Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrëfime: Refugjatët dhe COVID-19, mes kushteve të vështira dhe pamundësisë për të lëvizur

“Nga Shqipëria në Malin e Zi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci, Slloveni dhe si pikësynim përfundimtar Italia, ose Gjermania”,  ky është itinerari i sirianit Amer Asani, i njëjtë me atë që duan të ndjekin shumë nga refugjatët që enden sot në rrugët e Tiranës.

Zhvendosja e detyruar po prek më shumë se një për qind të gjithë njerëzimit, shifrat e raportit të fundit të Komisionerit të Lartë për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), tregojnë se një në çdo 97 persona është i detyruar të braktisë shtëpinë për shkak të persekutimit, konfliktit, apo shkeljes së të drejtave të njeriut.

Shqipëria mbetet kryesisht një vend tranzit për lëvizjet mikse të refugjatëve dhe emigrantëve. Rreth 99% e atyre që vijnë largohen nga vendi pas disa ditësh. Sipas të dhënave të UNHCR për Shqipërinë për vitin 2020, deri më 31 Maj në vendin tonë janë regjistruar 3629 persona të ardhur (refugjatë dhe emigrantë).

Situata e refugjatëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri; Burimi: UNHCR

Refugjatët janë persona të cilët janë jashtë vendit të tyre të origjinës për arsye të frikës së persekutimit, konfliktit, dhunës së përgjithshme ose rrethanave të tjera që kanë shqetësuar seriozisht rendin publik dhe si rezultat, kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Ata njihen si të tillë pikërisht sepse është shumë e rrezikshme për ta të kthehen në shtëptë ë tyre dhe si rrjedhojë kanë nevojë për azil diku tjetër. Këta janë njerëz për të cilët mohimi i azilit ka pasoja vdekjeprurëse.

“Pa para dhe pa ushqim” 

Që prej vitit 1992, Shqipëria është pjesë e Konventës së Gjenevës, e cila përcakton qartë një sërë të drejtash të refugjatëve si mos-diskriminimi, e drejta e strehimit, punësimit apo vetëpunësimit ose e një profesioni të lirë, aksesi në edukimit publik, asistencë administrative, dokumentacionin personal etj.

Ndërkohë vetë refugjatët, të cilët enden në rrugët e Tiranës, paraqesin një panoramë e cila shkon në kundërshtim me një sërë të drejtash të garantuara nga konventa.

Me një anglishte të vakët, Hamza Sahraoui nga Algjeria tregon për Citizens Channel se ka pesë muaj që qëndron në Tiranë, nuk ka një punë, nuk ka ushqim dhe as para që të kalojë në Malin e Zi.

Hamza Sahraoui

“Fle përjashtë, ja këtu në qendër, lahem te çezmat, sepse nuk kam ku të qëndroj“, tregon ai.

Jasim një 25-vjeçar nga Palestina tregon për rrugën e gjatë prej më shumë se një vit e gjysëm për të ardhur deri në Shqipëri.  Ai emigroi nga Palestina në Siri, më tej në Turqi ku ka qëndruar gjashtë muaj për të mbërritur më pas në Greqi. Atij ju deshën pesë tentativa për të kaluar kufirin dhe për të mbërritur në Shqipëri.

Pyetjes se përse nuk akomodohen në Qendrën Pritëse të Azilkërkuesve në Babrru, Jasim, Hamza dhe një grup djemsh që takuam në lulishten e sheshit “Skëndërbej”, u përgjigjen se kushtet nuk janë aspak mikëpritëse.

“Më mirë të fle jashtë, më mirë në burg se aty. E urrej Babrrunë. Kampi është si ferr, as dhoma, as krevate, as dushe, ushqimi i keq. Një herë na thonë shkoni në qendër, kur vijmë në qendër na thonë ikni te kampi. Nga këtu atje, nga atje na sjellin prapë këtu”, rrëfen Jasim.

Jasim – regugjat nga Palestina

Situata e refugjatëve, veçanërisht atyre të përkohshëm mbetet e vështirë. Ata shprehen të pakënaqur me kushtet në Qendrën Pritëse të Azilkërkuesve, dhe mbyllja e përkohshme e kufijve ja ka vështirësuar mundësinë për të lëvizur drejt një shtetit tjetër.

Qendra Pritese Azilkerkuesve, Babrru | Foto: Elira Kadriu | Citizens Channel

Për të verifikuar ankesat e azilkërkuesve, Citizens Channel tentoi të futej brenda në Qendrën Pritëse të Azilkërkuesve në Babrru, por kërkesa u refuzua. Numri i kontaktit i vendosur nga qendra është jo funksional ndërsa përfaqësuesit nuk i janë përgjigjur kërkesës për reagim nëpërmjet e-mailit zyrtar, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Shumë prej refugjatëve nuk kanë asnjë dokumentacion për të verifikuar prezencën dhe të dhënat e tyre. Amer Asani, një 19-vjeçar nga Siria tregon se dokumentat i janë grisur nga policia greke. Aktualisht situata e pandemisë ka vështirësuar edhe qëllimin e tyre për të mbërrutur në destinacionin final pasi kufijtë janë të mbyllur.

Amer Asani

“Kam vetëm dy ditë që jam në Shqipëri. Po fle në disa godina të vjetra, të braktisura. Nuk më kanë pranuar në kampin e Babrrus pasi kërkojnë dokumentat për t’ia dorëzuar policisë. Nesër do të nisem për në Mal të Zi, në këmbë”, tregon 19 vjeçari rreth një javë më parë.

Pas një komunikimi të vazhdueshëm Amer Asani na konfirmuar mbërritjen në Mal të Zi, ndërsa është ndaluar nga policia gjatë një tjetër përpjekje për të kaluar kufirin malazez.

Emigrantët tranzit, sfidë e pazgjidhur mbarëkombëtare

Pablo Zapata, Përfaqësues i UNHCR në Shqipëri, tregon se rreth 450 refugjatë qëndruan në mënyrë stabël në Shqipëri gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19. ”Pas rifillimit të lëvizjes brenda dhe jashtë vendit numri ndryshoi për arsye se disa u larguan dhe të tjerë erdhën” sqaron Zapata.

“Shqipëria bën pjesë në Konventën e Gjenevës, nënshkruar në vitin 1951 ku të drejtat dhe detyrimet e emigranteve përbejnë të dyja anët e një monedhe”, tregon Pablo Zapata.

Pablo Zapata

Ai sqaron se ka nevojë për përmirësim mënyra e këshillimit ndaj emigrantëve për t’i shpjeguar atyre mundësitë e qëndrimit në Shqipëri, ose për të gjetur një zgjidhje si mund të ndihmohen në rastin kur janë tranzit.

Sipas tij, mënyra si emigrantët këshillohen mbi mundësitë e qëndrimit në Shqipëri ka nevojë për përmirësim:

“Një person është refugjat që nga momenti që largohet nga vendi i tij për arsye persekutimi ose lufte. Për të pasur të drejta, një shtet duhet t’i japë këtyre njerëzve statusin e refugjatit, njerëz me status të tillë në Shqipëri ka shumë pak. Për të plotësuar të drejtat e njerëzve që nuk kanë vendosur të qëndrojnë por kanë një destinacion mbërritës të caktuar është e vështirë jo vetëm në Shqipëri, por është edhe sfida e momentit për çdo vend” përfundon Zapata.

Video: 1% e njerëzve në mbarë globin viktima të zhvendosjes së detyruar

Të drejtat e refugjatëve të varura nga situata ekonomike e vendit

Sipas Komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi, Robert Gajda shteti shqiptar duhet të impenjohet në zbatimin dhe garantimin e të drejtave të refugjatëve dhe azilantëve.

“Në një pjesë të madhe, garantimi i këtyre të drejtave lidhet me aspektet ekonomike nga shtete të cilat aderojnë në konventat dhe marrëveshje ndërkombëtarë çka do të thotë që fuqia ekonomike që shtetet kanë është dhe ajo që përcakton sesa realisht dhe nëse garantohen apo jo me dinjitetin e duhur të drejtat e të huajve”, shpjegon Gajda për Citizens Channel.

Komisioneri e lidh situatën vendase me atë globale duke qenë se prej kohësh Evropa është një nga qendrat më të mëdha të refugjatëve, por ai tregon se nuk ka mbërritur asnjë denoncim në institucionin që ai drejton për ndonjë rast të gjuhës së urrejtjes apo rast diskriminimi ndaj këtij grupimi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *