjet nënstacionit më të afërt ose duke shërbyer si një garanci energjitike rezervë për zonën”, thuhet në raport.

Banorët nga ana tjetër pretendojnë se ata po merren me “korijen e një fshati”, i cili ka dëshmuar se di ta ruajë. “Megjithëse një pjesë e madhe janë në emigrim, sërish askush  as nuk e ka shitur shtëpinë e as tokën në këtë vend. Përse mendoni ju se në gjithë këtë zonë nuk është vënë një sëpatë mbi pemë? Mendoni se nuk ka pasur njerëz që kishin interesa? Kjo zonë është kështu sepse e kemi ruajtur të gjithë ne, pak rëndësi ka nëse jetojmë këtu në Madhesh apo jetojmë jashtë. Një gjë është e sigurt, se një ditë do të duam të gjithë të kthehemi sërish këtu”- shpjegon një tjetër banor i këtij fshati, baba i tre fëmijëve, i cili ndonëse me familjen e tij, e ka ndërtuar jetën në një qytet tjetër, vjen shpesh dhe kujdeset për shtëpinë dhe tokën.

Banorët e fshatit Madhesh pretendojnë se pas këtij projekti qëndrojnë familjarë të kryetarit të bashkisë së Burrelit, Agron Malaj, bashki e cila e ka nën administrim edhe këtë fshat. Firma, që  ka marrë aprovimin paraprak në Ministrinë e Energjitikës ka bërë gati edhe vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Sipas Raportit të Ndikimit në Mjedis, thuhet se raporti bëhet për llogari të firmës “A.R.M. shpk.”. Citizens Channel hulumtoi në regjistrin elektronik të regjistrit të biznese dhe firma “A.R.M.” ka si administrator të vetëm, Fatos Malajn,  i  cili është vëllai i kreybashkiakut të Burrelit, Agron Malaj.

Majtas: Ekstrakti i kompanisë A.R.M Albania, djathtas dokumentet shoqëruese për HEC-in realizuar për llogari të kompanisë

Abdulla Diku, ekspert i çështjeve mjedisore, shprehet se ndikimi në mjedis është i padiskutueshëm.

“Mjafton ta shikosh me sy të lirë, se sa e ka prishur imazhin e asaj natyre të mrekullueshme ai HEC që është ndërtuar buzë liqenit të Shkopetit. Pastaj çdo vepër që e merr ujin nga rrjedha e natyrshme e tij, dhe e fut në disa tuba, është e kotë të diskutosh që nuk ka ndikim”, – shpjegon ai.

Abdulla Diku – Ambientalist

Madje ndërtuesit sugjerojnë se “Ndërtimi i HEC-it shoqërohet me përmirësimin e infrastrukturës rrugore në afersi të HEC-it, e cila e kombinuar me bukuritë e rajonit, gjithmonë do të jetë atraktiv për turistet vendas dhe të huaj”.

Të “paditur” dhe të prerë në besë nga ndërtimi i HEC Gurra, banorët e kësaj zone thonë se janë të vendosur që të mos lejojnë ndërtimin e një tjetër HEC, pavarësisht se kush qëndron pas tij.

“HEC Gurra ka zhdukur dy ujëvara të mrekullueshme që ishin në atë zonë dhe ishin një joshje për turistët që vizitonin këtë zonë, nuk do të lejojmë që e njëjta gjë të ndodhë edhe me pjesën tjetër të fshatit. Nëse shteti nuk ka bërë asgjë për ne përgjatë këtyre viteve, as një urë nuk kemi, ne si banorë të këtij fshati kemi zgjedhur që ta lëmë ashtu të paprekur me shpresën që kështu do të mund të tërheqim turistë që i pëlqejnë gjërat siç i ka krijuar natyra, ndaj jemi të vendosur që ta mbrojmë me çdo kusht këtë pasuri që kemi”, – përfundojnë banorët.

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu