Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bashkitë të pafuqishme përballë zjarreve që shkrumbuan mijëra hektarë pyje

Temperaturat e larta të stinës së verës shkaktuan një sërë vatrash zjarri në Shqipëri, të cilat u stabilizuan vetëm ditët e fundit për shkak të reshjeve të shiut.

Sipas deklaratës së  Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) Haki Çako, nga muaji janar deri në korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, 168 prej të cilave kanë ndodhur gjatë muajit korrik.

Bashkitë më të prekura, informon AKMC, janë: Shkodra, Fieri, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Dibra, Korça, Berati, Kukësi, Tirana dhe Elbasani.

Pamjet satelitore tregojnë në mënyrë të detajuar vatrat e zjarreve në Shqipëri 30 ditët e fundit.

Zjarret në Shqipëri gjatë 30 ditëve të fundit/ Burimi: Sistemi Informativ i Zjarreve në pyjet e Evropës

Zjarret e rëna kanë shkaktuar djegien e 589 hektarëve tokë, njofton më tej Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Nga ana tjetër, pamjet satelitore nga NASA informojnë se në Shqipëri gjatë vitit 2020 janë djegur 12.037 hektarë tokë.

Numri i zjarreve dhe hektarët e tokës së djegur në Shqipëri, 2009-2020

Prej ditës së djeshme, AKMC- përcolli lajmin se janë shuar të gjitha zjarret në Shqipëri dhe po kryhen verifikime lidhur me dëmin që kanë shkaktuar.

Referuar pamjeve satelitore të kapura nga NASA në Shqipëri sot ka 10 vatra zjarri aktive.

Imazh dërguar nga eksperti pyjor, Abdulla Diku

Shiu, shpëtimtari i vetëm i pyjeve

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se Bashkitë kanë rolin dhe peshën kryesore në mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që struktuar e tjera shtetërore ndërhyjnë pasi janë ezauruar burimet në nivelin vendor.

Në çdo rast fatkeqësie, janë vetë bashkitë ato të cilat mbajnë rolin dhe peshën kryesore për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, gjësë së gjallë, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit“.

Por sipas ekspertit të pyjeve, Abdulla Diku shprehet Bashkitë nuk  kanë kapacitetin për të menaxhuar situatën.

Tashmë prej 5 vitesh menaxhimi i pyjeve është transferuar tek bashkitë, dhe ky është një gabim i madh. Ata nuk kanë kapacitete njerëzore, nuk kanë stafe teknike, burime financiare dhe logjistike për t’i menaxhuar pyjet“, tha ai për Citizens Channel.

Diku tregon se më parë lokalizimi i zonave ku kishte rënë zjarri bëhej përmes disa strukturave vullnetare, të cilat gjendeshin në çdo fshat apo lagje, të gatshme për të ndërhyrë.

Abdulla Diku, ekspert pyjor

Çelësi i suksesit është që zjarri te izolohet sapo ai ka rënë. Në vitet e mëparshme, në çdo fshat ngriheshin ekipe me vullnetarë që do të merreshin me menaxhimin e zjarreve. Organizimin në këtë drejtim e bënte Shërbimi Pyjor. Çdo njeri kishte një zonë të përcaktuar për të cilën kujdesej, kishte një grup banorësh që ishin përgjegjës dhe të gatshëm të ndërhynin. Tashme ky lloj organizimi nuk ekziston më“.

Sipas ekspertit Abdulla Diku, kemi disa faktorë që nuk kontribuojnë pozitivisht në menaxhimin e situatës në raste zjarri.

Kemi mungesë kapacitetesh në bashki, kemi punonjës që nuk janë specialistë pyjesh por mercenarë partish, terreni është gjithnjë i vështire dhe nuk ka asnjë mundësi që mjetet zjarrfikëse të afrohen tek zjarret, kostoja e ndërhyrjeve nga ajri është gjithashtu shumë e lartë dhe e papërballueshme“.

Ai liston një serë zgjidhjesh, që mund të jenë efektive në përballimin e situatës së zjarreve.

  • Bashkitë duhet të krijojnë stafe teknike me njerëz të specializuar dhe me eksperiencën përkatëse.
  • Duhen struktura teknike që të punojnë me komunitetet lokale, të bëjnë organizimet në nivel lokal.
  • Bashkitë të heqin dorë nga militantët, ndryshe do digjet Shqipëria.
  • Duhet ndaluar rreptësisht djegia e tokave bujqësore dhe kullotave
  • Djegia e mbeturinave të kopshtit duhet bërë vetëm në dimër, nga dhjetor deri në shkurt
  • Qeveria e ka në dorë të publikojë vazhdimisht reklama për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, dënimet për zjarrvënie, efektet e zjarreve etj.

Abdulla Diku thekson se edhe zjarrvënia e qëllimshme nga fermerët është e dëmshme, pasi zjarri mund të dalë jashtë kontrollit dhe të dëmtojë pemëtore dhe banesa.

I gjithë ky zinxhir jofunksional ka bërë që zjarret në Shqipëri të shuhen përmes shiut: “Dhe Shqipëria vazhdon e digjet. I vetmi shpëtimtar për ne mbetet shiu, siç ishte rasti i zjarreve te fundit“.

“Banorët kthehen në zjarrfikës”

Aktivisti Arben Kola, së bashku me disa qytetarë të tjerë, lajmëroi të martën se do të nisej herët në mëngjes drejt Ranës së Hedhun, në Shëngjin për t’u organizuar bashkë me banorët e zonës në mënyrë që të minimizonin përhapjen e zjarrit.

Ai rrëfen se donte ta merrte këtë nismë pasi flakët që kishin përfshirë pyjet në Shqipëri vinin si rrjedhojë e neglizhencës institucionale dhe mosorganizimit qytetar. Plani i Kolës u ndërpre pasi pati reshje shiu që ndihmuan në balancimin e situatës.

Duke parë paaftësinë dhe neglizhencën e institucioneve, si dhe përgjumjen e popullit shqiptar, vendosëm të bëjmë diçka për të ndaluar sadopak flakët dhe për të përcjellë një mesazh shqiptarëve. Më shtyu dashuria për jetën dhe natyrën“, pohon Kola për Citizens Channel.

Sot ai ka vizituar Ranën e Hedhun ku shikohen pemë të djegura.

Zjarret në qytete të Shqipërisë, përmes materialeve nga qytetarët

Mirditë

Prej afro dhjetë ditësh, banorë të Mirditës raportuan se Katundi i Vjetër në Rubik të Mirditës ishte përfshirë nga flakët. Qytetarë të zonës sollën në redaksinë e Citizens Channel pamje të flakëve dhe pohuan se ka pasur vetëm një ndërhyrje nga shteti, përmes ajrit.

Shkodër

Qendra Aarhus në Shkodër ka lajmëruar se mali kodrinor i Rrencit prej katër ditësh ishte i përfshirë në  flakë por nuk ka pasur veprim institucional, duke e quajtur situatën “krim mjedisor në qiell të hapur”.

Në një tjetër fshat i Shkodrës, Rrjolli ishte prej ditësh i përfshirë në flakë.

Sarandë

Avokati Adriatik Lapaj, ka postuar në profilin e tij në Facebook pamje të Sarandës, ku zona e ish-Marinës ushtarake është përfshirë në flakë.Sipas Lapajt zjarri mund të jetë  vënë qëllimisht pasi ai truall do të përdorët për t’u ndërtuar nga biznese private.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *