134 ditë pas hyrjes në fuqi të Aktit Normativ të datës 15 mars 2020, i cili ndalon tubimet gjatë periudhës së infeksionit shkaktuar nga Covid-19, në Shqipëri janë shpërndarë nëntë protesta dhe janë proceduar penalisht 119 individë.

Qytetarët e proceduar kanë qenë kryesisht organizatorët e tubimeve por edhe pjesëmarrës në to.

Akti Normativ, i nxjerrë pesë ditë pas rasteve të para të identifikuara me koronavirus në Shqipëri, në nenin 3, pika dy, thekson se zhvillimi i tubimeve gjatë periudhës së pandemisë, dënohet me 50 milion lekë të vjetra gjobë, si një ndër aktivitetet i cili rrit mundësinë e infektimit.

Muaji që shënon më shumë të shoqëruar në polici është maji i këtij viti, i cili përkon më shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit. 64 individë janë shoqëruar në komisariat.

Veprat penale kryesore që rëndojnë mbi individët që kanë marrë pjesë në tubime janë:

  • Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme
  • Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik
  • Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit

Protestat gjatë pandemisë, mes dhunës dhe represionit

Gjatë muajit maj në Shqipëri janë zhvilluar pesë protesta dhe janë proceduar penalisht 73 qytetarë.

7 maj, 2020

Në sheshin “Skënderbej”, qytetarët janë mbledhur për të kundërshtuar masat qeveritare ndërmarrë për të kufizuar shtrirjen e infeksionit, të cilat kufizuan lirinë e lëvizjes.

Kjo protestë ka përfunduar në dhunë dhe protesta është shpërndarë. 7 persona janë proceduar penalisht dhe tre organizatorët janë gjobitur sipas Aktit Normativ, me vlerën 5 milion lekë të reja.

9 maj, 2020

Dy ditë më pas u mbajt protesta e radhës kundër masave qeveritare po në sheshin “Skënderbej”, e cila pati të njëjtën rrjedhë. Ajo u shpërnda nga Policia e Shtetit dhe përshkallëzoi në dhunë.

17 maj, 2020

Në orën 4.30 të mëngjesit, qindra forca policore zbarkuan në sheshin e Teatrit Kombëtar dhe më pas u vijua me shembjen e godinës. Kjo solli reagimin e qytetarëve të cilët u grumbulluan në protestë. Gjatë asaj ditë janë shënuar disa përplasje me policinë, teksa shumë prej tyre nuk mbanin numër identifikimi.

64 individë janë shoqëruar në komisarit ku:

  • 7 prej tyre janë proceduar për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”;
  • 21 prej të shoqëruarve u proceduan në gjendje të lirë për “Pjesëmarrje në grumbullim të paligjshëm”;
  • 36 persona të tjerë të shoqëruar në ambientet u morën masave të veçanta kufizuese, sipas Aktit Normativ, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

22 maj, 2020

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) nisi një fushatë për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte, ashtu siç ishte, përmes një turi takimesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Dy prej aktivistëve të AMT-së janë ndjekur në gjendje të lirë për “Organizim dhe pjesëmarrje në manifestime dhe grumbullimi të paligjshme” pasi zhvilluan një tubim përballë Pallatit të Kulturës, Durrës.

Muaji qershor, përveç qytetarëve policia tenton të shoqërojë dhe gazetarët

Në muajin qershor janë zhvilluar dy protesta dhe janë shoqëruar në komisarit 28 qytetarë.

Një incident është shënuar në qytetin e Lezhës. Gazetari Ervis Hila nuk është lejuar të filmojë prishjen e disa ndërtimeve pa leje në Shëngjin. Hilës iu sekuestrua telefoni dhe u mbajt disa minuta në fugonin e policisë.

17 qershor, 2020

Përfaqësues të transportit publik protestuan përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku përsëritën kërkesat e tyre në mënyrë që të rihapej shërbimi, i mbyllur që në muajin mars. Ata pohuan se prej mbylljes së transportit publik, punonjësit e këtij shërbimi kanë përfituar vetëm nga paketa e dytë financiare, miratuar nga Qeveria, me vlerën 40.000 lekë.

Policia e Shtetit shpërndau protestën dhe procedoi shtatë qytetarë.

Në të njëjtën datë, studentët dhe aktivistët e lëvizjes “Për universitetin”, dorëzuan peticionin për anulimin e tarifave në universitetet publike përgjatë këtij viti akademik. Edhe në këtë rast ka ndërhyrë policia dhe u ka kërkuar aktivistëve të largohen. Katër prej tyre janë proceduar penalisht.

Mbi të dyja grupimet rëndon vepra “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

24 qershor, 2020

Një ditë pas mbarimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të zgjatur deri në 23 qershor, organizatat mjedisore dhe aktivistë kanë zhvilluar protestën kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Shqipëri.

Kjo protestë është penguar nga policia dhe ka përshkallëzuar në dhunë. Nga materialet në terren janë filmuar individë civilë të cilët kanë dhënë urdhra dhe kanë ekzekutuar urdhra në shpërndarjen dhe shoqërimin e protestuesve.

17 qytetarë u proceduan penalisht për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Drejt fundit të muajit korrik, shpërndahen dy protesta

6 korrik, 2020

Gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kukës, disa tifozë janë mbledhur pranë stadiumit. Policia e Shtetit njofton ka proceduar penalisht gjashtë shtetas mbi të cilët rëndojnë tre akuza: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Policia e shtetit njofton ka gjobitur me 1 milion lekë të reja pronarin e një lokali i cili lejoi të futeshin dhe qëndronin brenda hapësirës së lokalit një grup tifozësh.

21 korrik, 2020

Punëtorë të sektorit të bareve dhe artistët kanë zhvilluar në datën 21 korrrik protestë para Kryeministrisë. Ata kanë shfaqur kundërshtinë e tyre rreth aktit normativ të miratuar pak ditë më parë ku njoftohet se do të mbyllen klubet e natës, diskot, lounge-baret dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre.

Thyerja e këtij akti dënohet me tre milion lekë të reja dhe në rast përsëritjeje, pezullohet aktiviteti për një periudhë një-vjeçare. Ky akt po ashtu ndalon vendosjen e muzikës në hapësirat e hapura pas orës 20.00.

12 shtetas, pjesëmarrës në këtë protestë, janë proceduar për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu