Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Sikur të ishe djalë” – Emrat shfaqin dëshirën e familjeve shqiptare për të mos pasur vajza

Autore: Entenela Ndrevataj; Diana Malaj | Citizens Channel

Dada Xhbane – kështu e thërrasin bijat dhe mbesat – ka lindur më 30 mars të vitit 1939 në Dushaj të Tropojës.

Ajo sot është 81 vjeç dhe jeton në New York. Bisedën më të e zhvilluam nëpërmjet telefonit, teksa ajo po qëndron në izolim për t’u mbrojtur nga pandemia e COVID-19.

Emnin Xhbane ma ngjiten në kuptimin “Çka na bane se linde vajzë! Na donim djalë!”- shprehet Xhbane Murati. Ajo tregon se e gjithë familja e saj e ka pritur me padurim e shumë gëzim lindjen e një djali, kjo për shkak se dy djemtë e tjerë të porsalindur kishin vdekur, dhe fëmija i parë gjallë ishte vajzë – dëshirë e cila mbeti përjetësisht e parealizuar.

Xhbane Murati është një ndër 46 gratë që mbartin këtë emër. Në Shqipëri mund të gjesh mjaft emra të cilët shprehin dukshëm një dëshirë për të mos pasur vajza të tjera në familje, si një formë besëtytnie se emri do mund të parandalonte ardhjen e vajzave të tjera në jetë.

Të dhënat e regjistrit civil tregojnë se janë rreth 5000 gra dhe vajza me emra që tregojnë pakënaqësinë e familjes për ardhjen e tyre në jetë.

Sose është emri më i përdorur, i hasur kudo në Shqipëri, ndërsa emrat si Mjaftime dhe Mjaftoni hasen në zonën e Vlorës dhe Tepelenës. Emrat Shkurte, Çbane, Keqe hasen kryesisht në veri të Shqipërisë.

Kam qenë fëmija i dytë vajzë, pas vdekjes së dy fëmijëve djem. Kisha një motër ma të madhe para meje. Njerka ma ka ngjit emnin Xhbane. Baba jem asht kanë i martuem me dy gra, se e para nuk bante fmijë, ndaj mori edhe nji grue të dytë, nanën teme, për me lindë fëmijë në shpi”, – na përgjigjet dada.

“Janë mërzit shumë kur kam lindë, sidomos baba dhe njerka. Kurse nana jeme jo, ajo bile ka qenë e vetmja që asht lumturue se i ka pasë dasht shumë fmijët.”

Pas saj, lind një vajzë tjetër, më e vogla, Nazieja. Për shkak të vdekjes së parakohshme të babait dhe të nënës biologjike, cikli i lindjeve në shtëpinë e saj përmbyllet me vajzë. Fati i mungesës së djalit, burrit dhe vëllait në shtëpinë e tyre i përndjek edhe pas martesës së tyre. Vonesa me vite e moslindjes së fëmijëve ua ka kërcënuar lidhjet martesore.

Teksa e pyesim nëse tashmë e ka bërë të vetin këtë emër, ajo shprehet se nuk i pëlqen aspak.

Kisha dasht të më kishin qujt me emën tjetër, por kta ma dhanë e kta mbajta. Mendoj se historia e emnit tem asht shumë e trishtë, kisha dasht të mos e kisha pasë.”

Xhbane Murati

Lindja e djalit në kohë të mëhershme lidhej kryesisht me mundësinë e trashëgimisë, të drejtave pronësore, krahut të punës dhe mirëqenies, si dhe garancisë për të pasur përkujdesin për prindërit në moshë të thyer.

Vajza lind në shpi të huej, e shkon në shpi të vet”, është shprehja më e shpeshtë që lëshohet sa herë që përcillet një vajzë, herë-herë si ngushëllim fatalist për ikjen e saj.

Emri si mënyrë “që të na farohen cucat”…

Nga Dushaj të Tropojës, zhvendosemi në Laç-Bruç të Burrelit. Farie Leka ka lindur në vitin 1973. Ajo na tregon sesi lindja e saj është pritur me mërzi të pafund në shtëpinë e saj të madhe.

Farieja lind pas tri motrave. Prindërit në spital ia vënë emrin Liljana, sa për të evituar problemet me shtetin e asaj kohe, por me të vajtur në shtëpi gjyshja (nga babai) këmbëngul që t’ia vënë emrin Farie. “Jo, s’po ia lajmë Liljanë, por veç Farie, që të na farohen cucat”. Sot, Liljana teksa e kujton këtë ndodhi rreth jetës së saj, qesh.

Kur kam lind unë, janë mërzit shumë të shpisë. Mos dvet sa janë mërzitë! Pritshin me padurim me lind djalë! Nana e vjetër i qitte fjalë nanës seme “na e la shpinë pa djalë, na e farove shpinë, gjali jonë po mbet pa hise…” – shton Liljana gjatë bisedës me të.

Pas Liljanës, lind një tjetër vajzë, por ndryshe prej saj i vënë një emër krejt të zhveshur nga çdo urim a dëshirë për të mos lindur më vajzë në truallin e tyre. Pothuajse të dorëzuar, në përpjekjen e tyre të fundit, në familjen e Liljanës vjen në jetë fëmija i fundit- djalë.

Si ia vunë emrin djalit?

Vëllait tonë ia vunë emrin Gëzim, se u gëzuen shumë. Tre fshatra e kanë marrë vesh dhe e kanë përcjellë fjalën që filanit i ka lindë djalë. Kanë shti pushkë e kanë festue” – kujton ajo gëzimin për vëllanë e tyre të vetëm.

Liljana ose Faria, sot e kësaj dite mbart dy emra. Njëri është institucional, ndërsa tjetri është realisht emri me të cilin e thërret familja, fëmijët, bashkëshorti dhe të afërmit e tjerë të saj.

Në punë u kam thanë shoqeve që jam me dy emra, e kur u tregoj historinë shkrihen tuj qeshë. I gjithë kolektivi më thërret me emrin që kam te karta e identitetit. Kur më thërrasin Liljanë më vjen shumë çudi, se nuk e ndjej si emnin tem. Bile unë kam dashtë me e ndërru emnin kur bana celebrimin e martesës, por gjendja civile s’ma ndërroi.”

Unë quhem ashtu siç më thërrasin. Emri im është Farie, jo Liljanë” e përmbyll duke iu përgjigjur pyetjes sonë nëse do të kishte dasht një emër tjetër.

Aborti selektiv, manifestim modern i mosdashjes së vajzave në familjet shqiptare

Dëshira për të mos lindur vajza në familjet shqiptare tashmë ka marrë një tjetër trajtë, atë të abortit selektiv, shpjegon Daniela Kalaja, studiuese e çështjeve gjinore dhe pedagoge pranë Universitetit të Tiranës.

Për fat të keq, sot që ekziston ekografia, fenomeni vazhdon. Vajza e dytë apo e tretë nuk quhet më Sose apo Mbarime, por kemi abortin selektiv. Po ta shikosh demografinë e Shqipërisë, ekziston për gati më shumë se një dekadë e gjysmë“, shprehet ajo për Citizens Channel.

Kalaja sqaron se në Shqipëri, toleranca ndaj ardhjes në jetë të vajzës së dytë në familje bie dhe gjasat për abort selektiv rriten.

Daniela Kalaja, studiuese e çështjeve gjinore

Presioni rritet te fëmija i dytë në familjet shqiptare. Nëse e para është vajzë, tani mirëpritja për djalin është akoma më e madhe. Kur vërtetohet me ekografi që fetusi i fëmijës është përsëri femëror, atëherë presion i familjes për ta përfshirë gruan në abort selektiv është shumë më i madh“.

Sipas të dhënave të mbledhura nga INSTAT, pjesa dërrmuese e grave që përfshihen në abort kanë statusin “të martuara”.

Burimi: INSTAT

Dëshira për të mos pasur vajza në familje, në këndvështrimin e antropologëve

Antropologia Eli Krasniqi tregon se mosdashja e vajzave, nxjerrë në pah përmes emrave, është derivat i patriarkalizmit, ku gruaja reduktohet në rolin e riprodhimit.

Kjo praktikë asht edhe nji shpërfaqje tjetër e patriarkalizmit ku gratë reduktohen në qenie riprodhuese, dhe për me tepër, të konsiderueme si të dobishme apo të vlefshme vetëm po lindën djem“.

Eli Krasniqi, antropologe

Krasniqi shprehet se kjo mënyra e të funskionuarit lidhet me formën e ndërtimit të familjes.

Kjo gjithesesi ka të bajë me mënyren qysh asht e ndertueme familja shqiptare – apo në pergjithesi ne Ballkan, ku mbiemri, gjaku, por edhe prona kalojnë përmes vijës së babës“.

Shtysat për të pasur djem në familje – Mite apo të vërteta?

Po ta shikosh nga të gjitha pikëpamjet e ta analizosh dashurinë apo dashamirësinë patriarkaliste shqiptare për të mirëpritur djemtë, nuk qëndron te asnjë lloj kuptimi dhe asnjë lloj analize“, vijon më tej Kalaja teksa shpjegon se shumë prej faktorëve të mbartura ndër vite, që lidhen më dëshirën për të pasur djem në familje, tashmë nuk qëndrojnë.

Së fundmi, Daniela Kalaja shpjegon se ndër vite, është gjykuar gruaja si fajtore për lindjen e vajzave në familjet shqiptare, ndërkohë që biologjikisht, burri është përgjegjës për konceptimin e fëmijës mashkull.

I vetmi përgjegjës për të konceptuar djalin është bashkëshorti apo partneri jonë mashkullor, që e ka XY gjenetikën e vet. Pra, ai kur ndërvepron me gruan seksualisht, mund t’i transmetojë fetusin X-n dhe atëherë lind një vajzë, ose Y-in dhe atëherë lind një djalë“, përfundon ajo.

Si ndikon emri te njeriu?

Sociologu Zyhdi Dervishi tregon se emri mbart një rëndësi të veçantë për individin pasi kuptimi i tij, atëherë kur është vënë qëllimisht, ndikon te personaliteti i njeriut.

Zyhdi Dervishi, sociolog

Emri është identitet. Herë pas here unë i kam studiuar këto raste të veçanta dhe emri ndikon te personaliteti i njeriut. Përgjithësisht një emër fisnik, një emër i ndritshëm, që ka dritë brenda, i jep më shumë personalitet njeriut“.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe antropologia Krasniqi, e cila artikulon se përveç identifikimit, emri është edhe një mënyrë brumosjeje, ku vajzave u bëhet me dije se nuk janë të vlefshme po aq sa djemtë në familje dhe shoqëri.

Asht tejet e dhimbshme me e pa qysh vajzave që në lindje e tutje, ua kanë ba me dije, qoftë edhe prej emnit që asht formë identifikimi e identiteti, që ato nuk janë të vlefshme sa djali”, përmbyll ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *