Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Eksodi” i infermierëve shqiptarë në Gjermani, plagë e hapur e sistemit shëndetësor

“Piku i largimeve të infermierëve ka qene fundi i vitit 2019, në total rreth pesë viteve të fundit janë larguar mbi 8500 infermierë pa llogaritur numrin e atyre që tashmë janë në kurse dhe presin një intervistë pune”,-tregon për Citizens Channel Elson Jaçaj, president i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë.

Elson Jacaj

Largimi i mjekëve dhe infermierëve ka qenë më së shumti drejt Gjermanisë. Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur së fundmi se fokusi i legjislacionit gjerman do të jetë në liberalizimin e procedurave për rekrutimin e punëtorëve profesionalë, të ardhur nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

“Shumë kompani në Gjermani kërkojnë urgjentisht punëtorë të aftë, madje edhe në kohë të një ekonomie më të dobët”,- është shprehur Eric Schweitzer, president i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Gjermane.

Largimet e infermierëve gjatë pandemisë

Pandemia nuk e ka penguar largimin e infermierëve shqiptarë për në Gjermani, ku sipas Blerina Duka, drejtoreshës së Urdhërit të Infermierëve të Shqipërisë, (UISH) vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2020 UISH ka shpërndarë gjithsej 618 vërtetime të lëshuara për punë jashtë vendit, ku për infermierët janë shpërndarë afërsisht 313 vertetime.

Blerina Duka gjate nje konference

“Ështe evidente, eksodi i infermierëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është bërë masiv që nga viti 2018 e në vazhdim, ku nuk janë larguar vetëm të sapodiplomuarit por edhe profesionistët me experiencë disa vjecare” ,-shton ajo.

Për Elson Jaçaj largimi i personelit mjekësor reflektoi dhe një krizë të sistemit shëndetësor në përballimin e virusit COVID- 19.

“Kjo u vu re në shpërthimin e pandemisë ku kishte mungese personeli për situatën (pra mungesë personeli të punësuar) dhe shteti u detyrua të kërkojë vullnetarë, ku shumica e vullnetarëve ishin infermierë të papunë prej vitesh që prisnin për tu punësuar apo dhe studentë. Pra nuk është kjo zgjidhja, një shtet që nuk investon për shëndetësinë dhe për infermierët, por i kërkon vetëm në kohë vështirësie”,- saktëson Jaçaj.

Ai përfundon se duke mos parë një reagim nga institucionet dhe një ndërgjegjësim se si mund të mbahet kjo kategori në Shqipëri, brenda dy viteve nuk do ketë më asnjë profesionist dhe sistemi shëndetësor do të mbetet pa shërbim dhe do të jetë vonë për tu rikuperuar.

Pagesa dhe kushtet e punës, arsyet kryesore të largimit

Citizens Channel kontaktoi me dy vajza, të cilat janë larguar nga Shqipëria për të punuar si infermiere në Gjermani.

Matilda Gremi, ka studiuar në Tiranë te Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, dega Infermieri e Përgjithshme, e prej një viti e gjysmë ajo punon në Qendrën Spitalore – Universitare “Schlesëig – Holstein”, në pavionin e kirugjisë së përgjithshme. Ajo ka kontaktuar në mënyrë direkte me zyrat e spitalit, ku fillimisht ju dha mundësia të bëjë një kurs 4 mujor ( kombinim teori dhe praktikë), e pas kalimit të provimeve realizoi konvertimin e diplomës.

Matilda Gremi

“Arsyet e emigrimit kanë qenë kushtet e punës. Në Shqipëri e dija që do të vija në rrezik jetën time me këtë profesion. Një ndër rastet më banale që mund të përmend është se gjatë tre viteve të shkollës më është dashur që ti blija vetë dorezat në farmaci, minimumi pra, ndërkohë kur shihja kolegët e mi që punonin pa doreza ndjehesha shumë keq”,-rrëfen ajo.

Një arsye tjetër sipas saj është se në Shqipëri ekzistonte vetëm opsioni i masterit shkencor apo profesional ndërsa në kampusin aktual ka mundësi për specializime të ndryshme si infermiere në sallë operacioni, infermiere në pediatri, urgjencë etj.

Denisa Pinari, punon momentalisht në qytetin e Dresdenit në një klinikë private ku kurohen pacientë me sëmundje neurologjike. Ajo ka studiuar në nivelin bachelor dhe master pranë fakultetit të infermierisë në Tiranë. Në Shqipëri ka punuar në spitalin Hygea, ku tregon se kushtet e punës ishin goxha të mira, por oraret e punës ishin shumë të zgjatura, ndonjëherë vetëm me një ditë pushim.

Denisa Pinari

“Unë në Shqipëri me dëshirën time nuk kthehem kurrë, pavarësisht se ndikon familja, malli, etj. E di që këtu lodhesh më shumë, por në fund fiton djersën tënde, paguhesh për atë punë, edhe bën një jetë goxha të qetë, ka më shumë siguri, kurse në Shqipëri je sot, por nesër edhe mund të mos jesh në punë” ,-tregon Denisa.

Ajo vlerëson fleksibilitetin e orareve dhe mundësinë për të zgjedhur vetë sa ditë dëshiron të punosh në një muaj, ndërsa është shumë e kënaqur me rrogën mujore.

“Pagesat variojnë sipas landeve. Pagesa të del dhe të tepron, nuk të mungon gjë, mund të bësh pushime dhe 2 herë në vit, ndërsa në Shqipëri ajo rroga të del vetëm për kafet, po për të ndarë mënjanë apo të ndihmosh familjen në Shqipëri është shumë e vështirë”,- përfundon Pinari.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *