Qytetarët protestojnë kundër ndërtimit të HEC-eve, 24 qershor 2020

Pesë banorë të Fanit në Mirditës janë shoqëruar në komisariat ditën e marte, pasi kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve në përroin e Kënellës.

Në këtë përrua, degëzim i lumit Fan, janë miratuar pesë hidrocentrale, ku dy prej tyre janë vënë në punë, ndërsa tre të tjerë pritet të ndërtohen, pohojnë banorët.

Punëtorët e firmës “EME Energy”, bashkë me makineritë e punës, janë paraqitur në terren ditën e martë. Kjo ka ngjallur reagimin e banorëve të Fanit, të cilët nuk kanë qenë në dijeni të situatës dhe kanë kërkuar informacion se ku po shkojnë ekskavatorët.

Në momentin që kanë ik me pa për ça po hynë këta furgonë, ekskavatorë, me i pyt se ku janë duke shku, nuk i kanë leju as që të afrohen. Na kanë shoqëruar ne në komisariat, e kanë rrethu zonën me policë dhe kanë vazhdu ekskavatorët punën“, pohon për Citizens Channel Anton Kola.

Ai tregon se ka pasur një numër shumë të lartë policësh në terren.

Kanë ardhur 50 forca policie, mos edhe më tepër, FNSH-ja dhe na ka shoqëru ne si banorë, mu me gjithë vëllezër dhe dy kushërinj të mitë. Ata i kanë marrë në rrugë. Vëllai im i madh ka qenë me gjithë djalin gjashtë vjeç për dore, duke e çu në shtëpi dhe e kanë marrë dhunshëm“.

Përpara arrestimit, Kola ka shkuar në vendin ku po kryehen punimet, të cilat po bëhen në afërsi të pronës së tij dhe ka komunikuar me përfaqësuesit e firmës. Ai ka shpjeguar se punimet do i ndikojnë në prodhimet bujqësore pasi ujin e përdor për të ujitur dhe ka kryer filmime.

Fill pas kësaj, është shoqëruar në komisariat.

Pesë të shoqëruarit janë mbajtur mbi 10 orë në komisariat dhe më pas janë lënë të lirë. Ata pohojnë se mbi ta nuk rëndon asnjë vepër penale, por sjella e policëve ju ka shkaktuar shumë shqetësim.

Aty asht ba vendi zi me polici. Ne po na kalojnë edhe familjarët në trauma. Aty ka gra, fëmijë, po na kalojnë në gjendje shok-u. E kam çu babin dy herë e kam vizitu për zemrën për këtë ngjarje. Vinë na arrestojnë, vinë na shoqërojnë“, vijon më tej Kola.

Anton Kola, banor në Mirditë

Dy prej të shoqëruarve janë djemtë e Lekë Gjokës, 60 vjeç. Ai rrëfen se djemtë e tij e kundërshtojnë hidrocentralin pasi uji i përroit të Këthellës u shërbën për të vaditur tokat bujqësore.

Janë 15 dynym tokë që vaditen me atë ujë. Jena 13 familje që kemi kopshtet tona, gjithsecili  personale. Me atë tokë jam duke jetu, as në punë nuk jam kund, kalamajt i kam krejt te shpia. Në tana pozicionet na ka blloku“, tha Gjoka për Citizens Channel.

Lekë Gjoka, banor i Mirditës

Ai informon se nuk janë përfshirë në konsultime dhe dëmet nga ndërtimi i HEC-eve do e detyrojë atë të zhvendoset nga Fani i Mirditës.

Uji thonë është i shtetit, tokat janë të shtetit. Ne ça jena, a jena të shtetit edhe ne apo veç quhet shtet ai dhe na shkel ne në pozicionet tona në interes të firmës?  Veç me na heq prej lagjes krejt, se ne me këtë ujë jena duke jetu, rrugë tjetër nuk ka“, përfundon ai.

Edhe më herët janë shoqëruar në komisariat banorë të Mirditës, të cilët kanë ngritur shqetësimin e ndikimit në mjedis, në rast se ndërtohen këto hidrocentrale.

Në 26 shkurt të këtij viti, katër banorë u mbajtën disa orë rradhazi , ndër ta edhe një 87-vjeçar, pasi janë paditur për pengim të punimeve nga përfaqësues të firmës private “Shpërdhaza Energji”, që po ndërton HEC-et në zonën e Kaçinarit.

Në këtë komunë janë planifikuar të ndërtohen katër hidrocentrale. Konkretisht, punimet priten të kryhen në fshatrat Kaçinar; Arrëz; Simon dhe Shpërdhazë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu