Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ora News nën mbikqyrje të armatosur” – Organizatat e medias solidarizohen me gazetarët

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përmes një njoftimi për shtyp më 3 gusht 2020, bëri të ditur sekuestrimin e pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi, njëkohësisht pronar i mediave “Ora News” dhe “Channel One”.

Në deklaratë saktësohet se  Ndroqi është i përfshirë në aktivitete kriminale duke u bërë kështu pjesë e gjykimit sikurse e parashikon ligji antimafia.

Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike është arsyeja e arrestimit të Ylli Ndroqit më 1998 në Turqi dhe më 2015 në Itali, ku rezulton i rregjistruar me emrin alias Xhemail Pasmaçiu.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu) dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i ketë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali”,-citohet në njoftimin  e SPAK.

Me vendimin Nr.16 të datës 1.08.2020, gjykata ka vendosur sekuestrimin e 26 pasurive, mes tyre edhe të televizioneve “Ora News” dhe “Channel One”.

Avokatët e Ndroqit e konsideruan situatën si një sulm politik për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj, me të cilin janë duke zhvilluar edhe një tjetër gjyq.

“Pasuria e tij është e krijuar nga burime të ligjshme, është e krijuar nga aktiviteti i shoqërisë së tij dhe nga kreditë bankare. Ai mendon se është një sulm politik për shkak të gjyqit tjetër që po zhvillohet kundër kryetarit të bashkisë Z.Veliaj“,- u shpreh avokati i Ylli Ndroqit.

Avokatët u shprehën se brenda afatit ligjor prej pesë ditësh do ta ankimojnë në apel të SPAK-ut.

Më herët, Ylli Ndroqi ka paditur në SPAK kryebashkiakun Veliaj për moskallëzim krimi, shpifje dhe prishje të imazhit.

FNSH në ambjentet e televizionit ORA News -Reagime nga organizatat e medias  

“Shoqëritë që kanë aktivietet përfshirë edhe mediat televizive do të vazhdojnë aktivitetin e tyre, por të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara“,-thuhet në deklaratën e SPAK për vijimësinë e aktiviteteve të zotëruara nga Ndroqi.

Menjëherë pas njoftimit për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit, mes tyre edhe të televizioneve në pronësi të tij, mesditën e së hënës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë mbërritur të armatosur në ambjentet e televizionit ORA News. Në këto kushte, punonjësit e medias e kanë pasur të vështirë punën në presionin e pranisë së tyre.

Gjatë transmetimit drejtpërsëdrejti nga studiot e televizionit ORA, gazetarët kanë qëndruar me simbolin e shenjës së gojëkycjes.

Ky veprim është komentuar nga shumë përfaqësues të mediave, duke e quajtur një presion ndaj fjalës së lirë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka bërë me dije se do të dalë me një qëndrim rreth situatës në të cilën gazetarët e këtij televizoni janë duke punuar momentalisht.

UGSH i shqetesuar nga situata ne mjediset e TV Ora dhe klima e punes se gazetareve te ketij televizioni. Gazetare te redaksive te Ora TV kane qendruar sot ne studiot e televizionit, gjate transmetimeve me simbolin e shenjes se gojekyçjes. Ka qene kjo forma e demonstrimit te qendrimit refuzues dhe protestes ndaj prezences se trupave policore te armatosura, ne mjediset e kesaj medieje”,-është shprehur Unioni i Gazetarëve.

KSHM: Ndërhyrja e forcave të armatosura, sulm ndaj fjalës së lirë 

Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) hyrjen e FNSH dhe forcave RENEA në ambjentet e televizionit “Ora News” dhe “Channel One” e konsideron si sulm ndaj fjalës së lirë.

KSHM mbështet shtetin ligjor dhe institucionet e drejtësisë, por, vëren se vendimi për sekuestro i këtyre dy Televizioneve është i nxituar, përderisa ka dhënë shkak për vënien nën “sekustro” edhe të vijës editoriale. Ky vendim krijon hapësira që 2 televizionet kritike me qeverinë të vihen nën administrimin e Qeverisë”,- thuhet në reagimin e KSHM-së.

KSHM ndër te tjera praninë e forcave të armatosura në dy mediat shqiptare e cilëson edhe si një terrorizim ndaj mediave të tjera kritike, teksa i bën thirrje Qeverisë për tërheqjen e këtyre forcave.

Nga ana tjetër, “interpretimi” që i ka bërë Qeveria Shqiptare kërkesës për sekuestro duke dërguar forcat speciale të policisë RENEA është në të vërtetë ai i intimidimit jo vetëm të 2 mediave të përfshira por dhe të krijimit të një efekti terrorizues ndaj mediave të tjera kritike me të. KSHM i kërkon Qeverisë shqiptare tërheqjen e forcave policore dhe atyre speciale nga ambientet e dy televizioneve”.

SHGPSH në solidaritet me gazetarët e Ora News

Ditën e djeshme ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, e cila është solidarizuar me gazetarët e Ora News dhe ka kërkuar vazhdimësinë e punës së tyre dhe mosnderhyrje në politikën editoriale.

Hetimi nga SPAK i pronarit të këtyre mediave, nuk duhet të ndikojë në sigurinë në punë të gazetarëve dhe në politikën editoriale të këtyre mediave“,-thuhet në deklaratën e shoqatës së Gazetarëve profesiionistë të Shqipërisë.

Exit.al raporton se kjo situatë po ndiqet edhe nga organziatat mediatike ndërkombëtare duke përfshirë edhe Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECMPF), e cila ka deklaruar se për të dalë me një deklaratë po shqyrtohet çeshtja nëse ka të bëjë ose jo me cënim të lirisë së mediave.

Më 15 maj, televizioni ORA News kaloi një tjetër tentativë të mbylljes së aktivitetit. Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror kërkoi mbylljen e televizionit për shkak të prezencës së më shumë se dy personave në në studiot televizive, në shkelje të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa televizionit u gjobit dy herë me shumën 1.000,000 Lekë secila.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *