Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dy ditë para votimit në Universitete, studentët ritheksojnë shkeljet në procesin zgjedhor

#ZgjedhjeInstagrami dhe #JoZgjedhjePaStudentë janë fushatat e studentëve online si një thirrje për të evidentuar parregullsitë dhe shkeljet që po shoqërojnë zgjedhjet universitare që do të zhvillohen pas dy ditësh, më 30 korrik 2020.

#ZgjedhjeInstagrami ka nisur pikërisht si një kundërpërgjigje ndaj fushatës që kandidatët për Rektor dhe kandidatët për Senatin po zhvillojnë online, në pamundësi për të qenë në ambjentet e fakulteteve, ku studentët mungojnë.

Ideja e fushatës “Zgjedhje Instagrami” erdhi spontanisht. Duke parë që i gjithë procesi zgjedhor po zhvillohej në Instagram, kandidatët po i shpalosnin aty platformat, një pjesë e studentëve po e shprehnin aty mbeshtetjen për një kandidat ose një tjetër, ne mendojmë se “Zgjedhje Instagrami” është tamam titulli i kësaj çmendurie kolektive, ku ka zgjedhje për Institucionet e Arsimit të lartë, pa studentë dhe pa auditore“,- u shpreh Sidorela Vatnikaj, iniciatorja e kësaj fushate.

Sidorela është në përfundim të studimeve të ciklit bachelor, ndërsa thekson se ashtu si shumë studentë të tjerë nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, pasi po zhvillohen në kohë pandemie dhe pa praninë e studentëve në auditore.

Sidorela Vatnikaj, studente

Ne e kemi kundërshtuar procesin që në fillim, për disa arsye të cilat i kemi parashtruar vazhdimisht si :mohimi i të drejtës së votës per rreth 3/5 e studentëve, problematikat procedurale që janë hasur gjatë zhvillimit të procesit, përplasjet institucionale ku secila palë akuzon tjetrën për paligjshmërie dhe shkelje ligji, si në rastin e Universitetit të Tiranës, si dhe zhvillimin e procesit zgjedhor nga kandidatë të cilët nuk kanë prezantuar platforma dhe zgjidhje në auditore, pa procese llogaridhënie nga drejtuesit aktualë, një pjesë e të cilëve rikandidojnë“,- sqaron më tej Sidorela.

Problematikat në universitetetet publike kanë marrë një jehonë të gjerë në retorikat publike dhe protestat e zhvilluara vitet e fundit në rrugët e Tiranës dhe mbarë vendit. Për Çeldo Brahimaj, studenti i vitit të tretë në degën e Inxhinierisë Informatike, mbajtja e këtyre zgjedhjeve ishte një rast i mirë për të garantuar integritet të drejtuesve dhe kandidatëve përfaqësues.

Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte, e ka penguar atë të shprehë vullnetin e tij në përzgjedhjen e përfaqësuesve akademikë dhe studentorë.

Referuar urdhrit të Ministres së Arsimit Nr. 104/2020, studentët e dy viteve të para të Ciklit të Parë të studimeve dhe ata të vitit të parë të Ciklit të Dytë të studimeve do të kthehen në universitete në fundin e muajit Gusht, çka do të thotë se zgjedhjet e 30 Korrikut do të zhvillohen pa praninë e studentëve të këtyre tre viteve“,-argumenton Brahimaj.

Sipas tij, shkeljet në procesin zgjedhor nisin që në procesin e kontrollit të titujve akademikë të kandidatëve, ku Komisioni i Etikës nuk ka zbatuar urdhrin e Ministrisë së Arsimit.

Në datën 14/01/2020 Ministria e Arsimit publikoi urdhrin nr.8 për procesin zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese në Institucionet e Arsimit të Lartë. Në këtë urdhër specifikohej se Këshilli i Etikës së çdo IAL-je duhej të verifikonte ligjshmërinë e fitimit të gradës shkencore dhe titullit akademik, përfshirë dhe kontrollin antiplagjiature për çdo kandidat.

Çeldo Brahimaj, student

Aktualisht në universitete si ai i Tiranës, Politeknik i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës etj, procesi i parashikuar në urdhrin Nr.8 të datës 14/01/2020, është tjetërsuar dhe Komisionet Institucionale Zgjedhore kanë aprovuar kandidaturat me plotësimin e një formulari vetëdeklarimi në të cilin kandidatet janë shprehur se nuk kanë plagjiaturë. Kjo shkelje cenon rëndë në të disatën pikë si ligjshmërinë e procesit zgjedhor ashtu dhe integritetin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend”,-sqaron ai.

Me të njëjtën retorikë, Lëvizja për Universitetin ka zgjedhur të adresojë problematikat që shoqërojnë procesin zgjedhor në universitete dhe arsyet pse nuk duhet të votohet përmes video-mesazheve të studentëve.

Një nga studentet që ka shprehur arsyet për bojkot është edhe Kristiana Kola. Si studente e vitit të dytë të ciklit bachelor për Administrim dhe Politika Sociale, ajo shpjegon për Citizens Channel se për sa kohë pesha e votës së studentëve është vetëm 10%, votimi nuk sjell ndryshim.


Këto zgjedhje janë tallje ndaj studentëve për sa kohë qe pesha e votës studentore është 10%, është e papërfillshme, pra në fund të fundit nuk zgjedhim ne! Përpos kësaj auditorët janë bosh, kush do votojë?! Studentët për shkak të pandemisë janë kthyer nëpër rrethe dhe vështirësitë ekonomike, të cilat janë thelluar akoma më shume nga COVID-19, nuk i lejojnë ata që të kthehen në Tiranë vetëm për një ditë e cila nuk as nuk parashikon rregullime të problemeve brenda Universitetin në momentin që këto të fundit janë pasojë e Ligjit për Arsimin e Lartë!”, – argumenton Kristiana.

Studentët letër Presidentit: Mos dekreto të zgjedhurit e 30 korrikut!

Përmes një letre publike, studentët i janë drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ku i kërkojnë të mos i njohë dhe dekretojë kandidatët fitues të zgjdhjeve të mbajtura më datë 30 korrik 2020.

Përfaqësuesit e zgjedhur prej një shumice të dalë nga pakicat e votuesve nuk mund të jenë legjitime dhe nuk mund ta përfqësojnë shumicën reale, të cilës i mohohet e drejta e votës”,-thuhet në letrën drejtuar Presidentit.

Letra drejtuar Presidentit Ilir Meta

Kjo kërkesë e studentëve mbështetet në ligjin e arsimit të lartë, neni 39, pika 8, sipas të cilit është Presidenti i Republikës ai i cili dekreton rektorët e institucioneve të arsimit të lartë.

Më herët gjatë këtij muaji, Qëndresa Qytetare, organizatë që ka adresuar në vazhdimësi problemet që kanë shoqëruar universitetet dhe zgjedhjet në veçanti, i kanë kërkuar Presidentit Meta një takim për të diskutuar rreth këtyre problematikave.

Në universitetet publike, siç është rasti i Universitetit të Tiranës janë shënuar një sërë parregullsish që e bëjnë këtë proces ligjërisht të pavlefshëm. Në cilësinë e kreut të shtetit, por edhe organit kushtetues që certifikon ligjshmërinë e zgjedhjeve nëpërmjet dekretimit të rektorëve të rinj, ne kërkojmë zhvillimin e një takimi me një grup studentësh dhe përfaqësuesish të Qëndresës Qytetare mbi problematikat e shumta të zgjedhjeve në universitetet publike“,-thuhet në letrën dërguar Presidentit.

Mbajtja e zgjedhjeve në universitete përmes ngjarjeve 

  • Në një situatë normale, data e mbajtjes së zgjedhjeve në universitetin e Tiranës ishte 8 maj 2020, por për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19, kjo datë u shty.
  • Më 26 mars, Ministria e Arsimit vendosi mbajtjen e zgjedhjeve më 12 qershor dhe fillimin e fushatës më 11 maj, por ky vendim u shoqërua me kundërshti pasi gjendja e jashtëzakonshme ende nuk kishte përfunduar dhe Universiteti i Tiranës ishte pa studentë.
  • Kjo situatë u pasua më 14 prill me pezullim të zgjedhjeve nga Rektori i Universitetit të Tiranës deri në përfundimin e gjendjes së pandemisë.
  • Më 30 prill, Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin e Tiranës (UT), vendos hapjen e procesit për regjistrimin e kandidatëve për “Rektor” dhe “Anëtar Senati” në UT. Po këtë ditë studentët nisin një fushatë online të quajtur #Jo Zgjedhje pa Studentë në të cilën pretendojnë se procesi është i parregullt dhe në shkelje të ligjit, duke qenë se auditorët do të jenë bosh.
  • 4 Maj: Unioni i Këshillave Studentore kërkon zyrtarisht shtyrjen e zgjedhjeve me argumentin KIZ ka shkelur rregulloren, e cila në pikën 1 germa b, ndalon nisjen e procesit në raste fatkeqësish natyrore
  • 6 Maj: Rektori i Universiteti i Tiranës shkarkon nga detyra pesë pedagoget anëtarë të KIZ
  • Më 8 maj, studentë dhe aktivistë të Qëndresës Qytetare depozitojnë pranë Gjykatës Administrative një padi për rrëzimin e Urdhrit të Ministrisë së Arsimit për mbajten e zgjedhjeve më datën 12 qershor. Vetëm pak orë më vonë Ministrja e Arsimit Besa Shahini urdhëroi shtyrjen e zgjedhjeve me një afat të pacaktuar, por nuk pezulloi kandidimet.
  • Më 11 Maj, studentët dhe Qëndresa Qytetare i shtojnë një tjetër pikë objektit të padisë së dërguar 3 ditë më parë: “Shpalljen të pavlefshme të vendimeve të KIZ”
  • 19 Maj: Ndërkohë Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë pezullon procesin e aplikimeve për kandidatët në zgjedhje.
  • 19 Maj: Komisioni i Zgjedhjeve në Fakultetin e Drejtësisë shpall listat e kandidatëve për zgjedhje22 Maj: Senati i Universitetit të Tiranës e konsideron të pavlefshëm vendimin e Rektorit të datës 6 maj, për shkarkimin e anëtarëve të KIZ.
  • Më 3 korrik 2020, u zhvillua seanca e parë përgatitore në Gjykatën Administrative mes përfaqësuesve të Qëndresës Qytetare dhe Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, i cili sipas padisë ka kryer procedura të paligjshme ndër to edhe miratimi i listave të kandidatëve për rektor dhe senat akademik edhe pse zgjedhjet u shtynë.
  • Më 10 korrik 2020, Gjykata Administative Tiranë vendosi të mos marrë asnjë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve në Univesitetin e Tiranës, duke e shtyrë seancën e ardhshme më 18 shtator, pavarësisht se zgjedhjet mbahen në 30 korrik.
  • 11 korrik, shtatë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë kërkuar interpelancë të Ministres së Arsimit për zgjedhjet në Universitet.
  • 22 korrik, studentë dhe aktivistë dërguan në Kuvend një kërkesë për rritjen e peshës së votës së studentore nga 10% në 30%.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *