Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reagime: Akuza dhe kundër-akuza për krizën në kufirin me Greqinë

Duke nisur nga e enjtja deri të dielën e 16 gushtit 2020, mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi qëndruan në radhë të gjata në pikën kufitare të Kakavijës. Radhët kilometrike u cilësuan biblike, duke e krahasuar me pamjet e  largimeve të shqiptarëve 30 vjet më herët me anije drejt Italisë.

Shkak për radhët e gjata u bë regjimi i ri i masave nga ana e shtetit grek për parandalimin e virusit COVID-19. Prej ditës së sotme, sipas vendimit të shteti grek, do të kalojnë kufirin personat të cilët kanë kryer testin e COVID-19 dy ditët e fundit dhe rezultojnë negativë.  Pas kalimit të kufirit qytetarët duhet të qëndrojnë 7 ditë në karantinë në vendin ku shkojnë.

Shtrëngimi i masave bëri që me mijëra qytetarë të dynden në kufijtë me Greqinë, duke e çuar numrin e personave në radhë në Kakavijë në 15 mijë qytetarë që qëndruan për më shumë se 3 ditë në diellin dhe vapën zhuritëse të gushtit.

Të shtunën, situata u tensionua edhe më shumë, ndërsa një 10-vjeçar humbi jetën nga një aksident si pasojë e përplasjes me një ambulancë. Për këtë ngjarje është hapur një hetim për të kuptuar më qartë shkaqet.

Qëndrimi në radhët kilometrike në kufi mori fund natën e të dielës, pas shtimit të orareve të shërbimin nga ana greke edhe gjatë natës.

Insitucionet shtetërore “ping-pong” përgjegjësish 

Pas shtimit të radhëve në kufirin me Greqinë në Kakavijë, qytetarët u shprehën se kishin telefonuar Ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Gent Cakaj, por telefoni i tij ishte i mbyllur, ndërsa më vonë u bë me dije se ndodhej jashtë vendit.

Të premten, me anë të një reagimi në Twitter, Cakaj deklaroi se kishte pasur një telefonatë me homologun e tij grek për të lehtësuar kalimin në Kakavijë.

Had a 📞call w/🇬🇷 Alternate FM @MVarvitsiotis. Discussed on the need to deepen coop. to facilitate border crossing in Kakavije. While respecting all measures & strengthening groups working in border, we are constantly following the situation to ease burden in the border btw 🇦🇱&🇬🇷

— Gent Cakaj (@CakajGent) August 14, 2020

Më i vonshëm ishte reagimi i Kryeministrit Rama, i cili përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook rikonfirmoi komunikimin me Kryeministrin e Greqisë Mitzotakis, ndërsa kundërshtoi komentet për padrejtësi dhe diskriminim ndaj shqiptarëve.

“….nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, siç thonë “patriotët” që luftojnë për dinjitetin e atdheut nga ajfoni i tyre. Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj. Madje edhe vetë shtetasit grek kanë të njëjtin detyrim dhe të njëjtin trajtim”,-u shpreh Rama.

Situata u ndoq edhe nga Presidenti Ilir Meta, i cili i bëri thirrje qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve duke i informuar dhe duke kryer falas tamponët në vendin ku ndodhen. Meta i kërkoi edhe autoriteteve greke të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, për të shmangur edhe imazhet, të cilat sipas tij turpërojnë të dyja vendet.

Ndërsa situata vijonte të mbetej e njejtë dhe rradhët nuk ishin shkurtuar, Kryeministri Rama shprehu indinjatën me komentet e adresuara ndaj tij për mënyrën se si po menaxhohej situata. Ai e paralelizoi situatën me vënde të tjera të cilat po kalonin njësoj në këto kohë pandemie.

“Në kufirin greko-bullgar të Kulatas, radha dje ishte plot 5 kilometra dhe askush në Bullgari nuk kërkon hapjen e ndonjë lufte bullgaro-greke, ashtu sikundër i njëjti problem shfaqet edhe në pika të tjera kufitare, ndërkohë që për shembull, në pikën kufitare të Kapikulesë në Turqi, numri i makinave në radhë ishte shtrirë dhjetra kilometra. Po edhe andej nuk janë dëgjuar as thirrje për luftë, as thirrje për djegie njerëzish të gjallë. As kolapsi në Portin e Doverit ku janë turrur britanikët për t’u kthyer në shtëpi nga Franca, pas rregullit të beftë të karantinës së detyruar, nuk ka ngjallur ndonjë fantazëm lufte apo dëshirë për gijotinimin e “monstrave” në Paris a Londër”,- citon Kryeministri Rama.

Vetëm ditën e shtunë Partia Demokratike e Shqipërisë reagoi në lidhje me situatën kaotike të shkaktuar në Kakavijë, teksa ia adresoi fajin qeverisë shqiptare që lejoi krijimin e radhëve të gjata.

“Kjo ngjarje e rëndë është një tjetër alarm tragjik për braktisjen e qytetarëve nga qeveria. Është e pafalshme që qeveria lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë. Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi”,-thuhej në reagimin e PD-së.

Njerëz të braktisur nga një qeveri e dështuar. Turp! https://t.co/5m4HryK92S

— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) August 15, 2020

Në mbrëmjen e së dielës, pas zgjidhjes së situatës Rama falenderoi qytetarët për durimin, emergjencat civile, ushtrinë, policinë dhe urgjencën shëndetësore për asistencën në terren.

Ditën e sotme, në daljen për shtyp para mediave, Presidenti Meta ngarkoi me përgjegjesi për situatën në Kakavijë qeverinë shqiptare. Ai u kërkoi ndjesë qytetarëve që kaluan përmes këtyre sakrificave.

Për kryeministrin Rama, reagimi i Presidentit është thjesht një avaz i vjetër.

Fajësimi qeverisë për situatën në Kakavi,thjesht një sebep i rradhës për avazin e vjetër të një Presidenti që abuzon me institucionin e lartë,për qëllimet e ulëta të Lëvizjes së tij të Çintegruar politike! Ndërsa argumentat për fajësimin pastaj pfff..parodi tipike alla Baba Xhike

— Edi Rama (@ediramaal) August 17, 2020

Shkrirja e ambasadës shqiptare në Athinë, pasojë indirekte e situatës në Kakavijë?

Situata që shoqëroi për 4 ditë rradhazi qytetarët shqiptarë banues në Greqi në Kakavijë, shtoi debatet publike në lidhje me arsyet e lëvizjes së tyre në kohë pandemie. Nga intervistat e kryera nga gazetarët në terren, një pjesë e tyre u shprehën se arsyeja e ardhjes në Shqipëri ishte skadimi i pasaportave dhe nevoja për rinovimin e tyre.

Më herët, më 8 korrik të vitit 2020, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, shkarkoi të gjithë stafin dhe ambasadoren shqiptare në Athinë. Shkak ishte performanca e ulët e këtij institucioni. Ndërsa një vit më herët, konsulli në Janinë Pervin Gjikuria u shkarkua dhe ambasadorja, Ardiana Hobdari mori masë disiplinore për zhdukjen e 100 pasaportave.

Në fund të korrikut me dhjetra shqiptarë u mblodhën pranë ambasadës shqiptare ën Greqi për të marrë pasaportar, por nuk e kanë marrë ëktë shërbim për shkak të ndryshimit të personelit.

Gazetari Blendi Salaj, në një reagim në profilin e tij publik në “Facebook” thekson se mos funksionimi i Ambasadës shqiptare në Greqi mund të mos ketë qenë shkaktarja e krizës humanitare në Kakavijë, por ka qenë një nga elementët që ka detyruar qytetarë të kthehen në vend për nevojë dokumentacioni.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *