Foto nga Exit News

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) u mblodhën sot përpara dyerve të SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion), për t’i kërkuar marrjen në konsideratë të gjashtë kallëzimeve të depozituara deri më tani pranë këtij organi për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Me sloganin “Duam drejtësi” ata ftuan qytetarët që t’i bashkohen kauzës.

Regjisori Robert Budina u shpreh se ende asnjë reagim nuk është marrë për asnjë nga veprat penale të kallëzuara dhe se askush nga aktivistët nuk është thirrur të dëshmojë.

Robert Budina

“Në këto kushte ne i kërkojmë SPAK informacion të plotë duke ruajtur sekretin hetimor përsa i përket se ku është situata proceduriale për kallëzimet e bëra nga ana jonë pas datës 20 Maj 2020. Kush nga të kallëzuarit nga ne është thirrur për të dhënë shpjegim? A janë marrë veprime konkrete lidhur me sekuestrimin e provave materiale që i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes kriminale të datës 17 Maj 2020″, theksoi Budina.

Sipas Budinës rreziku që sjell projekti i hartuar nga arkitekti Bjarke Ingels, i cili mund të lehtësoje kryerjen e veprave penale të tjera, kërkon nga Prokuroria që të paraqesë në Gjykatë kërkesën për urdhrin e vendosjes së sekuestros preventive ndaj truallit të TK dhe ndaj këtij projekti.

Ai përfundoi fjalimin me një kërkesë për reagim sa më të shpejtë në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndërsa aktivistja Juli Emiri u shpreh se “lufta” nuk do të ndalet derisa institucionet dhe shteti i marrë peng ti kthehet qytetarëve.

Juli Emiri

“Ne jemi tani të pushtuar, Ne do të luftojmë në një mënyrë apo një tjetër derisa ato institucione të marra peng të na kthehen ne, derisa liria dhe dinjiteti të na kthehet ne. Ëshët luajtur me jetën tonë, kanë tentuar të na vrasin dhe nuk po lëviz asgjë që duhet të kishte lëvizur, pa bërë ne asnjë lloj denoncimi”  bëri të qartë  ajo.

Gjashtë kallëzimet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në SPAK:

  • Më datë 31.12.2019: I kallëzuar, Erion Veliaj me cilësinë si Kryetar i Bashkisë Tiranë, me objekt akuze  shpërdorim i detyrës, të parashikuar nga neni 248, të Kodit Penal.
  • Më datë 06.05.2020: Të kallëzuar, Erion Veliaj, Arbër Mazniku (me cilësinë e Nënkryetarit të Bashkisë).
    Objekti i akuzës:  shpërdorim i detyrës dhe korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publike.
  • Më datë 30.05.2020: Të kallëzuar, Sandër Lleshaj me funksion Ministër i Brëndshëm; Ardi Veliu me funksion Drejtor i Policisë së Shtetit; Erion Veliaj me funksion Kryetari i Bashkisë Tiranë.
    Objekti i akuzës: Marrje e masës së sekuestro preventive për truallin (pronën) ku ka qënë Teatri Kombëtar si dhe pezullimi i të gjithë punimeve në vazhdim deri në zbardhjen e çështjes.
  • Më datë 12.06.2020: Të kallëzuar,  Edi Rama, Erion Veliaj, Sandër Lleshaj, Ardi Veliu, Arbjan Mazniku, Toni Gogu, dhe funksionarëve të tjerë.
    Objekti i akuzës: shkatërrimi i pronës me mjete të tjera , shkatërrimi i veprave kulturore etj.
  • Më datë 03.07.2020: Të kallëzuar :Edi Rama, Erion Veliaj, Elva Margariti, Mirela Kumbaro,   Arta Dollani, Artan Lame.
    Objekti i akuzës: shkatërrimi i veprave kulturore,  falsifikimi i dokumenteve, shpërdorimi i detyrës , shkelja e barazisë në tendera, korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike, etj.
  • Më datë 13.07.2020: Të kallëzuar : – Edi Rama, Erion Veliaj , Subjektit privat “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, Bjarke Ingels shtetas danez, subjektit privat “FUSHA” sh.p.k me adresë Rr: “Murat Toptani”; Shkëlqim Fusha me cilësinë e administratorit të shoqërisë “Fusha” sh.p.k.
    Objekti i akuzës: korrupsioni pasiv në sektorin privat, dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike etj.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu