Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

COVID-19, si do të nisë viti shkollor? Mësuesit të paqartë, formulare online në vend të lajmërimit

Edhe pse ka mbetur më pak se një muaj nga fillimi i sezonit shkollor 2020 – 2021, mësuesit, prindërit dhe nxënësit janë të paqartë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi në kushtet e rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 në vend.

“I vetmi informacion që kemi marrë nga Ministria e Arsimit deri tani është data e fillimit të sezonit shkollor më 14 Shtator, çdo gjë tjetër mbetet ende e paqartë për rinisjen në kushtet e pandemisë”, shprehet Sh.C, mësuese e ciklit fillor në një shkolle nëntë vjeçare, në Durrës.

Citizens Channel kontaktoi me disa mësues të shkollave nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe të gjithë pohuan për marrjen e një pyetësori online që është dërguar nga Ministria e Arsimit së fundmi, i cili i jep mundësinë mësuesve, prindërve dhe nxënësve të zgjedhin formën që dëshirojnë të procedohet këtë vit shkollor.

Foto: Pyetësori online i Ministrisë së Arsimit

“Më 26 Gusht na është kërkuar të paraqitemi në punë por as vetë drejtorët e shkollave nuk janë ende në dijeni me cilën metodë do punohet pasi presim ende konfirmim zyrtar nga Ministria”, tregon Aurora Shehaj mësuese e lëndës Histori – Gjeografi për ciklin nëntë vjeçar në zonën e Cërrikut.

Në fshehtësi disa prej tyre pranojnë se nuk kanë besim se rezultatet e formularëve do të merren në konsideratë pasi në fund Ministria do të vendos në bazë të kushteve ekzistuese dhe jo në bazë të dëshirës së mësuesve.

Përfaqësues nga Ministria e Arsimit deklarojnë për Faktoje, se po punohet për kurrikula online ndërkohë. Sipas tyre të tre skenarët janë të mundshëm, rikthimi në shkollë, mësimi gjysëm online dhe gjysëm në klasë dhe aplikimi i mësimit vetëm online. Ajo që mbetet konkrete deri tani është vetëm formulari që do të “udhëzojë” Ministrinë në menaxhimin e situatës.

Pro dhe kundër mësimit online

Eksperienca e mësimit në distancë nuk është përjetuar njëlloj nga nxënësit dhe mësuesit. Jordenca Cepeli, vajza e së cilës mbaroj klasën e tretë këtë vit shpreson që mësimi mos të jetë më online pasi sipas saj për prindërit është torturuese.

“Në shtëpi vajza ime pavarësisht kujdesit që i dedikoj, nuk ka të njëjtën vëmendje si në klasë, ku absolutisht ndikon edhe autoriteti i prezencës së mësuesit dhe qetësia që mbizotëron në klasë” ,thotë ajo.

Moza Agolli, mësuese në shkollën nëntë vjeçare  “Shaqe Mazreku” në Durrës, tregon se prishja e godinës ku ajo jep mësim nga tërmeti e bën dhe më të vështirë rikthimin e mundshëm.

Prishja e shkolles “Qemal Mici” ne Durres

“Janë prishur rreth tetë shkolla vetëm brenda Durrësit, “Hasan Koci”, “Qemal Mici” etj. Ja do fillojë shkolla, ne që e kemi pasur godinën te posta, do shkojmë te shkolla Muzikës, edhe do jemi turni pasdites. Po ta bësh tani dhe me grupe të ndara mësimin, siç është propozuar, ku do shkojmë ne?”, tregon Agolli.

Për Sh.C mënyra më e mirë është të vazhdohet me mësimin online, pasi kushtet higjenike nëpër shkolla sipas saj janë të pamjaftueshme duke vënë në rrezik jetën e stafit dhe të nxënësve.

“Kushtet në shkolla janë minimale as ujë, as sapun, as tualete të rregullta. Numri i madh i nxënësve në klasa nga 35 deri në 40 nxënës, edhe me grupe në ato klasa me atë ambient aq të vogël a mund të futësh 20 nxënës? Largësia nuk është e mjaftueshme, ashtu siç është përcaktuar nga protokollet”, thotë ajo.

Ajo shton se edhe mbajtja e maskës, është problematikë më vete, për ndërgjegjësimin e fëmijëve në lidhje me rëndësinë e tyre, por edhe për vështirësitë që i sjell stafit mësimor.

“Mësuesi duhet ta mbaj maskën nga ora 08.00 deri në orën 13.45 minuta. A mund të mbahet një maskë për një kohë të gjatë nga mësues mbi 60 vjeç?”, përfundon Sh.C.

Ndërprerja e shkollës nga pandemia, më shqetësuese për familjet e varfëra

Një sërë anketimesh të realizuara gjatë kohës së zhvillimit të mësimit online, nxorën në pah problematika të mungesës së aksesit në internet të nxënësve dhe studentëve.

60% e studentëve u shprehën të pakënaqur në një anketë të “Lëvizjes për Universitetin” zhvilluar në prill, ndërkohë që rreth gjysma deklaruan se kanë akses të pjesshëm në internet me oferta të limituara.

Një tjetër vëzhgim i kryer nga “Qëndresa Qytetare” tregoi se mbi 40% e studentëve tregojnë se kanë pasur probleme aksesi për arsye ekonomike apo për shkak të mungesë së mbulimit me rrjet në zonën ku ata banojnë.

Sociologia Entela Binjaku shpjegon se edukimi online nuk ka pse të jetë qëllim në vetvete, por duhet te jetë një mjet me rezultat të matshëm për të plotësuar dhe shtuar atë që nuk ka mundësinë të realizojë edukimi i drejtpërdrejte në klasa, salla, auditorë, laboratorë.

Ajo vendos theksin te familjet e varfëra, pasi janë ato që i kanë ndjerë më shumë pasojat e ndërprerjes së mësimit në shkolla.

Entela Binjaku

“Në kushtet kur shumë nxënës nga familjet e varfëra shqiptare, nga familjet e zonave rurale të vendit, ose të familjeve me të ardhura të pakta që kishin më shumë se një fëmijë në shkollë, nuk kishin as mjetet dhe as qasjen teknologike të duhur për të realizuar objektivat e shkollës ky proces do të ketë lënë gjurmët e veta si i paplotë, i pa përmbushur ose i pakryer aspak”.

Në përfundim Binjaku sugjeron se për një proces të suksesshëm përshtatje me ndryshimet në sistemin arsimor duhet një bashkëpunim midis aktorëve kryesorë , ku duhet të përfshihet edhe Ministria vetë sepse ajo ka detyrimin që të gjejë zgjidhje të tjera që të mos prekin as formimin kulturor dhe as atë moral dhe profesional të nxënësve dhe studentëve shqiptarë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *