Ilustrim nga Igor Vujicic/BIRN

Thirrjet për ndihmë të viktimave të dhunës në familje u trefishuan gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19.

Të dhënat e bërë publike nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) informojnë se në periudhën mars-maj Linja Kombëtare për Gratë dhe Vajzat ka marrë rreth 2000 telefonata (tre herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar).

Kërkesat për ndihmë dhe mbështetje kanë shënuar rritje në qarkun e Dibrës (125%), Elbasanit (100%), Shkodrës (76%), Pogradecit (58%) dhe Durrësit (50%).

Nevojat kryesore të individëve që kanë telefonuar këtë linjë lidhen me:

  • Hapat që mund të ndërmarrin nëse dhuna përsëritet apo shtohet gjatë izolimit
  • Vërtetim i Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes dhe lëshim i Urdhrit të Mbrojtjes
  • Zgjatje të Urdhrit të Mbrojtjes
  • Denoncime të rasteve të dhunës
  • Mbështetje psikologjike dhe këshillim lidhur me si ta mbajnë nën kontroll situatën
  • Këshillim lidhur me shëndetin mendor të rënduar

Në qytetin e Durrësit, vetëm gjatë muajit maj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar 6 Urdhra të Menjëhershëm Mbrojtjeje në ditë të caktuara, njofton Rrjeti i Fuqizimit të Gruas.

Citizens Channel ka raportuar edhe më herët problematikat e dhunës me bazë gjinore gjatë periudhës së izolimit në Shqipëri ku u evidentua mungesa e strehëzave si një faktorët që i detyron viktimat të qëndrojnë në një hapësirë të përbashkët me dhunuesin.

Policia e Shtetit: Muaji mars shënoi ulje të rasteve të dhunës në familje

Pavarësisht se është shënuar rritje e kërkesës për ndihmë në Linjën e Kombëtare për Vajza dhe Gra, Policia e Shtetit ka deklaruar për Portën Vendore se muaji mars, ku Shqipëria u fut në izolim total prej pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, shënoi ulje të denoncimeve për dhunë në familje në nivel kombëtar.

Gjatë muajit mars 2020 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 249 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. Kurse gjatë muajit mars 2019 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 390 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare“, pohoi Policia e Shtetit për Portën Vendore.

Në kryeqytet, gjatë muajit mars ka pasur gjithsej 20 denoncime për dhunë në marrëdhënie familjare, numër më i ulët krahasuar me muajin mars të 2019-tës.

Burimi: Porta Vendore

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas vijëzon se shifrat e raportimeve nuk shkojnë paralel me situatën e vërtetë, pasi viktimat e dhunës janë penguar nga një serë faktorësh për të kërkuar ndihmë ligjore gjatë izolimit, që lidhen me frikën e sanksioneve dhe mungesën e akomodimit alternativ.

Arsyet që kanë penguar vajzat dhe gratë në situatë dhunë të kërkojnë ndihmë ligjore/AWEN

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pohuar se gjatë çdo lloj emergjencë, dhuna ndaj vajzave dhe grave ka tendencë të rritet, duke lobuar që shtetet të hartojnë politika që u vinë në ndihmë viktimave të dhunës në familje.

Raporto

Leave a Reply